Gjergj Bubani, gazetari që ndërroi jetë në burgjet e diktaturës

0
341

Në “Gjyqin Special” u cilësua "kriminel lufte" me akuzën: “Është bërë vegël e propagandës armike si agjitator, propagandist dhe publicist me anë të radios dhe fletoreve. Ka shkruar artikuj për okupatorin dhe kondra luftës së popullit si Drejtor i Radioemisionit, Drejtor i Radios dhe redaktor i gazetës “Bashkimi i Kombit”(Dosja e Sigurimit të Shtetit për Gjergj Bubanin, marrë nga AIDSH”)

Në vazhdim të ciklit të artikujve për persekutimin e gazetarëve nga diktatura komuniste do të trajtojmë sot një artikull që lidhet me historinë tragjike të gazetarit Gjergj Bubani. Ishte një ndër gazetarët e viteve ‘30 i cili ishte pozicionuar qysh herët me lëvizjen komuniste. Ai shkruante me vlerësime të larta për djalërinë e ideve komuniste. Bubani ishte një ndër intelektualët e spikatur, kishte studiuar në Liceun Francez të Korçës dhe vazhdoi studimet e larta për degën Kimi, në Athinë. Kishte filluar të shkruante rreth temave poitiko-shoqërore në vitin 1920, në të përjavshmen kombëtare “Shqipëri e re”, që botohej në Rumani prej Ilo Mitkë Qafëzezit. Dy vite më vonë, Bubani drejtoi një periodik me emrin “Dodona”, ndërsa në mars 1926, revistën “Zëri Shqipëtar”. Në vitin 1943, u kthye në Shqipëri dhe shkruante për gazetën “Bashkimi i Kombit” si dhe ishte spiker e më vonë drejtues në Radio Tirana.

Ishte një ndër gazetarët që promovuan fort rininë komuniste, por menjëherë pas çlirimit do të arrestohej nga diktatura dhe do të akuzohej si “kriminel lufte”. Gjergj Bubani ishte një ndër intelektualët e dënuar në të quajturin “Gjyqi Special” me aktakuzën: Është bërë vegël e propagandës armike si agjitator, propagandist dhe publicist me anë të radios dhe fletoreve. Ka shkruar artikuj për okupatorin dhe kondra luftës së popullit si Drejtor i Radioemisionit, Drejtor i Radios dhe redaktor i gazetës “Bashkimi i Kombit”(Dosja e Sigurimit të Shtetit për Gjergj Bubanin, marrë nga AIDSH”.)

Në seancat gjyqësore, ai nuk e pranoi akuzën, madje pati dëshmitarë që e mbrojtën, duke dëshmuar se Gjergj Bubani njihej si simpatizant i lëvizjes komuniste qysh në fillimet e saj. Megjithatë, u dënua me 15 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë dhe humbjen e të drejtave civile e politike.

Gjergj Bubani gjykohej me dhjetëra intelektualë të tjerë të akuzuar nga regjimi komunist si kriminel lufte. Në të vëretët ata ishin kryesisht intelektualë që kishin kontribuar për vendin.

Gjyqi special për gjykimin e “kriminelëve të luftës” u zhvillua në janar 1945 dhe përbëhej nga:

Prokuror: Gjeneral –Major Bedri Spahiu

Kryetar: Gjeneral Leitnant Koçi Xoxe

Anëtar: Kolonel Hysni Kapo

N/Kolonel Beqir Balluku

Kapiten i kl. Π Hajdar Arianiti

Partizan Gaqo Boboshtica

Dr. Medar Shtylla, Ministër i Ekonomisë

Fadil Shehu, Anëtar i Këshillit Ant. N. Ç.

Halim Budo, gjykatës, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë

Gaqo Floqi, gjykatës.

Gjyqi vazhdoi disa ditë ndërkohë që gazeta “Bashkimi” ku dikur Gjergj Bubani kishte qenë gazetar, botonte ditë pas dite artikuj  me gjuhë urrejtjeje kundër Gjergj Bubanit dhe kundërshtarëve të tjerë të regjimit komunist që po akuzoheshin e po dënoheshin padrejtësisht nga diktatura komuniste. Një prej artikujve të gazetës “Bashkimi” e datës 1 mars 1945 titullohej: ”Ora e hesapeve/ Gjyqi i Popullit për kriminelët e luftës i çeli dyert".

Gjergj Bubani ishte drejtori i parë i Radio Tiranës në vitet 1937-1938. Ai ishte shkrimtar, publicist dhe përkthyes. Gjergj Bubani ndërroi jetë më 28 shkurt 1954 në burgun e Burrelit.

Stafi i Radio Tiranës. Shkurt 1939

Shënim: Artikulli mbështetet në materialet të marra nga libri “MEDIA SHQIPTARE, rrugëtimi i vështirë drejt lirisë, me autorë Luljeta Progni, mbështetur nga Konrad Adenauer”