Letra e Zef Zorbës për të bukurën Terezinë!

0
629

“Torturat, vuajtjet, burgu, plakja, reumatizmat, stomaku e kushedi tjetër mund të na trazojnë ndonjëherë... Por mandej do të vemë në gramofon diskun e poemës simfonike të Ravelit “nëna ime pata” e do ta ndëgjojmë bashkë...Pardje kam ndje se mjelmat jetojshin deri në njëqind vjet dhe çifti që bashkohet një herë në rini nuk ndahet kurrë ma për gjithë jetën... Bepi”...Vuajtjet e vajzës shkodrane që u torturua e u burgos nga diktatura dhe triumfi i dashurisë mbi urrejtjen... dhimbja e një historie dramatike dhe magjia e një jetë plot pasion e çiftit Terezina Pali e Zef Zorba.

Terezina Pali, e bija e Marijes dhe Kolë Palit, lindi në Shkodër në vitin 1927. Ishte një vajzë shumë studioze, vazhdoi shkollën stigmatine dhe gjimnazin shtetëror të qytetit të lindjes. Shkëlqente në mësime dhe nën influencën e profesorit të nderuar të gjimnazit, Qemal Draçini, që formoi brezin e ri me liridashje, i bëri me personalitet duke i thënë jo komunizmit (ky profesor i nderuar në 1946 u arrestua nga Sigurimi i Shtetit dhe vdiq në hetuesi nën tortura çnjerëzore).

Terezina ishte një vajzë e shkathët, kishte shumë influencë në klasë, i është dëgjuar fjala. U aktivizua në grupet artistike të kohës, ku u njoh me të riun Zef Zorba, që ishte regjisor i shfaqjeve. (Më vonë do të bëhej bashkëshorti i saj). U vunë në skenë drama ku flitej për liri. Gjatë shfaqjes salla ushtonte nga thirrjet: - Liri! Liri! Ishte viti 1946. Arrestohet regjisori Zef Zorba.

E përjashtuan nga shkolla sepse mori pjesë në funeralin e Dom Gaspër Thaçit, i cili kishte qenë Arqipeshkvi i Shkodrës. E gjithë familja ishte nën vëzhgimin e Sigurimit të shtetit, ata donin të zbulonin vendstrehimin e Pal Thanit (që në të vërtetë ishte srehuar në shtëpinë e tij, në pjesën e vjetër, ndërsa pjesa e re e shtëpisë ishte e zanun nga një funksionar komunist).

Familja, për ta larguar vajzën nga qyteti i lindjes, vendosi ta dërgojë Terezinën në Tiranë, te kushërinjtë, që të vazhdonte gjimnazin atje, me shpresë që të humbiste gjurmët. Megjithatë, Sigurimi i shtetit e arrestoi në Tiranë në tetor të vitit 1946.

E mbajtën vajzën 19-vjeçare 17 (shtatëmbëdhjetë) muaj në hetuesi. E kanë torturuar, duke e mbajtur të lidhur, të varur nga krahët, pa takuar këmbët në tokë. Ajo tregonte: -Shefi i degës me dorë të vetën më rrahu me kamzhik shpinës. Trimëri kalorsiake për një burrë oficer, ndaj një vajzë 19-vjeçare! Pastaj urdhëroi të më lidhnin me litar nën sjetull e duar për hekura tek birucat e degës. Më kanë torturuar me ditë e me muaj, por asgjë nuk është kjo çfarë i kanë bërë të riut Sami Barbullushi e dajës tem Pal Thanit, të cilin e torturuan derisa ju trash gjuha dhe e mbytën, po kështu e pësoi dhe Qemal Draçini, pedagog i ri i gjimnazit, idhull i rinisë shkodrane”.

Ka patur enjtje në këmbë. Kur e dërgun në spital, në gjendje shumë të rëndë, dr. Mborja është tmerruar. I kanë dalë lot nga dhimbja që provoi, kur pa këmbët e vajzës të fryra jashtë mase, të shpërfytyruara… Oh, çfarë tmerri!! – iu drejtua policëve plot kurajo me këto fjalë! – Kur i çoni në këtë gjendje, mos na i sillni këtu!

E lanë 6 muaj nën torturë, më e vështira për vajzën e re ishte që s’lejohej të përdorte ujin për nevoja personale (vetjake), i jepnin ujë sa për të shuar etjen. Gjithë ato muaj pa u larë trupi, duart, fytyra, pa ndërresa, pa rroba, pa veshje.

E kanë futur me burra, si me: Guljem Sumën, Xhemal Naipin, Idris Tahirin nga Vorfa, Myrto Danin nga Drishti, Mustafa Dragushën që ishte 70 vjeç. Mendoni në ç’vështirësi vihej vajza e re në dhomë me burra, ndjeheshin të dy palët të fyer nga mënyra e mirësjelljes.

Torturën më të rëndë, atë psikologjike, ia ka bërë Fadil Kapisyzi. Ai ishte torturuesi dhe ekzekutuesi i dajës së saj, Pal Thanit. Hetuesi e mbante Terezinën të lidhur në dritare, aty ku po torturohej daja i saj, të cilin e rrihnin, e lanë 14 ditë pa ujë dhe aty nën torturë, vdiq oficeri i lartë i ushtrisë shqiptare dhe mbesa shihte skenën makabre, vdekjen e dajës, ndërsa ajo qëndronte e varur… e varur…

Mbasi e torturuan, e kthenin në dhomë, ku ishin të burgosurit e tjerë, ndër ta edhe Padër Mati Prendushi, të cilët përkujdeseshin për të, i tregonin dhemshurinë e tyre dhe njëherit respektin për heroinën e re shkodrane, që Sigurimi nuk arriti ta thyente. Nga goja e saj nuk doli asnjë denoncim, nuk pranoi të bëhej vegël e tyre. Mbeti një vajzë me karaktertë fortë.

