Dom Mark Hasi ka provuar një nga torturat më rrëqethëse në hetuesinë e Shkodrës, gjatë arrestimit të parë. Më pas, përballoi punën e rëndë të kampeve të punës. Kjo ndodhi gjatë arrestimit dhe dënimit të parë, që nuk ishte i fundit. Në vitin 1967, u dënua bashkë me besimet fetare. U tortura sërish dhe u dënua me 25 vite burg. Këtë herë nuk mundi të dalë i gjallë
Më 11 Shtator 1981 u nda nga jeta në Ballsh famullitari Mark Hasi. Ishte rreth 61 apo 62 vjeç, ishte dënuar dy herë dhe kishte kryer 21 vite burg.
Dom Mark Hasi lindi në Shkodër. Mësimet e para e të mesme i kreu në Kolegjin Saverian të Jezuitëve në Shkodër. Studimet e larta i bëri pjesërisht në Padovë. Meshën e parë e kremtoi më 24 shkurt 1945 në Katedralen e Shkodrës. Menjëherë pas shugurimit meshtarak, dom Mark Hasi u emërua zv/famullitar i Shkodrës e më vonë edhe sekretar i Kishës.
U arrestua për herë të parë në dhjetor të vitit 1947 në Shkodër.
Sipas Fritz Radovanit, i cili shkruan se Mark Hasi ia ka thënë me gojën e vet pas daljes nga burgu, ndaj klerikut, gjatë arrestimit të parë, janë ushtruar tortura të shumta, përfshirë edhe nguljen e gjuhës me gozhdë pas tovolinës së hetuesisë. Megjithatë Mark Hasi nuk pohoi kurrë ato që hetuesi Nesti Kopali e detyronte të thoshte.
Doli në gjyq në fillim të vitit 1948. U dënua me 7 vjet burg “Për agjitacion e propagandë”. Dënimi shoqërohej edhe me punë të detyruar. Janë vitet e kampeve më të vështira, kur punohej për tharje kënetash dhe hapje kanalesh.
E kreu tërë dënimin e u lirua në vitin 1954.
Nga ky vit e deri më 1967 shërbeu përsëri në famullinë kishtare të Shkodrës, sipas Vatican News. Një komentues i kujto.al, z.Robert Kote, shkruan megjithatë që Mark Hasi ka shërbyer edhe në kishat e Tiranës dhe ai vetë ka qenë nxënës i tij.
Pas mbylljes së kishave më 1967, u arrestua për të dytën herë. Vuajti sërish tortura çnjerëzore për muaj me radhë derisa doli në gjyq në prill të vitit 1968, në një nga proceset më famëkëqij që u zhvillua në Kishën e Motrave Stigmatine që tashmë si çdo institucion tjetër fetar, kishte humbur funksionin e vet.
Kësaj here u dënua me pushkatim duke u akuzuar jo vetëm për agjitacion dhe propagndë, por edhe për tradhti ndaj atdheut. Dënimi iu kthye në 25 vjet burgim, nga të cilat bëri 14 vjet e gjysmë, sepse vdiq më 11 shtator 1981 në Ballsh.
Eshtrat e tij qëndruan aty deri në vitin 1992. Pas rihapjes së kishave, eshtrat u sollën në Shkodër dhe u rivarrosen në Rrmaj më 22 janar 1992. Me këtë rast u mbajt edhe një ceremoni përkujtimore në shenjë nderimi për dëshminë e tij të besnikërisë ndaj Zotit.
Shënim: Ky shkrim është rishikuar dhe ndryshuar pas botimit të parë në 10 shtator 2021, duke shtuar informacionin mbi kishat ku ka shërbyer Mark Hasi dhe duke ndryshuar fotografinë.