Dëshmia/ Ndoc Ashta: Genocidi komunist ndaj familjes sime

0
177

Ndoc Ashta rrëfen për Kujto.al historinë tragjike të familjes së tij e cila përjetoi një kalvar të pafundmë vuajtjesh, një persekutim të pakrahasueshëm me të burgosur, të internuar, të pushkatuar dhe të vrarë nga torturat në burgjet e diktaturës ku shumica prej tyre janë ende pa një varr.

Ndër viktimat e kësaj familje është edhe një fëmijë i vogël 9 vjeç Liljana e cila mendohet se është mbytur në Bunë në mes të plumbave së cilës akoma dhe sot nuk i janë gjetur eshtrat. Ashta tregon se këtë persekutim komunist ata e kanë marrë nga emri që trashëgojnë, një emër që regjimi  tentoi me gjithë egërsinë e tij ta shfaroste por që nuk ia arriti dot.

Dëshmia e plotë:

Ku keni lindur dhe cila është historia e familjes suaj?

At’herë unë jam Ndoc Ashta, 60 vjeç lindur në Shosh Dukagjin, lindur në një ndër familjet ma të persekutume që mund t’ketë veni. Ne si familje kemi 13 veta të pushkatumë dhe të vdekun në internime dhe që nji pjesë prej tyne nuk iu dimë as varret apo të pushkatumë në arrati apo edhe në vitet “90 gjatë tentativës për të ikë për nji jetë ma të mirë. Gjithashtu kam edhe nga dajat pothujse të njëjtën histori fatkeqësisht sepse edhe nana më asht rrit jetime ngase i kanë pushkatue të atin, gjoja me akuzën se do arratisej e do shkontë n’Jugosllavi apo do përcillte njerëz për në Jugosllavi. Ne të paktën nga gjithë këto vite të diktaturës që ishin kemi pas shumë genocid apo shumë persekutim sepse na asht mohue çdo e drejtë përveç atyre që janë burgos, pushkatue, kena edhe të vdekur në tortura në burgjet e diktaturës. Pesë nga pjestarët e familjes tonë edhe n’kët kohë nuk iu dimë varret apo eshtnat e tyne dhe fatkeqësitë janë të shumta, ndoshta po të zgjatem të baj nji histori do të jetë pak e bezdishme përveç atyre si puna juaj që i kanë vujt mbi shpatulla.  Por ne si familje kemi kalu nji tragjedi të madhe dhe ka fillue persekutimi në vitet ’46 me pushkatimin e xhaxhait tim që ishte 21 vjeç dhe sot e kësaj dite ne nuk i dimë, asht pushkatue në mes të qytetit të Shkodrës por siç ishte vet sistemi asaj kohë, ne nuk i dimë as varrin. Ai asht pushkatue me grupin e intelektualëve dhe të klerikëve të Shkodrës që janë pushkatu shtatë veta sëbashku dhe i kanë varrosur në të njëjtën gropë pranë varrezave të Rëmajve të qytetit dhe mbaj mend nga gjyshja që thonte: “Po të kisha ditë ku ka varrin që të derdhi pak lotë njiherë në vit do më dukej sikur ai të vinte në shpi me mua”… Dhe kështu nga kjo ditë kalvari i vujtjeve të familjes sonë asht i tmerrshëm, nji persekutim i pakrahasueshëm dhe thashë numri i të burgosunëve, i të internumëve, i të pushkatumëve me gjyq e pa gjyq, i vrasjeve me tortura në burgje.   Dhe përfundimisht në vitin “90 kemi tre viktimat e fundit nga familja jonë.

Kush janë viktimat dhe të zhdukurit e familjes suaj nga regjimi komunist?

