"Si e shtypëm revoltën e Spaçit", informacioni sekret për Komitetin Qendror

0
412

Ja çfarë raportohej në Komitetin Qendror të PPSH-së, ditën që regjimi e shtypi revoltën e Spaçit me forcën e armëve dhe një javë më vonë për gjendjen në kamp. Dokumentet e plota...

Dokumentet që sjellim zbulojnë ankthin e regjimit, ndërsa në Komitetin Qendror në ditët që pasuan këtë ngjarje të rëndë analizohej me kujdes çdo detaj e informacion që mbërrinte, deri tek reagimet e popullit.

Sipas dokumenteve të kohës, ngjarja kishte nisur në mëngjes, herët (ora 5:00)  kur n/oficeri Mark Tuci, kishte shkuar për t’i hequr batanijet të dënuarve në dhomat e izolimit sipas rregullores. Ndërmjet të dënuarve që ishin ndëshkuar, ishte edhe Pal Gjergj Zefi nga Rrushkulli i Durrësit, i dënuar me 10 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë, i cili ishte ndëshkuar nga komanda me një muaj vuajtje dënimi në dhomat e izolimit për arsye se kishte shkelur rëndë rregullat e vendosura në repart.

Në kohën që n/oficeri kishte çelur derën për t’i hequr batanijet, ai kishte ikur dhe ishte bashkuar me turmën e të dënuarve që ishin në oborr. Ai kishte marrë një shufër dhe duke refuzuar të kthehej në dhomën e izolimit kishte kërcënuar se do të qëllonte me të këdo që do t’i afrohej.  Pas shumë tentativash për ta kthyer në dhomën e izolimit, pasi ishin munduar ta merrnin me forcë, ai kishte qëlluar një të dënuar që tentoi t’i ndihmonte policët e burgut, të cilët kishin arritur ta arrestonin. Por në atë çast, për ta mbrojtur ishin ngritur një grup të dënuarish të tjerë.

Me gjithë përpjekjet për të vendosur rregull, deri në orën 15:30 gjendja ishte e nderë. Pas ardhjes së përforcimeve, vetëm në orën 17:00 ishte arrestuar i dënuari Pal Zefi, edhe pas kundërshtimeve të të dënuarve të tjerë. Më vonë në kamp ishin bërë edhe 5 arrestime të tjera, por kjo shkaktoi një revoltë të re.

Të dënuarit të revoltuar kishin tentuar të kapnin dhe të mbanin peng brenda në kamp hetuesin dhe prokurorin që ishin në infermieri të të dënuarve dhe pasi ata i kishin nxjerrë nga një rrugë tjetër, të dënuarit kishin shpërthyer me thirrje kundër regjimit: “Ja vdekje ja liri”, “Ne nuk punojmë”, “Ju jeni katila” etj.  Deri mbrëmje vonë situata kishte agravuar më tej. Të dënuarit kishin shpërthyer dhomat i izolimit dhe thirrjet ishin ashpërsuar.

Dokumentet ku raportohet kjo ngjarje dëshmojnë se në këto moment revolte të dënuarit  thërrisnin:

“Rroftë Shqipëria e Lirë”, “Ja vdekje ja liri”, “Ne nuk punojmë as sot as mot”, “Ju jeni katila dhe kini lyer duart me gjakun tonë”, “Ushtria është me ne”, “Populli është me ne dhe kundër jush”, “Shokë ushtarë dorëzoni armët”, “Ju do të vini këtu se ju është ngushtuar rrethi”, “Do t’ju djegim si Stalinin”, “Mos u gënjeni se kurrë në botë nuk do të fitojë komunizmi”, “Poshtë komunistët”, “Rroftë Europa e lirë”. etj.

Gjendja vijoi e tillë deri në orët e mëngjesit të datës 22 maj, kur në kamp kishte mbërritur zv. Ministri  i Punëve të Brendshme Feçor Shehu për të vendosur rregull dhe zbatuar rregulloren e brendshme. Por demonstruesit ishin kundërpërgjigjur me një listë kërkesash: Të mos dënohet asnjë fajtor, të mos punojmë asnjëherë në minierë por të na kaloni në ndërtim, të bëhen amnisti sepse që kur u prishët me B.S. nuk kini bërë, të shikohet çështja e jonë për të na liruar sepse jemi pa faj.

