
Historitë e tmerrshme të kampit të internimit në Tepelenë, atje ku humbën jetën qindra fëmijë, gra e pleq
Nga Lek Pervizi
Tepelena u damkos me njollën e turpit nga komunizmi, që aty krijoi kampet më të tmerrshëm të internimit që kishte njohun ndonjëherë vendi ynë. Duke përfshi edhe Turanin, Memaliajn e Veliçotin, aty u mbyllën për pesë vjet shumë të gjatë, me mija qӫnje njerӫzore. Familje tӫ tana. Pleq e plaka, burra e gra, të rij e të reja, fëmijë të mitur dhe foshnje të varun pas gjinit të nanave të reja, që sapo ishin nda prej burrave të tyne të arratisun në mal ose jashtë shtetit. Nӫ kampin e Turanit konditat ishin tepër të këqia. Një mungesë e plotë e strukturave higjenike, krejtësisht primitive. Sëmundjet ngjitëse filluen të korrin viktima ndër pleqtë dhe fëmijët. Ishin këta që e paguen shtrejtë këtë gjendje absurde të një pakujdesie të pafalshme nga ana e administratës komuniste. Epidemitë shkaktuen një ekatombë të vërtetë foshnjesh të njoma.
Kështu u ndërmor nga komanda tranferimi i parë i varrëve e shumë prej tyne humbën. Varret u çuen në grykën e pë lumit të Bënçës, një gjysmë ore larg, për t'i përdjerrë. Ato varre do tranferoheshin përsëri ma vonë, në 1953, për t'i zhdukun krejtësisht. Prania e fëmijëve në këto kampe ishte ana ma makabre dhe e tmerrshme. Kur shpërtheu dizanteria apo kolera, ata vdisnin si mizat. Në një natë të vetme, në kampin e Turanit vdiqën 33 fëmijë. Si pas dëshmitarëve që përjetuen ato rrethana të llahtarshme, pothuaj çdo ditë vdisnin nga shtatë - tetë veta, në Turan, Memaliaj, Veliçot e Tepelenë.
Këto ngjarje të kobshme, njollosin sistemin e diktaturës, si një sistem nga ma të urryemit e ma kriminelët, që populli shqiptar pati fatkeqësinë të durojë për 45 vjet rresht, duke e pague me flijimin e mija e mija viktimave të pafajshme. Këto mbresa vlejnë për të dhanë ma të qartë përfytyrimin e asaj vale terrori dhe persekutimi që përfshiu vendin tonë gjatë një gjysmë shekulli.
NANE CUKLINES
Dy voglusha kërubina,
N'intemim i pat Cuklina,
Dy voglusha, krrela krrela,
Në një kamp rrethue me tela.
Nanë Cuklina, ajo nanë mjera,
N' Tepelenë ku s'pushon era,
Dy binjakët i mban pranë,
Veç buk misri kanë me ngranë.
N' at Turan të Tepelenës,
I ka tret pushteti i rrenës,
Një pushtet mizor, barbar,
Kriminel e gjakatar !
Rrijnë fëmitë varun në gji,
Mortja e zezë rrin në pusi ;
Kosën n' dorë ia dha partia,
Që t'kositet pafajsija.
Shpërthen vaji e lemeria,
Po tmerrohet gjithë njerzia,
Po vjen vdeja t' u zgërdhi,
Kosit pleq, kosit fërni.
Dy voglushat kërubina,
S'i shpéton dot nanë Cuklina.
Dy voglushat dorë për dore,
Ia rremben vdekja mizore.
Mortja hiq s'po ka meshirë,
Njato kthetra i ka shtrirë.
Dridhen fëmijët prej sikletit,
Llahtariset gjithë mileti.
Llahtariset mali e Vjosa,
Natë e ditë po kosit kosa,
Sa shumë vorre janë rreshtue,
Sa shumë foshnje janë gropue.
I tanë kampi ban medet,
Në një gropë i kanë mbështet,
Dy binjakët dorë për dore,
Qanë nanë zeza malësore.
Fillikat e qyqe mbet,
Kthen Cuklina n'kanak t'vet,
E sheh bosh e pa kërkend,
E therë veten aty në vend !
Marrë nga libri im me vjersha rapsodike popullore ‘Lahutari Shqiptar”, 1944-1990.