At’herë i pari asht xhaxhai im Gjeloshi që thashë që ishte me grupin e klerikëve dhe të intelektualëve të Shkodrës u dënuan në emën të nji organizate “Bashkimi Shqiptar” dhe i pari asht ky që u pushkatue dhe ne nuk i dimë varrin. Pastaj i dytë asht po nga familja jonë që gratë dhe fëmijët i internuan i çuen në Berat dhe vdiq nji fëmijë 3 vjeç Gega, Gegë Zefi. Të cilin ia morën së amës të vdekun nga batanijat e kapanonit dhe nuk dihet ku ka përfundue at’ditë e sot. Bile në përkujtim të atij fëmije, kur u kthyen nga internimi lindi fatmirësisht nji fëmijë tjetër dhe i vunë emnin e tij Gegë, pra i cili jeton edhe sot.  Në Berat. Pastaj në, këto janë ’45, ’46, ’47 dhe unë në ’48 nëqoftëse i marr kështu me rradhë nana jeme mbetet jetime sepse i vrasin në Theth të atin që ishte rreth 46 vjeç dhe le pesë fëmijë jetim. E vrasin… një natë feste që po festoshim nji darkë, se tradicionalisht ajo zonë ka pas 28 shtatorin, natë feste që kaluam me miq, me të  afërm, edhe ky vritet. Kur vritet baba i nanës sime siç ma ka shpjegue disa herë, po ashtu edhe dajat që kanë mbet jetim n’atë kohë kanë kenë pak më të mëdhenj se nana, nga tmerri që kërciti pushka dhe u vra gjyshi im nga nana, kanë dalë fëmijët, kanë dalë gratë, kanë dalë njerëzit nga tmerri që u krijua pranë banesës edhe në atë shtimje që kishte ajo Posta Ushtarake që ishte aty jashtëzakonisht, ishte postë kufitare sepse ishte krejt pikës së klonit që asht quajt n’atë kohë, vritet nji fëmijë 7 vjeç Gjergji, që gjyshi e kishte djalin e vëllait dhe ashtu po vajza tjetër e vëllait të tij merr katër plumba që ajo mbeti sakat pothuajse për gjithë jetën, dhe ajo ka jetue deri para nji muaj. Aty vritet edhe nji mysafir ishte nga Shkodra nji Ramiz Podgorica edhe ky merr 4-5 plumba, ky kishte shkue për të darkue për qejf për të kalue nji natë aty, ishte në atë festën. Por të gjithë këta kanë ndodhur në zonën e kufinit, sepse aty pranë vendit që këta po darkonin atë natë, po festonin si të thuash ishte Posta Ushtarake e cila kontrollonte që mos largoheshin njerëzit.  Ky masandej paska qenë i akuzuar si ja thanë të nesërmen që “ky paska përcjellë njerëz në ish-Jugosllavi”. Domethënë ka qenë njeri i cili ishte me 5 fëmijë,  s’kishte asnjë mundësi me u marr me ato punë pavarësisht se kishte lind, rrit dhe jetonte aty. Nën këta akuzën se ai përcillte njerëz në Jugosllavi e vrasin pa e thirr, pa e ndalue, pa i mbanë ndalesë, pa e thirr në atë Postën e policisë që me e këshillue, apo me e pyet. Pra vritet mizorisht midis familjes që ishin familje e madhe, ishin rreth 15-16 veta si pjestarë familjesh sepse ishin tre vëllezën që jetoshin bashkë dhe kishin gra e fëmijë. Në tmerrin e familjes vritet ky, vritet fëmija 7 vjeç, vritet nji mysafir dhe plagoset vajza e cila për momentin duket se kishte mbet e vrarë.

Më tregoni historinë e disa prej tyre? Si rrodhi ngjarja që çoi në vdekjen e tyre?

