"Kështu s’dua të jetoj"/ Si e shkatërruan me dhunë dhe tortura të riun Aristotel Ksera

0
265

Ishte arrestuar me dy miq për veprimtari armiqësore ndaj partisë. Njëri ndërroi jetë në qeli gjatë hetuesisë. Aristoteli me shokun tjetër u dënuan dhe u dërguan në Spaç. Kaso Hoxha, që ka ndarë të njëjtën birucë izolimi me Aristotelin, kujton si i ftohti i atij dimri dhe torturat çnjerëzore të policëve, i dhanë goditjen e fundit atij të riu inteligjent e të dashur

Nga Kaso Hoxha

Dimri i vitit 1979 erdhi me të tërë egërsinë e tij.

Të 54 të burgosurit e kaushit tonë janë pothuaj të gjithë me neurozë...

Në katin e parë të dërrasave flemë 11 vetë...Në krah kam doktor Vasilin...Në krah të doktor Vasilit, rri ulur këmbëkryq Muhamet Harremi… Në krah të Muhametit, një i burgosur rri gjithnjë shtrirë, i mbuluar me batanijet, të cilave balta u ka dhënë një lustër sikur të jenë çadër. Sa vjen nga puna, i lodhur, i rraskapitur jashtëmase, ha çapën e bukës dhe shtrihet, dëshira e tij është që ta lënë të rrijë shtrirë  dhe nuk do kërkonte as të hante e as të pinte, vetëm që të vdiste i qetë në dyshekun e bykut.

Nuk është i thyer në moshë, as plak që të urrehej jeta dhe vetja, por është djalë 25 vjeçar. Ky është Aristoteli, nga fshati Derviçan i rrethit të Gjirokastrës. Gjatë hetuesisë për 10 muaj me radhë, nga vuajtjet dhe torturat pësoi traumë psiqike, kur shoku i tij, me të cilin akuzohej për veprimtari armiqësore kundra Partisë dhe qeverisë, vdiq në qelitë e hetuesisë (Kishte rënë në burg vetë i tretë, tjetri ishte me të në Spaç, e quanin Kosta Qirjako).

Aristoteli ishte djalë inteligjent, tepër i mprehtë, student për matematikë-fizikë në universitet.

Kishte dy ditë që ishte caktuar të punonte në brigadën tonë në zonën III, bakër. Nuk më ishte dhënë rasti të bisedoja, sepse punonte në një grup tjetër, në frontin 55. Përshëndeteshim sa herë takoheshim, kur mbaronim punën brenda në minierë.

Aristotelin e kish tmerruar errësira dhe era e qelbur e galerive gjithë ujë duke e mbërthyer në pesimizëm, që vështirë të shpëtonte.

Ora 9.00 (e mbrëmjes) Tellalli Jorgo Zguri bëri zgjimin e turnit të tretë.

…Të burgosurit përgatiteshin në heshtje, për të vajtur në mensë, të merrnin copën e bukës, pasi t’i mbante më tepër se një orë në këmbë, në oborr përpara mensës, polic Pjetër Koka, në mes të akullit dhe erës, që ta ngrinte pështymën në gojë.

Dolëm në oborr, në heshtje u rreshtuam njëri mbas tjetrit dhe prisnim që zoti Pjetër të fillonte. Ai donte të mos dëgjohej asnjë pëshpëritje dhe rreshtat e 200 të burgosurve, në katër brigada të ishin të drejtë. Murlani i veriut na rrihte me tërbim, sikur t’i kësh dhënë urdhër polic Pjetër Koka…Durimi sa vinte e binte e pikërisht këtë kërkonte polici Pjetri, i cili ishte i veshur me peliçe të ngrohtë, ndërsa ne lakuriq, me palo kapota të grisura si rrjetë; ai me këpucë e çorape më këmbë, ndërsa ne zbathur; ai i ngrënë e ne të uritur.

Ky xhelat i Spaçit kishte fituar urrejtjen e të gjithë të burgosurve.

