I nisi vuajtjet në burgje në moshën 17 vjeç dhe u lirua përfundimisht kur ishte 52. Lloj-lloj akuzash u fabrikuan për ta mbajtur sa më gjatë në burg Eduard Vatën, përfshirë dhe atë se poezinë e Pashko Vasës e kishte kthyer kundër regjimit komunist
U dënua tri herë e vuajti dënimet në vitet 1951-1962 dhe 1977-1986. Të gjitha se ishte djali i Llesh Marash Vatës, i dënuar me vdekje nga regjimi komunist. Quhej Eduard Vata (u lind në 18.2.1934 në Kolonjë, vdiq më 4.3.1990 në Shkodër). Origjina i kujtohej në gjithë dënimet e tij. U arrestua për herë të parë kur ishte 17 vjeç dhe doli nga privimi i lirisë kur ishte 52 vjeç. Një jetë plot vuajtje.
Herën e parë, në vitin 1951, u përfshi në një proces së bashku me shtetasit: Xhahit Xhaferi, Shefqet Kraja, Ymer Smajli dhe Ali Muja, të akuzuar për “formim grupi kundër pushtetit popullor”, duke shpërndarë trakte e materiale të tjera propagandistike, duke u dënuar me 15 vjet heqje lirie.
Herën e dytë, në vitin 1977 u dënua për agjitacion e propagandë, duke u dënuar maksimalisht me 10 vjet heqje lirie.
Herën e tretë u ridënua duke vuajtur dënimin për pjesëmarrje në organizatë armiqësore në Spaç. U përfshi në një proces së bashku me shtetasit: Xhelal Koprencka, Irfan Vrioni, Bardhosh Gjonzeneli, Napolon Koleci, Sarandi Lulo, Ernest Kraja, Florenc Kusi, Gaspër Gaspri, Thoma Bejo, Pal Ndreca dhe Nuredin Sula, të cilët cilësoheshin si pjesëtarë të “Organizatës Nacionaliste” të “krijuar” brenda Repartit nr.303 të Spaçit, e cila ishte në lidhje me “Organizatën Revizioniste” të drejtuar nga Fadil Kokomani dhe Vangjel Lesho.
U arrestua më 23.2.1979. U akuzua në bazë të neneve 55/1 e 57 të Kodit Penal. Ndiqej në burg si “agjent i mundshëm i zbulimit jugosllav” (ec e gjeje se si lidhej “zbulimi jugosllav” me një të burgosur!). Raportonin bashkëpunëtorët “Timonieri”, “Stilografi”, “Zjarri”. Shprehej se Xhelal Koprencka nuk u fliste spiunëve të burgut dhe do vinte koha që do ta paguante. “Jashtë shtetit ka liri e demokraci, e jo si thonë këta që gënjejnë”-citohej të ishte shprehur. Ai citohej se ishte shprehur me ironi rreth poezisë së Pashko Vasës, duke e recituar në formën:
Shqipëri moj e mjera Shqipëri,
Ti ke pas qenë një zonjë e rëndë
Që marksizmi e komunizmi të ka futur me krye në hi
Ke pas shumë burra për Shqipëri
Tashti ke komunizmin me Enver Hoxhën e kompani që
Shqipërinë e ka sjellë në zi
Ke pas shumë dhen e bagëti, tash ke armatime
Për t’i kall frikën gjithë popullit të Shqipërisë
Me lënë motra e nënat me shall të zi.
Nuk pranoi akuzat që iu bënë para hetuesit Shkëlqim Lubonja. “E ndiej veten plotësisht të pafajshëm”-deklaroi në hetuesinë që zhvillohej në Tiranë, ndërsa hodhi poshtë gjithë dëshmitarët e paraqitur.
Gjykata e Lartë e kryesuar nga Sofokli Krongo, me pjesëmarrjen e prokurorit Skënder Breca, me vendimin nr.3, datë 9.5.1979, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 25 vjet heqje lirie dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet. U lirua më 12.4.1986 nga Reparti nr.302 Zejmen sipas dekretit nr.7029, datë 9.4.1986. Bënte pjesë ndër personat e sëmurë të këtij kampi.
Në foto: Burgu i Spaçit