Nazmi Selimja: Mes jetës dhe vdekjes, në kampin e Turanit dhe Tepelenës

0
348

Vdiqën rreth njëqind fëmijë në Turan, vetëm nga mungesa e ushqimit… Ndërsa Tepelena, ishte kamp shfarosjeje. Atje nuk ekzistonte asnjë farë e drejte, dhe nuk kishte as mjek e as ilaçe. Po të sëmurej njeriu, nuk shërohej më; e priste vdekja. I ftohti dhe era ishin të tmerrshëm…

Pjesë nga rrëfimi  mbi vuajtjet në internim nga vitit 1945 kur, Nazmi Selimja u internua për herë të parë nga Elbasani në Berat bashkë me familjen e më tej në kalvarin e mundimshëm në Turan dhe kampin e përqendrimit në Tepelenë:

“Në maj të 1949 , na transferojnë nga Berati, në kampin e Tepelenës, në fshatin Turan, pesë kilometra larg Tepelenës, atje ku kanë qenë më parë varrezat italiane. Turi i parë nuk ishim shumë: katër a pesë zisa. Me vete kishim vetëm rrobat e trupit e ndonjë batanije. Në Turan, si strehë, shërbenin kazermat italiane, të ndara në kapanone, të cilat më parë kishin funksionuar si stalla për kuajt. Kishte vetëm dy- tre dhoma, të cilat duhet të kishin shërbyer për veterinerët, infermierët e ndonjë oficer dhe stallat ishin 50 metra të gjata me 10 metra të gjëra dhe ishin dy të tilla gjithsej. Çdo dy ditë, sillnin të rinj në kamp. Na vendosin në atë stallën e kuajve në fillim. Për një person, kishte gjysëm metri vend. Ne ishim pesë vetë: nëna, motra, tre vëllezërit dhe unë. Pas nesh, vinte familja e Fiqiri Dines prej Dibre; pastaj e Gjon Markagjonit, dhe më pas, vinin Mirakajt. U mbush krejt stalla. Të tjerët që mbetën, u shtrinë jashtë në shesh. Pastaj disa i çuan në Porto Palermo dhe disa burra, punëtorë në Gramsh. Nga të internuarit, ishin edhe familje tiranase: ajo e Fadil Petrelës dhe ajo e Ali Kacelit. Këta i kishin hipur në të njejtën makinë, dhe gjatë rrugës, makina u përmbus dhe vrau Fadilin (Fadil Petrelën) me gjithë të shoqen, që ishte e bija e Abaz Kupit. I preu spondi i makinës ne bark; i këputi. Kishin mbetur katër djem të vegjël, motra e Fadilit dhe gjyshja. Fëmijët ishin të mitur fare: rreth 2 vjeç me i vogli. Fadilin dhe të shoqen, i varrosën në Fiçok afër Skraparit. Kurse Gëzim Kaceli bashkë me të motrën, Balltezin, u plagosën dhe i sollën në Tepelënë, ku i lanë jashtë stallës. Pas tragjedisë që i ndodhi familjes Petrela, komanda e kampit bëri kërkesë, dhe i kthyen në Tiranë ata që mbetën. Pra, i liruan.

Në kamp, furrë buke nuk kishte, banja s’kishte, infermier s’kishte, ushqim s’kishte. Njerëzit ishin vetëm me rrobat e trupit dhe shkonin e kerkonin në stanet rrotull për pak qumësht ose hirrë, të cilën e mbanin në tesha. Ose mblidhnin lakra të egra. Na jepej vetëm bukë misri, të cilën duhej të shkonim ta merrnin në Tepelenë që ishte pesë kilemtra larg. Racioni ishte rreth 800 gramë për frymë. Buka mykej shpejt prej vapës së tmerrshme të korrikut. Unë, bile, merresha me këtë punë. Fëmijët vdisnin në masë nga uria. Si kaluan dy muaj, ne protestuam: gjatë protestës, kërkuam të vinte një kapiten që ishte i ngarkuar me këtë punë në Ministrinë e Brendshme. U mblodhëm dhe u thamë: “O ushqim, o na vrisni të gjithë!” Ai i mori shënim, dhe në Tiranë, me sa duket, vendosën të sillnin ushqim. Sollën dy zisa me oriz e makarona. Sapo vunë ushqimin, sikur filloi të ndërpritej përkohësisht vdekja. Vdiqën rreth njëqind fëmijë, mendoj. Të vdekurit i varrosnim aty rrotull.