…Aristoteli e humbi durimin dhe foli me zë të lartë, tërë nervozizëm.

-Hë, zoti polic, do të na mbash gjatë, akoma në këmbë? Kemi një orë që presim, a nuk u zien ende preshët, jemi njerëz, nuk jemi drunj!

Por, pa e mbaruar mirë llafin, briti Pjetri:

-Kush është ai karafil që ka të ftohtë? Pusho se të mori dreqi, palaço!

-Pse do pushoj, çfarë do bësh, një bythë kapterri je, -e kundërshtoi Teli me vendosmëri.

-Dil lart, se ta tregoj unë,-bërtiti dhe u bë xurxull nga inati polic Pjetri.

Por Teli nuk dëgjoi dhe nuk lëvizi nga vendi, duke mos e çarë kokën nga fyerjet e policit që bërbëliste.

-Dil po të them, ti, i dënuar!-dhe zbriti shkallët, duke ardhur në rreshtin tim, ku ishte Teli.

-Pse nuk zbaton urdhrin, i dënuar?-bërtiste dhe shtynte të burgosurit që të hapnin rrugën.

Pa arritur mirë, e shtyu Telin me tërë forcën e tij, saq Teli e humbi drejtpeshimin dhe u rrëzua mb akull.

-Ngjitu  lart te porta!-bërtiti polici…

Teli u ngrit duke e shikuar me urrejtje atë njeri pa shpirt dhe qetë-qetë u ngjit lart, te porta që të çonte në zonën neutrale. Polici i shkonte nga mbrapa dhe herë pas here, e shtynte sikur të ishte një rob lufte.

Të burgosurit skërmisnin dhëmbët dhe mërmërisnin, nëpër dhëmbë, mallkime për policin.

…Ora po shkonte 9.30, kur u kthye nga birucat, ku mbylli Telin dhe i dha urdhër tellall Jorgji Zgurit, të vazhdonin për bukë.

Kaso Hoxha me të dënuarit e tjerë vazhduan rrugën drejt galerisë. Ndodhi që Kasoja kundërshtoi të punonte në kushte të papërshtatshme teknike dhe për këtë arsye, policët pasi e torturuan e dënuan me izolim duke e çuar në birucën e ftohtë, ku gjeti Aristotelin. Të izoluarve u lejoheshin vetëm një palë pantallona doku, një këmishë e një xhaketë verore dhe në orën 21.00 u jepnin një batanije të vjetër që ua merrnin sërish në mëngjes herët.

…Brenda më priste Aristoteli në këmbë, që dridhej nga të ftohtit. I dhashë dorën e bëmë toka pa folur, pasi polic Gjini ishte te dera që po mbyllte me dryn. Kur u largua, e pyeta se sa e kishin dënuar me izolim, në qeli. Më tha se ia kishin prerë 1 muaj. Ky ishte muaji i katërt që po bënte birucë.

U ulëm dhe me zë të ulët bisedonim. Ftohtësira na rrethonte nga të gjitha anët, bashkë me errësirën. Ajo ishte një frigorifer i vërtetë. Orët nuk kalonin aq lehtë në kushte të tilla me një vuajtje dhe torturë kaq të madhe, si ajo e të ftohtit.

…Darkën, Gjini e solli me vonesë, aty nga ora 8.00 e mbrëmjes.

Jorgji, tellalli i kampit, e vari kusinë me çaj dhe copat e bukës mbi lavamanin e çezmës. Polici filloi t’i hapë birucat me radhë nga e para. Kishim vetëm pesë minuta në dispozicion të merrnim bukën dhe të dilnim në WC. Gjatë 24 orëve dilnim tre herë në WC dhe 20 minuta për një pastrim të qelisë, ose për të marrë pak ajër në korridor.

E mora fetën e bukës që nuk ishte më tepër se 100 gram, hodha në tas një lugë ujë të turbulluar që i thonin çaj. Në tas ranë copa akulli, ai kishte ngrirë. Kur e pa Teli që unë hodha copa akulli në tas, qeshi dhe me ironi i tha policit që rrinte lart mbi hekura:

-Sa sheqer i keni hedhur, iu ka ikur dora sonte!-duke i dëftuar policit një copë akull që notonte në tenxhere.