Torturat ishin të shumëllojshme, kanë përdorur korrentin elektrik të trupin e saj, me javë e kanë mbajtur të burgosur në birucën e qenit, d.m.th. me qëndrim kutullaç (ose garraveç, siç i thotë Shkodra). Torturat i bëheshin edhe për propogandën kundër Pushtetit Popullor, sepse ishte pjesëtare e grupit artistik.

Në janar 1948, mbas 17 (shtatëmbëdhjetë) muajsh hetuesi e nën torturë, u bë gjyqi – Terezina Pali, Zef Zorba, Kolë Kurti, Karlo Suma, Xhabir Dibra, Maliq Bushati.

Pretenca: Agjitacion e propogandë, e dënuan me 5 (pesë) vite heqje lirie.

E vazhdoi dënimin me shumë femra të burgosura si ajo (të burgosura politike), si me: Agime Pipën, Drita Kosturin, Ana Dajën, Dila Zef Dodën, Nasiben nga Tropoja, Naxhije Hardallin, Bedrije Ashiken, Leze Kolën, Vitore Kukën, etj.. Terezina ishte një vajzë altruiste, bamirëse, i shërbente shoqes së saj të dhomës, Bardha Krocaj, që ishte dhe ajo e dënuar politike, por ishte e sëmurë nga TBC dhe vdiq në qeli. I dhuroi shumë përkujdesje, me plot dashuri e shumë dhimbje bashkëvuajtëses së saj, që jeta e la në moshën 18 (tetëmbëdhjetë) vjeçare. I qëndroi pranë, u kujdes për të dhe s’mendoi që tuberkulozi mund t’i ngjitej.

Vazhduan 5 (pesë) vitet në Burgun e Madh, në burgun e Kishës së Fretërve. Punonin, por gjithmonë qëndrimi në burg shoqërohej me frikën se mos thirreshin në hetuesi e nën torturë!! Kur doli nga burgu, ishte me shumë sëmundje, pati dhe një proces polmonar, që shtrohej shpesh nëpër spitale, që me kalimin e viteve do e lodhnin së tepërmi, në veçanti sëmundja e parkinsonit.

Por jeta ka pjesën e dritës e të diellit. Njeriu i zemrës, mbasi doli nga burgu, i dhuroi shumë dashuri e përkujdesje.

Dy bashkëshortët u martuan në vitin 1953. E mira, e ëmbla Terezinë, lindi dy vajza: Lejla (1954) dhe Luçia (Lali, 1958); i rriti plot dashuri, i edukoi dhe ato ishin nxënëse të shkëlqyera në gjimnaz, por atyre nuk iu dha e drejta për të vazhduar shkollat e larta. (Universitetet i kishin dyert e mbyllura për fëmijët që i kishin prindërit të burgosur politikë dhe gjithë jetën, deri në rënien e komunizmit, u cilësuan fëmijë “armiqsh”, “tradhëtarësh”, “të deklasuar”, “reaksionarë” dhe nuk ishin të barabartë më fëmijët e tjerë).

Shtëpia e tyre ishte një çerdhe lumturie, aty lëvrohej poezia, dëgjohej muzika klasike. Ishin të lirë dhe në paqe me vetveten, në brendësi ruajtën lirinë e tyre, edhe pse regjimi komunist vazhdonte të ishte përherë i egër dhe i dhunshëm.

Një pjesë e një letre e vitit 1973, kur Terezina kurohej për një spital (sanatorium) larg Shkodrës dhe burri i saj i stërmunduar nga lodhja e punës së përditshme dhe në pamundësi që ta vizitonte shpesh në spital, ja çfarë i shkruan:

  • E dashur Terezina, pashë letrën tënde. Kërkojshe me të shkru unë... Sa shtigje të vështira kemi kaluar bashkë. Nganjëherë çuditem me vetvete si kemi dalë m’anësh. E me çfarë mjetesh? Gati gjithmonë me aq pak, sa që në çdo moment, më dukesh se gjithçka do të rroposej. Jetë e mundimshme, por kush po i jep randësi. Na të dy s’i kemi vue randësi mungesave e mundit e lodhjes kurrë, e jo me tash që na janë ba petk, pavarësisht se forcat tona s’janë ma ato të dikurshmet, madje çdo ditë e ma tepër vijnë tue u paksue. Veçse vullnetin e kemi ende të ri, kjo ka ma vlerë se çdo gja tjetër...

Plakemi: reumatizmat, stomaku e kushedi tjetër mund të na trazojnë ndonjëherë... Por mandej do të vejmë në gramofon diskun e poemës simfonike të Ravelit “nëna ime pata” e do ta ndëgjojmë bashkë...

Pardje kam ndje se mjelmat jetojshin deri në njëqind vjet dhe çifti që bashkohet një herë në rini nuk ndahet kurrë ma për gjithë jetën... Bepi. (Zef Zorba – burri i Terezinës)

Shënim: Marrë nga libri i Fatbardha Saraçi Mulleti, “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”. botuar nga ISKK