Pas shumë kundërshtimesh, dhe duke parë se të dënuarit nuk tërhiqeshin, regjimi përforcoi masat e sigurisë në Spaç.

“Si rezultat i masave të marra dhe i ardhjes së reparteve të policisë dhe të ushtrisë nga Tirana, që shkaktuan një presion psikologjik tek të dënuarit ata përfundimisht në orën 9.00 të datës 23.5.1973 pranuan kushtet e vëna nga organet tona dhe në këtë mënyrë revolta u mposht dhe të gjithë të dënuarit u lidhën e u vunë nën kontrollin tonë. Nuk pranuan të dënuarit Dashnor Kazazi, Skender Daja, Jorgji Pepa e Dervish Bejko që me hekura e dërrasa në duar hypën mbi tarracë dhe fillimisht nuk iu nënshtruan thirrjes duke bërtitur dhe ofenduar organet që kryejnë veprimet e përmendura. Organet e policisë duke vepruar me forcë dhe me të njëjtat mjete iu kundërvunë atyre dhe forcërisht i lidhën dhe i mposhtën”.

Kështu e përshkruan fundin e revoltës një nga raportet e hartuara nga Spaçi menjëherë pas ngjarjes.

Dy dokumentet që sjellim  sot mbi këtë ngjarje dëshmojnë gadishmërinë e gjithë kupolës së regjimit pas kësaj ngjarje të paprecedentë, duke u marrë deri me detajet më të imëta për të mos lejuar të ndodhe një rast i dytë si ai.  Të dy dokumente janë informacione nga Spaçi të mbledhura gjatë ditëve pas revoltës dhe të dy raportet dërgohen në komitetin Qendror të PPSH. Informacioni i parë është i datës 24 maj 1973, pra vetëm një ditë pas revoltës dhe informacioni i dytë  me 30 maj 1973. Dokumentet pajisen edhe me shënime që janë vendosur në zyrat e Komitetit Qendror dhe i sjellim të zbardhura të plota bashkë me faksimilet.

Informacion një ditë pas ngjarjes

 PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË

KOMITETI I PARTISË I RRETHIT

MIRDITË

Nr. Extra

Rrëshen, më 24.05.1973

Lënda:

Informacion paraprak mbi shtypjen e revoltës kundërrevolucionare të të dënuarve në kampin e Spaçit.

 

KOMITETIT QENDROR TË PPSH

(Sh. Qemal Myrseli)

TIRANË

Siç jeni në dijeni, në datën 21 maj 1973 nga të dënuarit politikë në kampin e riedukimit Spaç u zhvillua një revoltë kundërrevolucionare e cila u shtyp në datën 23.05.1973 dhe në datën 24 gjendja u normalizua, të dënuarit filluan punën në prodhim.

Komiteti i Partisë me anën e shokëve Jovan Bardhi sekretar i parë dhe Preng Pepa kryetar i Komitetit Ekzekutiv ndoqën në vend gjatë gjithë kohës punën dhe mori masa së bashku me kuadrot të ngarkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të kryesuar nga shoku Feçor Shehu zëvendësministër i Punëve të Brendshme për shtypjen e revoltës.

Ngjarja nisi në orën 5 të mëngjesit të datës 21 maj 1973. Si pretekst u shfrytëzua thyerja e rregullave të kampit nga një i dënuar (Pal Gjergj  Zefi) i cili u largua nga biruca pa kryer dënimin dhe pa urdhër të komandës. Gjatë tentativës së efektivit për ta kthyer në birucë shpërtheu veprimi i 16 të dënuarve të tjerë në mbrojtje të të dënuarit Pal Zefi dhe kundër oficerit e nënoficerëve të shërbimit deri në goditje. Historikun nga ana kronologjike nuk po e zhvillojmë pasi jeni të informuar.

