Poeti Genc Bardho Leka ishte nga mosha 18-vjeçare e deri në vdekje në vitin 1977, i ndjekur nga organet e punëve të brendshme. Në vëmendje të regjimit ai ishte qysh nga data 16.3.1959, nxënës në Shkollën e Mesme Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasan kur u vu në përpunim paraprak. Qëndrimi në shkollë, sipas Sigurimit të Shtetit kish qenë “indiferent, por shumë i dyshimtë” sepse sipas tyre mbante lidhje me babanë e arratisur në maj 1951 (i cili vdiq më 12.8.1968 në Prizren) dhe dajallarët në SHBA e Australi. Përveç dyshimeve që bazoheshin te autobiografia e Gencit, nuk kishte asgjë që mund të përligjte çeljen e përpunimit. Nëna e Gencit ishte internuar në vitet 1952-1956. Për një kohë të shkurtër, më 13.4.1960, Genci ngrihet në kontroll operativ 2B. Informatori “Goditja” raportonte se Genci lexonte libra të ndaluar, ndërsa operativi theksonte “natyrën borgjeze” të tyre. Edhe ushtrinë Genci e kryen në Elbasan.
Pas vitit 1968 raportet për të vinë në rritje. “Studenti” raportonte më 19.8.1968 se Genci vuante shumë ekonomikisht dhe ruhej nga llafet. Sipas një shënimi të vitit 1969, nga kontrolli 10-vjeçar nuk kishin dalë materiale me vlerë operative. Por kjo kohë shënoi për Gencin edhe marrjen në përpunim aktiv 2A, tashmë i dyshuar për agjitacion e propagandë. “Ëndrra dhe yje...rrugë dhe yje. Ky refren na jehon çdo ditë në thellësitë e shpirtit dhe përsëri na zgjon me dhimbje kujtimet më të çiltra të muzgjeve plot fëshfërima” – shkruhet në një prej letrave të Gencit.
Nga raportimet nuk del asgjë tjetër veçse gjendja e keqe ekonomike e Gencit, i cili punonte në fermën e Karkavecit. Me rastin e 30-vjetorit të formimit të PPSH-së, u hartua një plan tjetër masash nga Sigurimi. Por as nga ky plan nuk doli gjë. Për këtë arsye më 10.7.1972 u vendos ulja në kontroll operativ 2B. “Nga ana jonë është ndjekur me plan masash, por megjithatë ndonjë aktivitet të theksuar nuk kemi mundur t’i vërtetojmë, me përjashtim të letrave që i dërgon kunatit të tij”-thuhej në arsyetimin e vendimit.
Më 17.4.1976, operativi Merdar Hasa, nga studimi i dosjes shënon se Genci ishte “armik klase i predispozuar të veprojë kundër pushtetit popullor”, duhej të ishte “goditur në kohë”, duhej përpunuar aktivisht sepse veprimtarinë e tij e zhvillonte “në formë alegorike”.
Për këtë, operativi kërkonte marrjen në përpunim aktiv 2A, si dhe marrjen e 2-3 të dhënave për agjitacion e propagandë, të studiohej dosja e Bardho Lekës, etj. Sipas tyre “ky dhe Vilson Blloshmi janë boshti i veprimtarisë armiqësore në Bërzeshtë, prandaj të ndiqen në kompleks”. Në fund është edhe ajo që do realizohej më vonë: “neve do të godasim së pari Vilsonin, por duhet të na hedhi në dritë për goditjen e Gencit”.
Siç shihet, në mungesë të elementëve që përligjnin përpunimin, me urdhër partie duhej sajuar diçka. Dy javë para arrestimit merret në përpunim aktiv 2A, me propozim të operativit Xhevat Karriqi e miratim të kryetarit të DPB Merdar Hasa. Pavarësisht se nuk doli asgjë provë, tanimë nuk do përpunohej për agjitacion e propagandë apo tentativë arratisje, por si “agjent i mundshëm i zbulimit jugosllav”. Plani përkatës i masave propozohet nga operativi në fjalë e miratohet nga zëvendëskryetari i DPB-së, Spiro Lera. Nga shikimi i këtij plani nuk ka asgjë se ku mund të zbulohej “agjenti jugosllav” Genc Leka. Plani u hartua deri në dhjetor, ndërsa Genci u arrestua pas pak ditësh. Dukej që dora e partisë nxiste veprime të tjera. Meqë elementi i “agjenturës jugosllave” po dështonte, u fut elementi ordiner i gjoja sabotimeve në kooperativë, për të ngulur te fshatarët e atjeshëm bindjen se “armiku” punonte për shkatërrimin e ekonomisë së tyre (e cila ishte e shkatërruar vetiu). Genci arrestohet më 31.8.1976 dhe përpunohet në birucë nga “Shigjeta” e më pas “Lundronjësi”.
Më vonë më 10.5.1978, operativi Xhevat Karriqi, oficeri i drejtimit Bujar Pajenga, analizonin se përpunimi i kishte arritur synimet duke nxjerrë “aktivitetin armiqësor” për “sabotimin e ekonomisë popullore”. Harronin akuzat për tentativë arratisje, agjitacion e propagandë dhe “agjent jugosllav”.
Skeda e jetës e Genc Lekës
15.8.1941 u lind në në Bërzeshtë
1956-1960 nxënës në Shkollën Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” Elbasan
1960-1966 arsimtar në Zdrajsh të Librazhdit
1966-1968 ushtar në Repartin ushtarak nr.4037 Cërrik dhe nr.3202 Elbasan
1968-1976 punëtor në fermë
Skeda e përndjekjes së Genc Lekës
-16.3.1959 në përpunim paraprak
-13.4.1960 në kontroll operativ 2B
-16.12.1969 në përpunim aktiv 2A
-10.7.1972 në kontroll operativ 2B
-15.7.1976 në përpunim aktiv 2A
-31.8.1976 arrestohet
-17.7.1977 ekzekutohet