1983/Burg për grisjen e fotografisë së Enver Hoxhës

0
273

Edhe dëmtimi i fotografive të Enver Hoxhës mund të dënohej me burgim. Gjykata e interpretonte sikur kishte të bënte me agjitacionin e propagandën, kur në fakt nuk kishte asnjë lidhje me të. Neni 55 “Agjitacioni e propaganda kundër shtetit” i Kodit Penal të vitit 1977, kishte këtë përmbajtje:

“Agjitacioni e propaganda fashiste, antidemokratike, fetare, luftënxitëse, antisocialiste, si edhe përgatitja, përhapja ose ruajtja për përhapje e literaturës me përmbajtje të tillë për të dobësuar ose minuar shtetin e diktaturës së proletariatit, dënohet:

-Me heqje të lirisë nga 3 gjer në 10 vjet.

-Po këto vepra, kur janë kryer në kohë lufte ose kanë shkaktuar pasoja veçanërisht të rënda, dënohen: me heqje të lirisë jo më pak se 10 vjet ose me vdekje”.

Pra, sikurse shihet nga kodi, askund nuk përmendet te neni 55, se përbënin agjitacion e propagandë, dëmtimi i fotografive. Megjithatë, gjatë kohës së komunizmit, gjen plot raste të natyrës kur janë dënuar njerëz duke u akuzuar në bazë të nenit 55.

Historia e mëposhtme i takon një 21-vjeçari, shtetasit Ramadan Abedin Liçi, i ditëlindjes 15.1.1962, me banim në fshatin Miras të Korçës. Më 20.6.1983 del nga shtëpia dhe drejtohet në shtëpinë e kulturës së fshatit. Thyen me grushte dy xhamat e hyrjes kryesore e drejtohet te këndi propagandistik i emulacionit, duke dëmtuar fotografi që lidheshin me Enver Hoxhën.

U arrestua më 20.6.1983. Ndalimi u bë nga hetuesi Ligor Kondili. U akuzua në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal, por për ta rënduar i shtuan edhe nenin 93/1 në lidhje me nenin 31/a të Kodit Penal. Gjykimi u bë publik për të frikësuar të tjerët.

Gjykata e Rrethit Korçë, e vendosur në Bilisht, e drejtuar nga Kiço Treska, me pjesëmarrjen e prokurorit Petrika Gambeta, me vendimin nr.72, date 19.4.1984, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 3 vjet heqje lirie.

Gjykata e cilësonte se personi “Nuk ka qenë aspak i lidhur me punën, duke u endur në të shumtën e kohës nëpër rrugët e fshatit, duke patur pretendime, se desh punë në sektorin shtetëror dhe jo atë kooperativist edhe mbasi i është dhënë ka shfaqur pakënaqësi”.

U lirua më 13.1.1986 nga Reparti nr.303 Spaç me dekretin nr.7015, datë 6.1.1986 të Presidiumit të Kuvendit Popullor.

S'KA KOMENTE