Ngjarjet që rrodhën treguan se kishim të bënim me revoltë kundërrevolucionare me karakter thellësisht politik dhe jo për çështje të thjeshta të rregullit të punës e të jetesës. Ata filluan të veprojnë në masë të gjithë, duke përdorur parulla reaksionare “Ja vdekje ja liri”, “Rroftë Shqipëria e lirë”, “Ju jeni katilë, keni lyer duart me gjakun tonë”, “Rroftë Evropa e lirë”, “Poshtë komunistët”, “Do t’ju djegim si Stalinin”, “Populli është me ne dhe është kundër jush”.

U bënë thirrje ushtarëve të dorëzonin armët. Ngritën një flamur të përgatitur dhe të vizatuar prej tyre. Zhvilluan mbledhjet e përfaqësuesve sipas krahinave. Përpunuan platformën për të koordinuar veprimet në vazhdim të revoltës. Nxorën kërkesa për lëshime, të lirohen nga burgu si të pafajshëm, të mos punojnë asnjëherë nën tokë, të mos dënohet më asnjë njeri. Grisën dhe dogjën këndin e emulacionit, shkruan parulla me përmbajtje kundërrevolucionare.

Pra kishim të bënim me revoltë të organizuar thellësisht politike kundërrevolucionare.

Kjo situatë vazhdoi deri në datën 23 maj 1973 në mëngjes, kohë në të cilën masat tona që u morën gjatë datave 21 dhe 22 maj 1973 u vunë plotësisht në veprim dhe shpartalluan e likuiduan plotësisht revoltën.

Gjatë veprimeve gjendja morale dhe mobilizimi i efektivit i ngarkuar për sigurimin e kampit si edhe të efektivëve të tjerë që erdhën me urdhër nga lart qe mjaft i mirë, vepruan energjikisht, përballuan lodhjen, pagjumësinë etj., dhe kryen me sukses detyrën.

Pas shtypjes së revoltës byroja e Komitetit të Partisë të rrethit veç informimit gjatë zhvillimit të ngjarjeve, në datën 24 maj 1973 u mblodh posaçërisht dhe u informua në mënyrë më të plotë dhe po ndjek analizat në organizatat e partisë dhe në organet e punëve të brendshme, në Degë dhe në Repartit 303 për të nxjerrë shkaqet që lejuan të zhvillohet kjo revoltë, përgjegjësinë kolektive dhe personale për gjendjen e krijuar si edhe mësimet që do të nxirren nga kjo gjendje e rëndë dhe masat për përmirësimin e saj.

Pas këtyre analizave, byroja e Komitetit të Partisë do të ndalet në mënyrë të veçantë për t’u kërkuar llogari shkaktarëve, për të përcaktuar përgjegjësit e organizatave bazë të partisë të Degës së Punëve të Brendshme e Repartit 303 si dhe përgjegjësinë e sekretariatit dhe të vetë byrosë. Për këto do t’i raportojmë hollësisht Komitetit Qendror të Partisë. Gjatë këtyre ditëve do t’ju mbajmë vazhdimisht në dijeni mbi gjendjen atje dhe mbi masat e mëtejshme për forcimin e saj.

Ngjarja është marrë vesh edhe në zonat e tjera të rrethit pasi aty ka pasur punëtorë të cilët u larguan nga miniera, rrugëtarë që kanë kaluar e kanë parë etj. Me të dhënat që kemi jehona është e mirë. Njerëzit janë shprehur me urrejtje ndaj armiqve dhe kanë shfaqur mendimin se armiqtë duan plumbin.

Ne do të shfrytëzojmë rastet jo të posaçme që në mbledhjet e takimet e ndryshme nëpër zona të sqarojmë gjendjen e masat tona si veprime të diktaturës së proletariatit kundër armiqve të klasës duke i lidhur me tezat e dhëna nga shoku Enver në fjalën e 15 marsit 1973.

Shënojmë se masat e forta që u morën për shtypjen e revoltës, vendimi i gjykatës speciale ndaj 12 të gjykuarve, dhe ekzekutimi i këtij vendimi brenda datës 24 maj 1973 ka bërë efektin që armiqtë të nënshtrohen dhe të futen në punë.