Turan na mbajtën deri në shtator. Pra, kampi i Turanit zgjati rreth katër muaj. Pastaj na çuan në kazermat italiane në Tepelenë. Kishte një postbllok policie dhe kampi ishte i rrethuar me tela me gjemba. Por, këtu ishte pak më mirë se në Turan. Ne ishim të akomoduar në kazerma me shtretër dërrase, me dy kate. Ishim të ndarë në batalione dhe kompani. Ne ishim batalioni i dytë, komania e parë. Komandant ishte një Bam Brahimi, prej Kruje, Mamurrasi. Ai bërtiste në 5:30 ose gjashtë të mëngjesit: “Çohuni!” Dhe kështu niseshin për punë. Puna ishte për personat 14 vjeç e lart. Edhe pleqtë, ishin të përfshirë në punë. Edhe mua më kapte mosha e punës: hapnim rrugë e ngarkonim makinat. Të tjerët, shkonim në mal të bënim dru që ishte një punë e rëndë për kafshët, dhjetë kilometra larg, deri në mal të Kurveleshit. I pritnim drutë, i hidhnin në xhade dhe i ngarkonim me litarë në kamionë. Kjo ndodhte në mes të vapës së tmerrshme. Pastaj hapnim edhe kanale e rrugë; nuk të linin të rrije kot, pa punë. Fëmijët shkonin në shkollë. Në kamp kishte edhe një si tip infermierie, por, kot, se nuk kishte ilaçe.

Edhe aty vdiqën shumë njerëz, kryesisht pleq edhe fëmijë. Ushqimi ishte më i mirë, megjithëse ushqim kazani: speca, domate, makarona, supë. Gatuanim vetë në kazanë dhe i ndanim mes nesh. Ujë këtu kishte boll. Kurse lidhur me higjienën: kishte vetëm një banjë për 700-800 vetë, e cila ishte e zbuluar dhe ndodhej shumë larg. Përveç sëmundjeve, një problem tjetër ishte ai i municioneve të mbetura nga Italia; shumë prej nesh kanë vdekur nga bombat. Ishin predha të mbetura nga lufta. Mbaj mend, një djalë nga Tropoja, 9 vjeç, të cilin e hodhën predhat në erë. Pra, toka ishte e pa ç’minuar.

A kishte keqtrajtim, apo edhe vrasje në Tepelenë?

Në Tepelenë, vriteshin njerëzit kot. Më kujtohet fort mirë një rast tronditës: policia mori një djalë 10 vjeç, i cili doli nga gardhi dhe e lidhën në një shtyllë me tel. Pra, ne si rregull, duhet të dilnim nga porta ku ishte policia; ata ngrinin traun, dhe ne dilnim. Djali, për të cilin po flas, kishte dalë për të marrë diçka më përpara. Dhe në një rast tjetër, ndodhi me një të ri që ishte nga Muzhaqët e Librazhdit, prej familjes së Nazir Muzhaqit, i cili kishte studiuar në Francë, kishte qenë komandant i Ballit, dhe mik i ngushtë me Alush Lleshanakun. Enver Hoxha u strehua gjatë luftës në shtëpinë e tij, në shtëpinë e Metit (që ishte i ati i Nazirit) dhe kur erdhi në pushtet Enveri, e vari Nazirin tek rrapi i Tabakëve në Elbasan, pra, më 1945. Djali për të cilin po flas ishte 25 vjeç. Një djalë shumë i bukur. E vranë gjoja padashje, sikur policit i shkrepi arma duke e pastruar, pikërisht në Luzat, kur po prisnin dru. Ne e qamë të gjithë; mendoje se secili prej nesh, kishte njerëz të vrarë e të vdekur në të njejtën mënyrë.

Në Tepelenë, ne nuk kishim asnjë kontakt me botën. Në Tepelenë, nuk mund të kishe asnjë marrëdhënie me familjen apo të afërmit. Ne na kishin vdekur njerëzit në kamp, dhe të afërmit tanë nuk dinin asgjë, sepse ai që sillte ushqime në Tepelenë, denohej. Lejohej vetëm një letër në gjashtë muaj. Dhe në letra, duhej të shkruanim “jemi mirë”, pa mundur të tregonim asgjë.

Kur na çuan në Berat, na quanin “të internuar”, kurse Tepelenën e quanin “kamp dëbimi”, kur, në të vërtetë, ishte kamp shfarosjeje. Atje nuk ekzistonte asnjë farë e drejte, dhe nuk kishte as mjek e as ilaçe. Po të sëmurej njeriu, nuk shërohej më; e priste vdekja. I ftohti dhe era ishin të tmerrshëm. Salla ishte 60 metra e gjate dhe 30 metra e gjërë, dhe ngrohej vetëm me dy soba në mes. Nga dera e madhe, era hynte lirisht. U shuan njerëzit…

Ata që vdiqën, i varrosën tek Ura e Bençës. I kanë ngritur me vonë varrezat, siç kam dëgjuar, por, ne nuk kemi qenë aty, sepse na liruan në fund të 50-tës, pasi u vra Alush Lleshanaku.

Marrë nga vëllimi 1 "Zërat e Kujtesës", botim i Institutit të studimit të krimeve dhe pasojave të Komunizmit. 

S'KA KOMENTE