I dëbuar nga serbët, i internuar nga fashistët dhe i dënuar me 27 vjet burg nga diktatura komuniste. Djali i birësuar i Rose Wilder Lane
Ishin vitet '80 kur në një prej ndërmarrjeve në Shkodër kishte mbërritur një ekip nga ministria në Tiranë. Kishte për qëllim të konstatonte nivelin arsimor të punonjësve. Siç ishte mënyra e inspektimit tipike e diktaturës, dikush nga ekipi hyri nëpër punonjës duke pyetur se si ishte niveli arsimor, kishin bërë shkollë punëtorët e ndërmarrjes... Me humorin që e karakterizon një shkodran, njëri prej tyre i përgjigjet kështu inspektorit të ministrisë: “po ca thu mor zot… na e kena rojen me diplomë të Kembrixhit… imagjino ca bahet atje nalt te zyrat e drejtorisë….”. Kishte diçka më shumë se sa humor në përgjigjen e punëtorit drejtuar inspektorit të ministrisë. Sepse roja e ndërmarrjes ishte me të vërtetë një njeri i diplomuar me medalje të artë në universitetine Kembrixhit. Ishte Rexhë Meta, djali nga Vuthajt e Plavës e Guxisë, djali i birësuar Rosë Wilder Lane, shkrimtarja e famshme amerikane që ka shkruar “Majat e Shalës”. Jeta e Rexhë Metës është rrëfyer nga bashkëshortja e tij, Përtefe Leka, në librin e autores Fatbardha Saraçi, me titull: “Saga e dhimbjes”.
***
Kishte çaste kur dukej se fati i ndriçonte, kur dukej se midis errësirës ku e kishte përplasë fati, një shkëndijë shprese do t’i ndriçonte të ardhmen... pati çaste kur në rrugën e tij, gjeti njerëz që e deshën, por fatit tragjik nuk do të mund t’i shpëtonte kurrsesi.
E tillë është jeta e Rexhë Metës, djali i talentuar vuthjan që mbeti jetim pa nënë, pa babë, por në rrugën e tij ndeshi amerikanen e shquar Rose Wilder Lane, e cila do të bëhej nëna e tij. Është shqiptari i parë që jetoi madhështinë e studentit të shkëlqyer në një prej universiteteve më të famshme në botë, e atje, la gjurmën e tij përjetë, duke u përshirë në librin e artë të Kembrixhit. Rexhë Meta është njeriu që do të provonte kampet fashiste të përqendrimit dhe në fund, ato më të tmerrshmet, burgjet komuniste për 27 vjet. Rexhë Meta është njeriu që vuajti ashpër tri diktaturat e tmerrshme të shekullit që shkoi, gjenocidin serb, kampet e përqëndrimit fashist dhe burgjet komuniste.
Në kohën kur Rexha po përfundonte studimet në Kembrixh, nëna e tij që e kishte birësuar, Roze Wilder Lane, vendosi të jetojë në Shqipëri përfundimisht. Rozë ndërtoi në Tiranë dy shtëpi, një për vete dhe një për Rexhën dhe familjen e tij, kohë kur Rexha po ndërtonte familje, pasi ishte martuar me Përtefe Lekën. Pas martesës, Rexha dhe Përtefja lindën vajzën e parë, e cila u pagëzua me emrin Bora Rose dhe emri u vendos nga prindërit e saj, me qëllim që të kujtonte gjithmonë gjyshen amerikane.
Internimi në kampin e përqëndrimit në Itali
Pikërisht në vitet 1939, kur Rexha ishte sistemuar me familjen dhe bashkë me të, ishte edhe e ëma Rozë Wilder Lane, Rexha internohet në Itali si antifashist.
Në vitin 1940, internohet në kampet e përqëndrimit në Itali bashkë me familjen, ku qëndroi deri në kapitullimin e Italisë, 1943. Sapo ishte kthyer në Shqipëri, Rexha angazhohet në Mbledhjen Themeluese të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, si delegat i Maleve të Kosovës, siç quhej Plava e Gucia. Ai u angazhua në hartimin e Statutit dhe të Programit të kësaj organizate.
27 vitet në burgjet komuniste
Këtu nis kalvari i gjatë i vuajtjeve të Rexhë Metës, i cili nuk mund të shpëtohej më nga e ëma e tij Rosë Wilder Lane. Rexhë Meta ishte në listën e atyre personaliteteve që regjimi komunist i kishte piketuar për t’i zhdukur. Rexha shquhej në atë kohë, si intelektual dhe patriot i zëshëm për bashkimin e tokave shqiptare. Kjo është edhe një ndër arsyet pse ishte piketuar për t'u asgjësuar, edhe për shkak të ndërhyrjes së serbëve, që e donin atë të vdekur. Rexha u arrestua në fillim të vitit 1945 dhe u dënua me vdekje. Menjëherë pas vendimit të komunistëve, për ta shpallur armik të popullit dhe për ta asgjësuar, e ëma Rose Wilder Lane u angazhua me urgjencë dhe me ndërhyrjen e autoriteteve angleze dhe amerikane, ia doli t’i shpëtojë jetën Rexhës. Regjimi pranoi të heqë dënimin me vdekje dhe vendosi dënimin me 27 vjet burg.
Përtefe Leka, ishte bashkëshortja e Rexhës, me të cilën Rosë po mbante kontaktet në mënyrë të fshehtë. Gjatë kësaj kohe, Përtefe Lekës i kishin pushkatuar si antikomunist, të vëllanë, Bardhosh Danin. Këto informacione që Rosës i vinin nga Përtefja, e tmerruan shkrimtaren amerikane dhe për këtë arsye, ajo kërkoi ndihmën e miqve të saj të Kryqit të Kuq Evropian, që të mund të shpëtonin Rexhën dhe familjen e tij. Përpjekjet e Rose dhe miqve të saj nuk e mundësuan lirimin e Rexhës, i cili kreu 27 vjet në burgjet komuniste.
Në vitin 1968, kur Rose ishte e sëmurë dhe e kishte kuptuar se ishte në ditët e fundit të jetës, një ndër amanetet që ajo i la birit të saj të dyë të adoptuar në SHBA, Roger Mac Bride, ishte porosia që ai të mos i ndalte kurrë përpjekjet për t'u lidhur me vëllanë e tij në Shqipëri, Rexhë Meta.
Rose Wilder Lane ndërroi jetë në vitin 1968. Ndërkohë, Rexha vazhdonte dënimin në burgjet komuniste. Pasi i përfundoi vitet e burgut, Rexha u kthye pranë familjes. Punoi për
Në vitin 1991, i biri i dytë i birësuar i Rose Wilder Lane, Roger Mac Bride, mundi të lidhej me vajzën e Rexhë Metës, Bora Rose. Ajo kishte shkuar në Itali si refugjate në vitin 1991, atje ku e gjeti Roger dhe e mori me vete bashkë me familjen e saj, duke e vendosur në Florida, atje ku jeton edhe sot.
Rrëfimet janë marrë nga libri “Saga e dhimbjes” me autore Fatbardha Saraçin, botim i ISKK 2018. Historia e Rexhës është mbështetur në letrën dëshmi, që bashkëshortja e Rexhë Metës, Përtefe Leka, i ka dhënë autores së librit.