U shua sot më 28 janar 2022, në moshën 89 vjeçare, dom Gjergj Simoni. Kleriku shkodran ishte një nga të mbijetuarit e diktaturës, gjatë së cilës vuajti burgosjen dhe përndjekjen e vazhdueshme. Famullia e Dajçit, ku dom Simoni ka shërbyer për 17 vjet, përcolli lajmin e ndarjes së tij nga jeta. “Sot me datë 28 janar 2022, kaloi n’Amshim, Dom Gjergj Simoni, nji ndër dëshmitartë dhe bashkëvujtës me Martirt tanë gjatë kohës së komunizmit. Dom Gjergji ka sherby per 17 vjet ne famulline e Dajçit. Ka pas kohet ma te veshtira, te hapjes se Kishave. Kontributi i tij mbetet i pashlyer ne mendjet e besimtareve dhe ne veprat qe ka lane ne rimbekembjen e jetes shpirterore!”, shkruhet në faqen e famullisë Dajç B/Bunës.
Kush ishte Dom Gjergj Simoni
Gjergj Simoni u lind në 8 dhjetor të vitit 1933 në qytetin e Shkodrës në një familje me origjinë qytetare, ku të parët e tyre janë vendosur aty tek “Arra e Madhe” që prej 400 vjetësh. Gjyshi i Gjergjit, Moni Simon, ka qenë njëri ndër tregtarët më të mëdhenj të pazarit të Shkodrës (Bezistanit) dhe pasurinë e tij ai e kishte vënë nga tregtia që bënte asokohe me Italinë. Po kështu edhe babai i Gjergjit, Kolë Simoni, trashëgoi zanatin e të atit duke u marrë me tregti, por jo pasurinë që kishtë pasur ai, pasi atyre u falimentoi tregtia dhe familja ra në varfëri të plotë.
Kështu në atë gjendje të mjerueshme ekonomike, Kol Simoni dhe bashkëshortja e tij, Gjyste Hugashi, i lindën dhe i rritën tre fëmijët e tyre, Zefin, Gjergjin dhe vajzën e vetme, Çiljetën.
Lidhur me këtë, Gjergj Simoni kujton: “Duke kene se të dy prindrit tanë ishin besimtarë të devotshëm të fesë sonë katolike, si vëllaun tem, Zefin, ashtu dhe mue, na patën çue për me mësue në Kolegjin e Fretënve, ku ne na pat marrë nën kujdestari, Dom Mark Harapi, vëllau i Padër Anton Harapit.
Por pas ardhjes së komunistëve në pushtet, si unë ashtu dhe vëllau Zefi, u detyruem me u fut në punë të ndryshme për me mbajtë familjen e varfër dhe nuk mundëm që të vazhdojshim rregullisht studimet Teologjike, pasi ajo gja k’je ndalue prej pushtetit komunist.
Por t’uj kenë të brymosun e të devotshëm për fenë katolike, si im vella, Zefi, ashtu dhe unë, morëm fshehtas mësimet fetare nga Dom Mark Harapi e Padër Aleks Baqli.
Por vetëm im vëlla, Zefi, në vitin 1961 mundi me u shugurue mshehtas si meshtar nga Arqipeshkvia e Shkodrës, por pa e ushtrue dot atë gja legalisht. Kështu që ai u detyrue për me mbarue edhe Institutin e Lartë për Gjuhë-Letërsi dhe disa kohë pat punue edhe si mësues në gjimnazet e qytetit të Shkodrës.
Ndërsa unë për vite me radhë deri ditën që kjeshë arrestue, pata punue në punë të ndryshme si punëtor dhe në Hidrocentralin e Vaut të Dejës”, kujton Dom Gjergj Simoni, lidhur me të kaluarën e familjes dhe peripecitë e tij e të vëllait, për të marrë fshëhtas mësimet fetare nga Dom Mark Harapi e Padër Aleks Baqli.
Gjergji me të vëllanë, me lejën e arqipeshkvit fshehën gjatë viteve 1946-1950 disa objekte të Arqipeshkvisë, për t'i shpëtuar nga shkatërrimi komunist, por vite më vonë kur feja u shpall e paligjshme, gjatë një kontrolli në shtëpinë e tyre, këto sende u gjetën. Në fillim u arrestua Zefi dhe pas pesë javësh, vëllai i tij, Gjergji. Ishte 27 shtator 1976 kur Gjergj Simonit i vunë prangat dhe kur nisi udhëtimi i tij torturues në galerat e diktaturës. Vuajti në burgun e Ballshit, të Spaçit, Qafë-Barit...
Megjithatë dashuria e tij për Zotin dhe dëshira për t'i shërbyer Atij nuk u shua. Gjergj Simoni u bë prift më 30 prill 1991 dhe që nga ajo ditë iu kushtua plotësisht meshtarisë.
Sipas njoftimit të famullisë, kleriku do të përcillet për në banesën e fundit të shtunën më 29 janar me një Meshë të Shenjtë në orën 11.00 të mbajtur në Katedralen e Shkodrës.