1984/I vrari në revoltën e Qafë-Barit

0
655

Sandër Sokoli, ish-oficer, ishte personi që humbi jetën nga dhuna e përdorur kundër të burgosurve në revoltën e Qafë-Barit më 22 maj 1984.

Ndjekja nga Sigurimi

Me shkresën nr.186, datë 30.11.1978, Dega e Sigurimit të Repartit nr.5344 Tiranë i dërgoi Drejtorisë së Hetuesisë dosjen formulare në ngarkim të oficerit Sandër Zog Sokoli, dosje e cila ishte studiuar edhe nga Dega e Hetuesisë e Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë.

Me shkresën nr.32, datë 13.1.1979, nënshkruar nga nënkryetari Kapllan Sako, Drejtoria e Hetuesisë në MPB, i ktheu Repartit Ushtarak nr.5344, dosjen formulare nr.5942 me 88 fletë në ngarkim të oficerit Sandër Sokoli, i marrë në përpunim për agjitacion e propagandë. Vlerësoheshin të dobëta provat ligjore, pra kallëzimet e qytetarëve  Banush Dosti, Rustem Haxhia dhe Gjelosh Ndoka, pasi nuk kishin karakterin e veprimtarisë armiqësore kundër pushtetit. Ndërsa kallëzimi i Prel Kusurit kishte “vetëm një aspekt”. Po ashtu vlerësohej se procesverbalet e kallëzimit, nuk ishin në përputhje me urdhrin e ministrit të Punëve të Brendshme, nr.01-639, datë 8.9.1971, në të cilin thuhej se kallëzimi merrej vetëm nga hetuesi dhe në mungesë të tij nga shefi ose zëvendëskryetari i Degës. Procedura e kalimit të dosjes në repart, kur duhej t’i dërgohej Degës së Sigurimit atje, u vlerësua gabim dhe oficeri i drejtimit Llambi Gegeni pranoi fajin e shkeljes së rregullave të sekretit.

Biografia e Sandër Sokolit u bë më 5.2.1979 nga Dega e Sigurimit të repartit kur ishte efektiv.

Ai kishte studiuar në Bashkimin Sovjetik në vitet 1952-1956. Më pas ishte emëruar në disa detyra si punonjës në Institutin e Studimeve Shkencore pranë Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, drejtor i Uzinës së Mjekësit në Elbasan, etj. Dajo i tij ishte Sadik Bekteshi. Ishte marrë në përpunim aktiv më 15.11.1977 për agjitacion e propagandë “si lidhje e Sadik Bekteshit”. “Graniti” kishte raportuar se Sokoli ishte shprehur kundër fortifikimit të vendit, qendrat e zjarrit, etj. “Ekrani” për shprehjet e tij për dobësi në punë, etj. Ishte vënë edhe në teknikë operative përgjimi.

Me shkresën nr.73, datë 5.3.1979, Dega e Sigurimit të Repartit nr.5344 Tiranë, me nënshkrimin e kryetarit Sefer Mbroçi, i dërgonte sërish Drejtorisë së Hetuesisë dosjen formularë në ngarkim të Sandër Sokolit. Nga analiza që ishte bërë me Degën e Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë, ishte arritur në përfundimin se duhej goditur.

Me shkresën nr.32/2, datë 14.3.1979, nënshkruar nga nënkryetari Kapllan Sako, Drejtoria e Hetuesisë në MPB, i dërgoi Degës s Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë, dosjen formulare, tashme me 115 fletë, certifikatën familjare, procesverbalet e kallëzimeve dhe vendimi i arrestit nënshkruar nga prokurori i përgjithshëm.

Porositej: “Me këtë objekt të punohet intensivisht në hetuesi, pasi është lidhje e ngushtë (nip i armikut Sadik Bekteshi) dhe ka folur armiqësisht kundër udhëheqjes të shtetit tonë.

Arrestimi dhe dënimi

Vendimi për arrestim në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal iu komunikua më 14.3.1979, i nënshkruar nga Isa Halili dhe miratuar nga prokurori i përgjithshëm. Sokoli refuzoi ta nënshkruajë. Në gjyq u dërgua së bashku me shtetasin Sabri Mahmuda, edhe ky ish-oficer, por i arrestuar më 30.9.1979.

Të dy u akuzuan në bazë të nenit 55/1, në kombinim me nenin 13 dhe 106 dhe 224 të Kodit Penal. Ndryshe nga akuza fillestare e agjitacionit e propagandës, iu shtuan edhe akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe armëmbajtjes pa leje. Sokoli akuzohej se në vitet 1969-1979 posedonte pa leje armën pistoletë “Valter”.

Procesi gjyqësor u zhvillua në komandën e Repartit nr.5344 Tiranë, para kuadrove të zgjedhur të tij. Gjykimi ngjante si një mbledhje ushtrie. Të dy të pandehurit gjykata i cilësonte “karrieristë e mendjemëdhenj”. Midis të tjerash, në vendim thuhet: “Veprat penale të kryera nga të pandehurit paraqesin rrezikshmëri shoqërore të theksuar. Ato drejtohen kundër rendit tonë shtetëror e shoqëror, kundër diktaturës së proletariatit, me funksion që ta dobësojë atë. Këto vepra drejtohen edhe kundër sigurimit shoqëror dhe veprimtarisë së rregullt të organeve shtetërore...I pandehuri Sandër Sokoli shprehte simpati ndaj dajës së tij, armikun Sadik Bekteshi, për të cilin pretendonte dhe propagandonte se e kanë dënuar padrejtësisht”.

Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Rrethit Tiranë, i drejtuar nga Agim Ibrahimi, me pjesëmarrjen e prokurorit Sali Hoxha, me vendimin nr.90, datë 1.9.1979, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 12 vjet heqje lirie, heqjen e dekoratës, konfiskimin e pistoletës. Sabriu u dënua me 8 vjet. Dokumentet sekrete iu dërguan Arkivit të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore. U la në fuqi me vendimin nr.98, datë 27.9.1979 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë.

Por kjo çështje nuk u ndal këtu. Ajo u rigjykua nga Plenumi i Gjykatës së Lartë, për shkak se i dënuari Sabri u akuzua “edhe për moskallëzim krimi”. Me vendimin nr.6, datë 16.1.1984, Sabri Mahmuda u dënua me 3 vjet heqje lirie. Dënimi për Sandër Sokolin, nuk ndryshoi.

Vdekja në Qafë-Bari

Sandër Sokoli humbi jetën në revoltën e Qafë-Barit, i rrahur egërsisht nga forcat e regjimit, të cilët shtypën këtë kundërveprim të të burgosurve. Duke qenë se të gjitha i kishin në dorë, ata përpiluan një relacion sikur vdekja e tij kishte qenë rastësore, nga shëndeti i keqësuar. Akti mjeko-ligjor u përpilua më 25.4.1984, por që data ishte vënë 4.6.1984, me kujdesin se “nuk konstatohen shenja të ushtrimit të dhunës”.

S'KA KOMENTE