Tortura e korrentit elektrik në veshë

0
2069

Një ndër torturat më të përhapura gjatë diktaturës komuniste ka qenë ajo e korrentit elektrik. Mënyra e përdorimit të saj ka qenë sa e larmishme aq edhe e panjohur. Ata që e kanë provuar kanë lënë shumë pak dëshmi për këtë lloj torturimi.

Stefan Llukan Caro, 32 vjeç, lindur në Përmet dhe banues në Zherë, i arsimuar për shkenca ekonomike, ish punonjës i UNRRA-s, u arrestua më 28.10.1946. Gjatë gjithë procesit deklaroi se nuk e pranonte akuzën. Ai është pyetur nga drejtori i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, kolonel Nesti Kerenxhi; kapiten Thoma  Karamelo; major Myftar Tare; kapiten Muço Saliu. Është torturuar kaq shumë, duke përdorur edhe korrentin elektrik, sa e çuan në spital, por prej andej e tërhoqën me forcë dhe e çuan në birucë. Se si është zhvilluar hetuesia e këtij procesi, mjafton të shohim një letër të datës 5.5.1947 të tij. Midis të tjerash, në letër shkruan:

“Filloi kolonel Nesti duke më rrahur në turinj në prani të tyre. Në atë minutë, në praninë e tyre, major Myftar Tare më bie me shpulla turinjve sa më buçiti gjaku. U revoltova, por në minutë u ngrita në këmbë me duar të lidhura. I thashë se një luftëtar pushkatohet nëse ka tradhtuar, por nuk rrihet. Kolonel Nesti si bishë më thotë: ‘të ra namuzi?’. Nuk më lanë të merrja frymë se ja filloi kolonel Muço me grushte e shkelma. Pastaj më vunë fijet e korrentit në të dy veshët dhe më thoshin të numëroja deri në 33. Me korrent në veshë më plasi gjaku nga goja dhe veshët.

Më thanë se kisha 3 rrugë: “O të tregoja (domethënë të gënjeja), o të çmendesha o të vdisja”. U thashë se më mirë pëlqeja vdekjen se sa të marr të pafajshëm në qafë. Ata të egërsuar vazhduan torturat te thonjtë e mi, duke m’i nxjerrë. Më thanë se më kishin mësuar të qëndroja heroikisht...Vazhduan torturat e tmerrshme, nga më çnjerëzoret. Më paraqitej Muçua duke më thënë: ‘A e njeh xhebrail eminin?! Jam unë vetë’. Kur lodhej ky, fillonte Thoma  Karamelo dhe Eriko Bimli, duke më treguar tri rrugët si më sipër... Më çuan në spital, por më rrëmbyen kapiten Muçua me Niko Paskalin, me gjithë kundërshtitë e mjekëve. Më futën prapë në ish komandën e qarkut (shtëpia e Qorraliut në kryqëzimin e rrugës së Dibrës me atë të “Barrikadave”, te pallatet 9 katëshe-shënim) me qëllim që të vdisja. Muçua më thoshte: Caro, kur të vdesësh më lajmëro”./kujto.al

 

S'KA KOMENTE