
1948/Katër ekzekutime në Berat. Fjalët e fundit të të dënuarve.
-Kostaq Stefa: “Thojini gruas të ketë amanet fëmijët. T’i dërgojë në shkollë. I thoni se i kam borxh Telemak Nushit 450 napolona të vjetra, Vangjel Anastasiadhit 100 napolona të vjetra, Vangjel Gjergos 1150 napolona të vjetër, Vangjel Manushit 350 napolona të vjetër”.
-Hamit Myftiu: “Të më kihen kujdes fëmijët”.
-Tajfur Haznedari: “Lajmëroni vëllain tim Ymerin të kujdeset për fëmijët”.
-Baba Bedri Carkaj: “Nuk kam se çfarë të them. Asnjë amanet nuk kam. Të rrojë Shqipëria!”.
***
Në fund të vitit 1947 dhe në fillim të vitit 1948, në Berat, një trupë ushtarake e drejtuar nga kapiten I Bexhet Mema, me pjesëmarrjen e prokurorit kapiten II Aranit Çela, drejtoi tre procese kryesore, pas së cilave u vranë 4 veta. Në thelb të tyre pretendohej se ishin anëtarë të organizatave që lidheshin me “organizatën e deputetëve” apo me anglo-amerikanët. Në përfundim, të dënuarit me vdekje u ekzektuan së bashku. Vendimet e gjykatës (pjesa e dënimeve me vdekje):
1-Gjykata Ushtarake e Elbasanit, me veprim në Berat, me vendimin nr.554, datë 31.12.1947, dënoi me vdekje shtetasit:
Hamit Mehmet Myftiu, lindur më 1888 në Berat, arrestuar më 14.12.1946, me arsim të lartë, ish-deputet.
Tajfur Ramadan Haznedari, lindur më 1896 në Berat, arrestuar më 26.11.1946.
Akuzoheshin se kishin krijuar një organizatë në lidhje me anglo-amerikanët, si dhe si “degë e organizatës së deputetëve” që vepronte në Tiranë.
2-Gjykata Ushtarake e Elbasanit, me veprim në Berat, me vendimin nr.1, datë 5.1.1948, dënoi shumë të pandehur dhe me vdekje: Baba Bedri Habib Carkaj (mbiemrin ia shkruanin keq), lindur më 1915 në Gjerbës të Skraparit, me shërbim në teqenë e atjeshme. Të pandehurit e këtij procesi, u dënuan për pjesëmarrje në organizatat e Ballit Kombëtar dhe Bashkimit Shqiptar.
3-Gjykata Ushtarake e Elbasanit, me veprim në Berat, me vendimin nr.9, datë 10.1.1948, deklaroi fajtorë dhe i dënoi disa të pandehurit, ndër të cilët Kostaq Vangjel Stefën, lindur në vitin 1905 e banues në Berat, me profesion mësues, pat mbaruar Shkollën Teknike Amerikane në vitin 1926, arrestuar më 8.9.1947. Në proces iu vu etiketimi sikur ishte kryetar i komitetit qendror të “organizatës” për Beratin, ishte “paguar” rregullisht prej tyre, etj..
Ekzekutimi
Ekzekutimi me vdekje i Kostaq Stefës u bë më 2.3.1948, së bashku me të dënuarit e proceseve të tjera: Hamit Myftiu, Tajfur Haznedari, Baba Bedri Cakrani.
-Kostaq Stefa: “Thojini gruas të ketë amanet fëmijët. T’i dërgojë në shkollë. I thoni se i kam borxh Telemak Nushit 450 napolona të vjetra, Vangjel Anastasiadhit 100 napolona të vjetra, Vangjel Gjergos 1150 napolona të vjetër, Vangjel Manushit 350 napolona të vjetër”.
-Hamit Myftiu: “Të më kihen kujdes fëmijët.”
-Tajfur Haznedari: “Lajmëroni vëllain tim Ymerin të kujdeset për fëmijët.”
-Baba Bedri Carkaj: “Nuk kam se çfarë të them. Asnjë amanet nuk kam. Të rrojë Shqipëria!”