-Heu, nuk i pëlqeka fytyrës tënde!-kërceu nga vendi ku ishte ulur Gjini.-Të bëj të hash hekra, jo bukë, mos ki gajle!

Ai erdhi te dera e hekurt, e hapi dhe hyri në birucën tonë i egërsuar.

-Barkas, palaçhane!-skrofëtiu Gjini.

-Nuk dua!-e kundërshtoi Teli dhe ishte gati të hidhej ta shqyente, po t’i afrohej…

…Polici mbylli dyert e hekurta duke mos ua dhënë bukën të burgosurve të tjerë dhe doli me vrap jashtë për të vajtur në komandë që të ankohej…erdhi me dy policë të tjerë, Jakun dhe Prenk Sulejmanin. Të tre policët hynë në birucën tonë.

-Ku je ti, fytyrë e keqe, që kundërshton?!

-Ja këtu jam- u përgjigj Teli nga fundi i qelisë ku errësira e mbulonte përjetë atë skutë.

Policët iu turrën të tre në kurriz si hijenat viktimës së tyre.

Përpara syve të mi po zhvillohej një betejë jo e barabartë, 3 me 1. S’kisha asnjë fije force që t’i vija në ndihmë këtij fatkeqi, që po i thyenin eshtrat me çizme dhe kërbaç. E lidhën, e hoqën zvarrë, duke e përplasur në korridor të qelive me ujë e akull. E mbyllën qelinë time dhe më tepër se një orë, e rrahën Telin, të bërë kockë e lëkurë. Ai s’po nxirrte asnjë zë.

Vonë, natën, erdhi Pjetër Koka dhe e hodhi në qeli trupin e ngrirë të Telit, trupin e tij që e kish gjithë plagë.

U ngrita, e mora në dorë shokun tim të masakruar, e shtriva mbi batanije, i fola, por ai ishte pa ndjenja. S’kisha ku t’i bëja masazh, se të gjithë mishrat i kishte me plagë dhe të nxirë nga goditjet.

E dinin vallë nënat se ç’po hiqnin, se ç’po vuanin bijtë e tyre  që i kishin rritur me një mijë mundime, me një mijë halle?!

Ia ngroha mishrat e nxira me frymë, duke i fërkuar me orë të tëra, deri sa u përmend.

Teli i hapi sytë përgjysmë, më hodhi një vështrim të ëmbël mirënjohës…

Teli lëvizi dhe një rënkim doli nga thellësia e kraharorit.

-Teli!-i fola avash mbi kokë shokut tim, vëllait tim me të cilin jetoja momentet më të vështira të jetës.

-Kaso!-m’u përgjigj fatziu e me një zë sikur t’i falej Zotit:

-Kaso… kështu s’dua të jetoj më.

-Jo Teli, kurajo vëlla, mos e lësho veten, ti je 24 vjeç, jeta jote është përpara…-mundohesha t’i jepja zemër.

-Jo vëlla, kjo s’durohet. Unë dua të vdes, dua t’i jap qetësi shpirtit dhe eshtrave. S’kam më forca…

A mund ta çliroja nga ky pesimizëm që kish mbërthyer tërë qenien e tij? Ishte e pamundur. Teli ishte njeri i vendosur. Teli s’pranoi të hajë më bukë, duke bërë grevën e urisë në qeli. Nuk kishte gjë më të llahtarshme se të shihje një djalë 24 vjeç që po vdiste.

Kaluan 2 ditë, kaluan 5 ditë dhe ditën e shtatë komandanti i burgut e nxori nga qelia.

Vazhdon në publikimet e ardhshme

Marrë me shkurtime nga libri “Tokë e bukur, kohë e shëmtuar” me autor Kaso Hoxha, botim i ISKK, Tiranë 2021

S'KA KOMENTE