SEKRETARI I PARË I KOMITETIT TË PARTISË TË RRETHIT

(JOVAN BARDHI)

(vula, firma)

 

Myzaferit

Për shokun Hysni.

01.06.1973

(firma)

U pa (firma)

02.06.1973

Informacion një javë pas ngjarjes

PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË

KOMITETI I PARTISË I RRETHIT

MIRDITË

Nr. 335 Prot.

Rrëshen, më 30.05.1973

Lënda: Informacion mbi gjendjen në kampin e riedukimit Spaç për periudhën 24-29 maj 1973

 

KOMITETIT QENDROR TË PPSH

(Sh. Qemal Myrseli)

TIRANË

Përveç problemeve për të cilat ju kemi folur, sipas informacioneve që kemi nga Dega e Punëve të Brendshme tani në kampin e riedukimit Spaç paraqitet kjo gjendje:

Së pari, si rezultat i masave që u morën tani gjendja është stabilizuar, të dënuarit dalin rregullisht në punë, nuk ka thyerje të disiplinës dhe në përgjithësi realizojnë e tejkalojnë normën. Kështu p.sh. në datën 28 maj dy turne ndonëse me mungesë të fuqisë punëtore dhe të ajrit të kompremuar për mungesë të energjisë elektrike, plani u realizua në pirit 81% dhe në bakër 77%. Kështu në qoftë se nuk do të kishte mungesë ajri plan ditor do të realizohej.

Së dyti, qëndrimet në radhët e të dënuarve paraqiten në këtë mënyrë:

– Pjesa më e madhe e tyre tani i dënojnë shkaktarë që nxitën dhe morën pjesë në revoltë, shumë prej tyre u janë kundërvënë elementëve që ishin pjesëmarrës dhe nxitës të revoltës, bile kërkojnë të merren masa edhe më ndaj tyre.

– Një pjesë e konsiderueshme mbajnë qëndrim indiferent, këta dalin rregullisht në punë, zbatojnë rregullat e disiplinës por në çështjet e tjera qëndrojnë indiferentë.

– Pjesa tjetër që përbëjnë pakicën në forma të maskuara vazhdojnë të përhapin parulla armiqësore. Kështu p.sh. disa shprehen “neve do të qëndrojmë të papërkulur ashtu siç kemi qëndruar”, ndërsa i dënuari Xhemal Bali nga Konispoli, dënuar dy herë për krime ndaj shtetit thotë: “Neve nuk na duhet më gjë jeta që të jetojmë”, ndërsa dy të tjerë shprehin urrejtjen kundër masave që u morën nga organet tona për arrestimin dhe dënimin e shkaktarëve të revoltës. Nëpërmjet këtyre ka edhe nuanca për hakmarrje sidomos kundër disa të dënuarve që dolën dëshmitarë dhe denoncuan organizatorët kryesorë të revoltës dhe në forma shumë të maskuara urrejtja më e madhe shprehet kundër kuadrove që morën pjesë në stabilizimin e gjendjes.

Me qëllim që të bëhet spastrimi dhe stabilizimi i mirë i gjendjes nga organet e Brendshme dhe të Drejtësisë janë arrestuar edhe 5 veta në datën 27 maj pjesëmarrës të revoltës dhe vazhdues të veprimtarisë armiqësore.

Organet e Degës së Punëve të Brendshme vazhdojnë përsëri punën e tyre në drejtim të zbulimit, demaskimit dhe të punës edukative me qëllim që të thellohet më tej diferencimi brenda radhëve të tyre.

SEKRETARI I PARË I KOMITETIT TË PARTISË TË RRETHIT

(JOVAN BARDHI)

(firma, vula)

Shënim:

Sipas porosisë së shokut Hysni u bisedua me shokët e MPB dhe çështjet u shtruan në mbledhje të kolegjiumit. Nga kjo mbledhje dolën edhe të metat e punës dhe u morën masat e nevojshme.

23.06.1973

(firma)

S'KA KOMENTE