“E rrahën me dru stufe dhe po ta shihni me kujdes Sherifi Merdanin, ka tre fraktura në kockën e ballit, në tre anë të ndryshme. Këto shenja janë pikërisht prej kësaj rrahjeje për të cilën po ju tregoj. Pastaj e morën dhe e çuan në infermieri dhe nuk e kthyen më në birucë, por frakturat i mbetën. Aq e rëndë qe, sa Sherifi thoshte: ”Unë as kur të lirohem, nuk do t’i dëgjoj më ato këngë!”
Jo vetëm njerëzit, por edhe muzika ishte shpallur “armik i popullit”. Sepse muzika e huaj dhe në veçanti ajo italiane e Adriano Celentanos, që dëgjohej më shumë në diktaturë, ishte një formë e fshehtë rezistence për shumë shqiptarë, si një shpresë mes murëve të burgut të madh. 400 të burgosur politikë, mes të cilëve edhe Lekë Frroku, një njeri që vuajti 12 vjet në burgjet e diktaturës – u dënuan dhe u torturuan vetëm për një akt kaq të thjeshtë: dëgjimin e muzikës së ndaluar, këngët e Adriano Celentanos. Ata u persekutuan jo për krime të vërteta, por për një shije të thjeshtë muzike, që u bë simbol i lirisë së humbur për shumë të rinj në diktaturë.
“Unë rreth 6 vjet kam fjetur në një dhomë me Fatmir Lamen, Visar Zhitin, Sherif Merdanin, të cilin e bënim të këndonte njëzet herë në ditë, sepse e kisha edhe numërues vagonash në minierë. Po ju tregoj një ngjarje që lidhet me Sherifin: ne, sigurisht që na lejohej të shihnim vetëm kanalin e TVSH në televizion; nëse të kapte policia duke kërkuar kanale, të bënin namin. Një natë, në ora një të natës, duke e ditur që jam qejfli i muzikës italiane, erdhi Sherifi dhe më tha: ”Hajde se sonte në televizor ka Celentanon, Xhiani Morandin, Luçio Batistin, Katerina Kazelin, Mian, gjithë këngëtarët e Italisë që na pëlqejnë ne.” Shkova vetëm me Sherifin në dhomën e kulturës.
Qafë Bari ishte burgu më i rrezikshëm, duke filluar nga policia e keqe, që ishte policia e të burgosurve ordinerë. Sepse ordinerët rriheshin me njëri-tjetrin, vidhnin njëri-tjetrin. Kurse politikët, për tre vjet që kam ndejtur aty, nuk mbaj mend të kenë bërë ndonjë ngatërresë. Në Qafë Bari ishin të gjithë politikë, kurse në Spaç ishin të dyja palët, por të ndarë veçmas nga njëri-tjetri. Bile edhe ordinerët neve na thërrisnin “Armiqtë e popullit!”. Kur shkova në Spaç, të burgosurit politikë priteshin me britmat “Jua bëmë varrin!”, prej të burgosurve ordinerë.
Kur na zuri polici duke parë Celentano-n, Morandi-n e të tjerët, na futi në birucë. “Bëjmë grevë urie,” - i thashë Sherifit, sepse po të ishe në birucë e të kishe shpallur grevë urie, nuk të rrihnin, sepse komanda njoftonte me shkrim Ministrinë e Brendshme se “Filani dhe filani janë në grevë urie”. Pra, nuk na rrihte kush.
Sa erdhi polici për të sjellë ushqimin, unë i thashë: ”Jam në grevë urie!”. Por Sherifi nuk qe dakord; donte të hante. Unë u përpoqa edhe njëherë dhe i thashë: “Shpall more grevën, se të rrahin!” Ai nuk ndërroi mendje. Në rregull. Hëngri mëngjesin dhe hëpërhë nuk e prekën me dorë. Po kështu edhe drekën. Por në darkë erdhën dhe e rrahën me sa fuqi që kishin. E rrahën me dru stufe. Dhe po ta shihni me kujdes Sherifin sot, ka tre fraktura në kockën e ballit, në tre anë të ndryshme. Këto shenja janë pikërisht prej kësaj rrahjeje për të cilën po ju tregoj. Pastaj e morën dhe e çuan në infermieri dhe nuk e kthyen më në birucë, por frakturat i mbetën. Aq e rëndë qe, sa Sherifi thoshte: ”Unë as kur të lirohem, nuk do t’i dëgjoj më ato këngë!”, rrëfen Lekë Frroku.