Fati i mbrapshtë i ardhjes në Shqipërinë komuniste

0
1169

Pasi Shqipëria mbylli kufijtë u kthye në vendin nga nuk mund të ikje më edhe pse po hiqje keq. Për shqiptarin nga Mali i Zi, Shaban Meti,  shpresa e vetme mbetej të kthehej në vendin e tij, por kjo shpresë do e kthente në tradhtar për regjimin komunist që e dënoi me 25 vjet burg. Një dënim ekstrem që babai i gjashtë fëmijëve e vuajti vetëm për një kërkesë riatdhesimi

Shaban Meti kishte mbërritur nga Mali i Zi në Shqipëri, pak vite pas luftës. Nuk dihen arsyet përse i riu zgjodhi të linte vendin e tij, por e sigurt është që ai nuk e dinte çfarë do të gjente matanë kufirit. Me kalimin e kohës, duhet të ketë mësuar për mënyrën si dënoheshin kundërshtarët politikë, si sekuestroheshin pasuritë dhe tkurreshin të drejtat e njerëzve, por ndoshta ende nuk ishte ndërgjegjësuar plotësisht për zgjedhjen që kishte bërë kur do ta gjente veten të izoluar në një kafaz nga ishte shumë e vështirë të dilte, pasi Shqipëria mbylli kufijtë edhe me vendet e ish-Jugosllavisë.

Megjithatë Shabani nisi të ndërtonte një jetë normale. Ishte shumë i ri, por falë zotësisë, kishte gjetur rrugën e tij. Nuk e humbi kurrë pasionin për muzikën dhe violinën, por zgjodhi fushën e mjekësisë për profesion, një kombinim që duke u hasur në disa jetëshkrime nis e tingëllon i natyrshëm dhe pse nuk gjen gjë tjetër çfarë mund ta bashkojë mjekësinë me artin veç njeriut vetë dhe dashurisë për jetën. Po fundja, çfarë është më e rëndësishme?!

Në moshën 28-vjeçare zhvendoset nga Tirana në Berat, ku nis punë si infermier. Martohet me një vajzë beratase, nga familja e njohur e Vrionasve dhe lindin 6 fëmijë së bashku, ndërkohë që në vitin 1965, në moshën 36-vjeçare, kur kishte kaluar gjysmën e jetës në Shqipëri, merr edhe nënshtetësinë shqiptare.

Nëse do t’u kishte dërguar një letër të afërmëve duke u përshkruar ngjarjet e jetës deri në atë çast, me siguri të gjithë do të kishin lexuar sukseset e asaj jete. Ai kishte një familje dhe një punë në vendin të cilit tashmë i përkiste edhe ligjërisht. Kishte me siguri edhe ndonjë mik në atdheun e tij të dytë bashkë me mikeshën e vjetër, violinën, së cilës mund t’i tregonte mallin për vendlindjen që ndoshta miqtë e rinj nuk e kuptonin. Por tabloja nuk do ishte realiste po të mos përfshinte edhe sfondin e trazuar në të cilin zhvilloheshin këto ngjarje.

Shabani, megjithëse mori nënshtetësinë shqiptare dhe e kishte kombësinë të tillë, mbeti "shtetasi jugosllav" dhe për këtë arsye nuk shihej me sy miqësor. Ishte e pamundur t’i hapeshin më shumë rrugë sesa ato që kishte çarë me mund, në shoqëri apo në punë. Jo vetëm kaq, por ai ishte edhe bashkëshorti i një gruaje, familja e së cilës nga më të dëgjuarat e të nderuarat ishte kthyer në armike. Gjashtë fëmijët e tij, duke u rritur, me siguri vinin në shtëpi me ndonjë pyetje rreth një fjale që mund të kishin dëgjuar për origjinën apo familjen e tyre dhe kjo nuk ishte e lehtë për një prind që i kishte këmbët dhe duart e lidhura.

Për të gjitha këto arsye, Shabani, ka menduar si zgjidhje të vetme largimin nga Shqipëria dhe kthimin në Mal të Zi. Jo duke u arratisur. Kjo do t’i bënte gjërat shumë më keq për të nëse kapej dhe shumë më keq për familjen, në çdo rast. E pastaj as jeta e tij, duke lënë pas gruan me gjashtë fëmijë që dihej ç’fat i priste, nuk mund të ishte e mirë. Mendoi të vepronte brenda rregullave. Të kërkonte të riatdhesohej. Disa shtetas të huaj e kishin pasur këtë mundësi, ndaj e provoi dhe ai. Mund të dukej si mrekulli që të dilje kaq thjesht nga kafazi, të shpëtoje pa asnjë pasojë nga klima mbytëse dhe e pashpresë, por në mes të mjerimit nuk të mbetet veçse të besosh në mrekulli. Shabani i nisur nga Tivari me ëndrra e shpresa plot në moshë fare të re, tashmë 50 vjeç, i përqendroi të gjitha shpresat dhe ëndrrat në rrugën me kah të kundërt. E ndërsa priste një përgjigje, i erdhi një urdhër arresti.

Babain e gjashtë fëmijëve e ndaluan një ditë shkurti të vitit 1979 dhe që nga ajo ditë, derisa diktatura ra, ai nuk i pa më fëmijët veçse përmes hekurave. Përpiluan kundër tij dy akuza të rënda: tradhti ndaj atdheut dhe agjitacion dhe propagandë për t’i dhënë një dënim shumë më të egër sesa kushdo do priste edhe duke e njohur mekanizmin e pamëshirshëm të dënimeve në diktaturë dhe e munduan në një hetuesi gati 5-mujore.

Shaban Meti u dënua me 25 vjet heqje lirie.

Në vendimin e gjykatës, siç tregojnë dokumentet e nxjerra në dritë nga studiuesi Kastriot Dervishi, thuhet ndër të tjera: “I pandehuri është shprehur për gjendjen gjoja të vështirë ekonomike të keqe të masave punonjëse që sipas tij gjoja vuajnë për bukën e gojës, se gjoja në Shqipëri nuk ka demokraci, por vetëm dhunë e ashpërsim të luftës në klasave, se gjoja shtetasit jugosllavë si emigrantë nuk trajtohen mirë, se Shqipëria me prishjen e marrëdhënieve  me BS-në e Kinën revizioniste mbeti vetëm, etj., biseda këto të bëra prej tij për të shprehur urrejtjen ndaj sistemit socialist e diktaturës së proletariatit në Shqipëri”.

Për gjithë këto “gjoja” të vërteta, shqiptari nga Mali i Zi vuajti plot 12 vjet e 20 ditë deri sa doli nga burgu në mars të 1991-shit. Tashmë akuzat ndaj regjimit, për të cilat ai u dënua, po thuheshin me zë të lartë ngado e nga kushdo. Por disa, si Shaban Meti e dinin më mirë sa të vërteta ishin ato akuza dhe sa të hidhura ishin ato të vërteta.

S'KA KOMENTE