
“…deri natën vonë, nuk pushuan rënkimet e tij… e dëgjonim mirë se ishte afër kapanonit tonë….më në fund, nuk u dëgjua më... e gjetëm të vdekur në shtyllë. Kishte ngrirë i gjithi nga të ftohtit, me urdhër të toger Ademit. Vonë, në vitin 1998, e takova rastësisht toger Ademin në Tiranë. Filloi të justifikohej se gjoja ashtu ishte sistemi, ashtu ishte koha…”
Quhej Pal, ishte 17 vjeç, ende i parritur, i verdhë e shëndetlig. Çdo ditë, hynte e dilte në galeritë e minierës, në ato shpate të thepisura në Spaç. Në vitin 1968, ishte dënuar me burg politik, për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Ishte në burgun e sigurisë së lartë në Spaç, ku ngujoheshin për të vuajtur si skllevër, burra e djem të familjeve kundërshtare të regjimit komunist. Në kampin e Spaçit, të burgosurit punonin në minierë, ku nxirrnin bakër e pirit. Si gjithë të tjerët, edhe Palit i duhej çdo ditë të realizonte normën e caktuar. Por një ditë u sëmur rëndë dhe e kishte të pamundur të realizonte normën. Ky ishte çasti kur u përball me toger Ademin.
Ditën e fundit të 17-vjeçarit nga Mirdita, por edhe takimin me vrasësin e tij pas shumë vitesh, e ka rrëfyer Reshat Kripa, në librin “Zërat e kujtesës”.
Rrëfim për ditën e fundit
“Aty pamë një djalë nga Mirdita, që nuk ishte më shumë se 17 vjeç, i cili po dridhej se ishte sëmurë. Pal quhej. Erdhi toger Ademi dhe iu drejtua me barbarizëm: “Pse nuk e realizove normën?” “Isha sëmurë, zoti toger!” iu përgjigj Pali. Ai e kapi zvarrë, e hoqi që aty, e futi në një vend izolimi, e urdhëroi që mos t’i çohej fare as ushqim. Një shoku i tij mori atë racionin e ushqimit, gjeti një rast dhe vajti e ia çoi Palit në birucë. Kur po hante, erdhi toger Ademi dhe e zuri me bukë në dorë. E pyeti se kush ia kishte dhënë dhe Pali nuk tregoi. Atëherë ai urdhëroi që ta lidhnin në një shtyllë telefoni. Që nga ai çast e deri natën vonë, nuk pushuan rënkimet e tij. Ne e dëgjonim mirë se ishte afër kapanonit tonë. Më në fund, nuk u dëgjua më. Kur u ngritëm në mëngjes, e gjetëm të vdekur në shtyllë. Kishte ngrirë i gjithi nga të ftohtit, me urdhër të toger Ademit. Vonë, në vitin 1998 e takova rastësisht toger Ademin në Tiranë. Filloi të justifikohej se gjoja ashtu ishte sistemi, ashtu ishte koha dhe nuk ishte faji i tij. Mua m’u ngritën nervat, sepse më dilnin parasysh pikërisht këto skena. Kur erdha në vete nga tronditja, toger Ademi ishte zhdukur, kishte ikur. Dhe në kohën kur unë e takova, ky njeri, për çudi, punonte akoma në Ministri të Brendshme, si drejtor Drejtorie”.
Citimet janë marrë nga “Zërat e kujtesës”, botim i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, ISKK, me autorë Agron Tufën dhe Luljeta Lleshanakun