Po prapë nga familja ku unë kam lind, në vitin ’90 Pal Kokrri që e kishte rrit baba im ngase i kishin vrarë të atin dhe gjyshin në ’46. Kur i vranë të atin ishte shumë i ri, ishte rreth 40 vjeç i ati Kokrri dhe le nusen shtatëzanë, nusja kishte tre vjet martesë. Baba i Kokrrit arratiset edhe ky dhe më 23 qershor të vitit ’46 vrasin Kokrrin, le nusen shtatëzanë me 23 ose 24 gusht, nji muaj më vonë, dy muaj në fakt i vrasin të atin  që ishte në arrati Kol Marashi edhe dy-tre javë mbrapa lind Pali. Këta njerëz që kishin jetue aty gëzohen dhe e marrin për ta shpëtue, e marrin Palin dy-tre javësh dhe e çojnë te daja i vet në Theth bashkë me nanën. Kjo ishte nuse e re, kishte kët fëmijë, i kishin vra bashkëshortin dhe vjehërrin dhe për fat i ati e ama nuk kishte fëmijë tjetër dhe pranoi që ta mbajë këtë vajzë sepse as kishin vajzë dhe djalë tjetër edhe e rritën Palin deri në moshën e shkollës. Në moshën e shkollës ishin edhe disa rregulla të asaj zonës apo tradita, shkon “embat”, kthehet nga internimi dhe fillon e ban nji çati të vogël aty me dërrasa e me drynjë dhe e merr Palin e bie në shtëpi, e rrisin, futet në shkollë, rritet, edukohet, shkon ushtar, kryen shërbimin ushtarak dhe martohet me nji vajzë të nji familje shumë të mirë dhe të persekutuem edhe ata në Dajç të Bregut të Bunës dhe fillojnë jetën këtu te nji lagje të qytetit në Ajasëm. Mbas 2-3 javësh e marrin vesh Këshilli i lagjes apo organizata që ishte e asaj kohe edhe i thonë: “ti nuk je i ndenjë për të jetue në qytet, ti duhet të lëvizësh nga këtu”; thotë: “unë nuk kam ku të shkoj sepse nuk kam shtëpi mo, shtëpinë ma ka djegë sistemi, unë s’jam prej atyne që mund ta ndërtoj shtëpinë dhe ai që më ka rrit ka familjen e vet e hesapet e vet, dhe ka shtëpi pak…dhe ashtu ishte e vërteta ne ishim domethënë jo shumë pjestarë të familjes por na i kanë djegë shpijat dhe na kanë konfiskue gjithë pasuninë që me pushkatimin e axhës Gjeloshit në ’46. Dhe përfundimisht i lanë nji datë takimi dhe e marrin me nji makinë të komunales dhe e çojnë në Torovicë. Aty në atë kohë ishte, mbaj mend sepse isha rritur isha ba nja 12-13 vjeç dhe mbaj mend se kena shkue shpesh te Pali, e kishin çue në nji kasolle aty ku ishte përballë burgut, n’atë kohë toka e Torovicës punohej nga të burgosurit ordinerë, ka kenë kamp i të burgosurve e më ka mbet në kujtesë dhe ky punonte me ta, nëpër ato kanalizimet dhe punët e bujqësisë që kishte dhe e çon fati me këtë nusen që ka të lindnin katër fëmijë. Fukaralleku ishte i tejskajshëm, persekutimi ishte i jashtëzakonshëm, ky domethënë ishte nën kontroll çdo lëvizje e tij dhe nuk kishte porosi që edhe në dyqan mos me shkue, po në dyqan do shkonte e ama për me blej ato pak ushqime sepse kishin njëlloj frike se ky në fakt ishte djalë i shkathët, i hijshëm ishte i pashëm ishte, dhe kishin pak frikë apo dojshin ta mbajshin nën trysni. Megjithatë nuk afru edhe vjen viti 1989. Në vitin ’89 familja ku kishte marrë nusen i thonë ik nga Torovica eja në Dajç, asht më situatë e lehtë ekonomike, kishin fillue pak ato ngaqë kishte ra sistemi në vendet e tjera të Europës, kishte njifarë liberazimi dhe ky shkon