E burgosura që e vuajti 100% masën dënimit

0
402

Nemira Asllan Bumçi, lindur në vitin 1922 në Gjirokastër, por me banim në Tiranë, me profesion rrobaqepëse, nënë e tre fëmijëve, ishte 52 vjeç kur u arrestua. Vuajti dënimin aq sa i dha gjykata, në vitet 1974-1981, duke u liruar në moshën 59 vjeçe. Në fakt rrallëherë shfaqen persona që të kenë vuajtur 100% dënimin e dhënë nga gjykata. Sepse kohë pas kohe dilnin amnisti apo përfitonin nga ditët e punës që kryenin gjatë vuajtjes së dënimit. Asnjë mëshirë nuk tregonte regjimi as ndaj grave.

Nemira u arrestua më 30.8.1974. U akuzua në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal, pra për agjitacion e propagandë. Gjykata Popullore e Rrethit Tiranë, me vendimin nr.556, datë 28.11.1974, e deklaroi fajtore dhe e dënoi me 7 vjet heqje lirie. Në ankimin e vendimit të shkallës së parë, ajo shprehej se duhej prishur sepse mungonin elementët e figurës së krimit (ana subjektive), pasi pakënaqësitë i ka shprehur pa u nisur nga qëllimi “për të dëmtuar ose minuar pushtetin popullor”. Megjithatë, dënimi u la në fuqi me vendimin nr.12, datë 20.1.1975 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Në vendimin e kësaj gjykate, ndër të tjera thuhej:

“Kur ka folur për pakënaqësitë ekonomike, kjo ka pasur parasysh anën ekonomike të familjes së saj. Po kështu ka shfaqur pakënaqësi ngaqë nuk i janë plotësuar disa dëshira...

Por nga materialet e çështjes ka rezultuar se e gjykuara..., ashtu si me të drejtë e ka pranuar gjykata, ka patur një predispozicion të vjetër armiqësor ndaj pushtetit popullor e për pasojë, bisedat armiqësore me këta persona ajo i ka bërë për të minuar ose dobësuar atë. Në këto rrethana, cilësimi i veprës në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal është i drejtë.

Edhe masa e dënimit që ka caktuar gjykata duhet të konsiderohet e drejtë. E gjykuara ka kohë relativisht të gjatë që agjiton e propagandon kundër pushtetit popullor, duke iu kundërvënë masave revolucionare që ka marrë partia e pushteti”.

Citohej se ishte e pakënaqur nga transferimi i djalit të saj inxhinier në Elbasan, mosdhënia e së drejtës së studimit për djalin tjetër, etj”.

 

U lirua më 30.8.1981 nga Reparti nr.318 Kosovë, duke mos përfituar asnjë ditë ulje dënimi, nga amnistitë apo me punë.

S'KA KOMENTE