Dy inxhinierët e pyjeve të pushkatuar nga regjimi komunist

0
162

Në 27 janar u mbushën 100 vjet nga Ligji i parë për Pyjet dhe Kullotat në Shqipëri, i dalë në 27 janar 1923. Që nga ajo kohë, 27 janari njihet si Dita e Shërbimit Pyjor Shqiptar. Është dita kur kujtohen të gjithë inxhinierët dhe teknikët që vunë bazat e Shërbimit Pyjor në vendin tonë dhe zhvilluan Pylltarinë Moderne. Mes këtyre emrave janë edhe dy inxhinierë, të diplomuar në Itali, Bernard Laca dhe Fahri Rusi, të cilët regjimi komunist i dënoi me pushkatim dhe i ekzekutoi.

I pari u dënua Bernard Laca, i lindur në Shkodër në vitin 1918. Pas studimeve të larta të kryera në Itali, ai ishte kthyer në atdhe dhe kishte nisur të jepte kontributin e vyer në zhvillimin e pylltarisë, por nuk e lanë të kontribuonte sa duhej…dhe as të jetonte. U arrestua në gushtin e vitit 1946 (në Vlorë sipas Dr.Selman Meziu) dhe brenda vjeshtës, Gjykata Ushtarake e Tiranës e deklaroi fajtor për «sabotim të pushtetit» dhe e dënoi me vdekje dhe konfiskim të pasurisë. E ekzekutuan kur ishte vetëm 28 vjeç “në hovet e vrullshme të punës së tij projektuese e zbatuese në shfrytëzimin e pyjeve” si shkruan Dr.Selman Meziu, në gazetën 55, në një artikull të vitit 2015.

Kujto.al ka siguruar nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit dosjen e Bernard Lacës, ku prokurori Petrit Hakani dhe Gjykata Ushtarke e drejtuar nga Irakli Bozo, e mbështesin akuzën e sabotimit në lidhjen logjike se duke qenë mik i priftit Nikollë Mazreku, tashmë i dënuar si armik, edhe Laca ishte armik i pushtetit dhe gjithë defektet apo vonesat e ndodhura në punë, i kishte bërë me qëllim për të dëmtuar pushtetin. Ai akuzohej se, po me qëllim sabotimi, kishte montuar sharrën e Llogorasë, në një vend ku rrezikohej të hynte ujë nga shirat. Kjo akuzë, siç e pëmend Laca në mbrojtjen e tij, i bëhej jo nga një ekspert i fushës, por nga një llogaritar. Në asnjë çast, inxhinieri i ri nuk e pranon se ka sabotuar apo ka sjellë pengesa në punë, me qëllim. Edhe në fjalën e fundit, ai këmbëngul se është i pafajshëm. Por askush nuk e mori parasysh mendimin e tij, as kërkesën për të thirrur gjithë dëshmitarët që kërkoi dhe as lutjen e së ëmës dhe të vetë atij, për t'i falur jetën. Ministri i Mbrojtjes së asaj kohe Enver Hoxha miratoi vendimin e Gjykatës së Lartë Ushtarake për të ekzekutuar inxhinierin dhe kërkoi t'i njoftojnë ekzekutimin. Ekzekutohet dy muaj e gjysmë pas arrestimit, ditën e 29 tetorit 1946.

Thuajse në çdo fushë, diktatura komuniste zgjidhte disa viktima, akuzat e të cilëve montoheshin dhe të pavërtetuara, përdoreshin për dënimin e tyre. Në vjeshtën e vitit 1946, kur u dënua Bernard Laca ishte ngritur një nga stuhitë më gjakatare të ndëshkimit të specialistëve për të justifikuar politikat e regjimit, për të maskuar dështimet dhe sigurisht për të përhapur terror. Gjatë muajit nëntor të atij viti, u arrestuan, u gjykuan dhe u ekzekutuan duke u varur në litar, gjithmonë për sabotim, dy inxhinierët e tharjes së kënetës së Maliqit, Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri, 31 dhe 32 vjeç të ardhur nga universitetet e Romës dhe Vjenës ndërsa tre të tjerë të po atij procesi, Eugenio Scaturo, Vasil e Zyrika Mano, u pushkatuan.

Kjo strategji kriminale përsëritej në periudha të ndryshme. Plot 30 vjet më vonë, në vitin 1976, u gjetën "sabotatorë" në fushën e naftës dhe tre inxhinierë të këtij sektori u pushkatuan.

Ndërkohë fusha e pyjtarisë provoi një tjetër goditje me ekzekutimin e një tjetër inxhinieri. Fahri Rusi u arrestua gjatë fushatës ndëshkimore pas kryengritjes së Postribës, por u ekzekutua në një fushatë tjetër ndëshkimore, më 11 mars të vitit 1948, kur në Zallin e Kirit u pushkatuan 16 veta. Fahriu, sipas dëshmisë gojore të mjekut ligjor Dr.Papavramit, të cituar nga Fritz Radovani, në një shkrim në 70-vjetorin e kësaj ngjarjeje, ishte i lidhur mes dy klerikëve Mati Prennushi dhe Çiprian Nika. Edhe ai ishte 28 vjeç, kur u pushkatua.

Sipas shkrimeve të kolegëve dhe brezave të mëvonshëm të kësaj shkence, kuptohet kontributi i vyer i këtyre dy inxhinierëve në fushën e pyjtarisë. Pushkatimi i tyre, përveçse krim në nivel njerëzor ishte dhe një goditje në shkencën e pyjtarisë. Me këto dënime, nëse do i huazonim termat nga pyjtaria, diktatura rrëzoi dy lisa të kësaj shkence dhe mbolli terrorin mes gjithë të tjerëve.

S'KA KOMENTE