me jetue bashkë me gruan e fëmijët dhe nanën, shkon me jetue në Daragjat tek pronat e nuses. Nji natë prej netësh në nji mënyrë organizimi sepse pakënaqësia kishte arrit kulmin, Pali mendon që me ikë nga Shqipënia me nanën, me nusen dhe me katër fëmijët. Aty gjen edhe te të afërmit e nuses disa djelmosha që ishin edhe këta të gatshëm dhe përgatitën me mjete rrethanore atë lëvizjen që me ikë nga Dajçi, me kalue në Jugosllavi, dhe nisen në dy luna. Sikur kishe nji parandjenjë Pali në njënën nga lunat hyp vet, merr nanën, merr vajzën, merr edhe djalin e axhë të nuses Ernest Daragjatin edhe hypin në njanën prej këtyne lunave  dhe nji djalë që po e ngiste pasi këta nuk kishin dijeni me lëvizë, me shkue andej, ndërsa në lunën tjetër ven nusen, ven tre djemtë dhe po prapë nji kushëri i të shoqes. Nisen të dyja lunat me nji distancë 30 ose 40 metra sepse kjo asht histori që e dëftojnë edhe fëmijët e Palit që i pështunë me jetue dhe ai i djali që i drejtonte lunat. Kur janë largue edhe 150 metra apo 200 metra nga bregu i tokës, pa ndalesë, pa kurrëgja, Posta ushtarake lëshon breshëni plumbash mbi ta. Aty në kët lundër vriten Pali që ishte 46 vjeç, bile 44 vjeç ishte më i ri sepse ka lind më ’46 dhe vdes në ’90, pra vritet e ama që s’kishte pa dritë tjetër përveç Palit, vritet Ernest Daragjati që ishte banor dhe kishte njëlloj shprese se din sesi t’i largoheshe postës së kufinit dhe se ku asht pika më e shkurtër me dalë në Jugosllavi sepse aty ishte rrit. Nga tmerri i plumbave nuk dihet, sepse nga kjo lundër nuk shpëtoi asnjëni prej tyne. Dikush thotë që vajza ; një ndër oficerat që asht marrë në pyetje n’atë kohë ka thanë që ne vajzën nuk e kena vra, po vajza nga frika e plumbave  asht hedh në liqen, dhe vajza nuk asht gjet asnjëherë. Me këtë nuk i mori policia kufitare e jona dhe i mori policia e Malit të Zi  i ka çue dhe i ka varros në Ulqin. I kanë mbajt sepse mbas 4-5 vjetësh i kena marrë ne, domethënë dëfton nji ndër punonjësit e administratës së komunës të Malit të Zi që; ne i kena mbajt 36 ditë në morgun e qytetit. Me thirrjet qeveritare që të vijnë t’i marrin kufomat e t’i sjellin pranë familjeve të tyne, ato thonë nuk kena marrë asnji përgjigje dhe bile bile përmend edhe një ndër shpenzimet e mëdha që me buxhetin e komunës së Ulqinit kishin ba që me i mbajt gjithë ato ditë në morg me shpresën që do i marrë dikush. Nuk i morën. Ata i varrosën, Palin bashkë me nanën dhe me djalin e axhës së nuses, i varrosën në varrezat e Ulqinit. Ndërsa vajza nuk asht gjet sot e kësaj dite. Kështu pra që kemi nji numër të madh të këtyne njerëz që nuk ju dimë as varrezat, as kockat, as nuk dihet ku të shkojë njeriu ose pjestari i familjes njëherë në vit t’i përkujtojë.                                                                                                 Nisja për tu largue për në Jugosllavi nga dy familjet, sepse ishin dhe familja e nuses së Palit  ishte edhe Pali me fëmijët e vet me nanën dhe nusen, u nisën me mendjen se nuk janë t’u ba ndonjë gabim të madh po për të shkue në nji vend që mund të jetohet ma mirë sepse dy javë përpara ish-Presidenti famëkeq i asaj kohe Ramiz Alia kishte dekretu nji ligj që “shkelja e kufinit nuk përban ma tradhëtinë ndaj atdheut siç ishte por përban masë administrative” dhe këta mendojshin se nëse kalojnë, kalojnë nëse nuk kalojnë do gjobiteshin se masa administrative kët parashikonte që do të kishin nji masë ndëshkimore dhe po kaluem kaluem, po nuk kaluem do na largojnë nga ky fshat do na çojnë në nji fshat tjetër apo do kenë nji masë apo ndëshkim tjetër. Por ndodhi e kundërta, këta i vranë. Palin bashkë me nanën dhe vajzën, vajza Liljana ishte 9 vjeçe e cila nuk u gjet, kjo nga tmerri i plumbave asht hedhur në liqen dhe nuk asht gjet at’ditë dhe sot. Ne kishim njifarë shprese se kur shkuem në Jugosllavi  me tërheq mbas 5 vjetësh trupat, mund të jenë thashetheme që  nuk asht gjet vajza po realiteti asht se ata kishin mbajt nji proçesverbal krejt të rregullt me emna me fotot e personave të vramë dhe në varrezat e qytetit, nji parcelë të caktume kishin secili nga të varrosunit, të pushkatumit që ishin aty, kishin foton origjinale, foton që asht mbas pushkatimit e kishin aty dhe kishin nji kartelë gjithësecili me të dhanat, me datëlindjen, me venin, me plumbat, me ekspertizën që ishte ba. Pra ishte gjithçka që këtu nuk mund të ishte ba, se këtu ka ndodh që na i kanë vra njerëzit dhe s’ka mbajt kush  proçesverbal, as ka foto, as nuk dihen vendet ku prehen sot ose mos janë hedh me fadroma nëpër lumenj. Kështu pra ishte një diçka që ata që nuk i kishin shtetasit e vet, kishin kalue nji proçedurë ligjore, nji proçedurë që edhe sot asht për tu  habit, dhe shteti jonë që i kishte shtetasit e vet asnjëllojë interesimi, njëlloj përbuzje, urretjeje më shumë se kurrëgja.      Ne nga familja kemi 5 të humbun dhe i pari asht Gjeloshi i cili u pushkatue me vendim gjykate por varri i tij nuk dihet. I dyti asht Gega i cili vdiq në internim në Berat, në kampin e përqëndrimit në Berat dhe nuk i dihet.  Në fakt janë katër jo pesë të humbun. Asht nji fat i familjes sonë se pesë ishin realisht, i dytë ishte gjyshi im që e mbytën në tortura dhe e varrosën në burg por me ndërhymje, mirë që kishte shumë miq dhe faktikisht ai quhet Barjaktar i Shoshit, ne si familje kët persekutim kryesisht e kemi marrë nga emri që trashëgojmë dhe ky u varros në burg dhe ka shumë dëshmitarë që unë kam pas rastin pas viteve ‘90 të rri me ta, por fati e çoi se e zhvarrosën mbas pak kohët edhe e sollën, e prunë në varrezat tona, pa ceremoni po si kufomë e morëm ne.  Po ashtu  edhe Deli Marashi që ishte i zoti i shtëpisë, djali i axhës së gjyshit edhe ky ishte i dënuem me burgim të përjetshëm, njani dënim ishte burgim i përjetshëm, njani ishte 101 vjet edhe ky vdiq në burg, edhe ky asht varros në kamp edhe asht marrë mbas disa kohësh. Pastaj i katërti vjen Pali që e morëm në Jugosllavi po për shtetin dhe për ne ishte i humbun sepse shteti nuk i ra mbrapa dhe vajza që nuk asht gjet asht Liljana që ka edhe sot e kësaj dite e gjithë familja, i gjithë rrethi jonë familjar jemi të merakosun për atë fëmijë 9 vjeç që dihet se asht mbyt në Bunë në mes të plumbave apo edhe nga plumbat po edhe asaj nuk i asht gjet vorri. /kujto.al

 

S'KA KOMENTE