Dëshmia/ Fatos Kërluku: 15 ditë në pranga këmbë e duar

0
480

Pasojat e tentativave për arratisje të të vëllait, i vuajtën të gjithë. Të atin ia mbytën në Topojë të Fierit, ku internuan familjen. Fatos Kërlukun e dënuan dhe ndërsa ishte në burg, e ridënuan. Pa një pa dy, e fusnin në birucat e izolimit për motive nga më të kotat. Madje edhe të ëmën, e burgosën në moshën 70-vjeçe, duke e akuzuar sikur ishte larguar pa leje nga vendi i internimit.

Kujto.al sjell dëshminë e një persekutimi që ra mbi gjithë familjen dhe mori fund vetëm në vitin 1991...

Dëshmia e plotë, si më poshtë:

Zoti Fatos, kur keni lindur dhe cila ka qenë familja juaj?

Unë kam lindur në 9 mars 1952. Familja ime ka qenë Idriz Kërluku, Xhemile Kërluku dhe kemi filluar persekutimin që në vitin ’64. Në ’64-ën, u arratis vëllai. E kapën në Hot të Kastratit, e futën në burg, e dënuan me 3 vjet, po si moshë e re, e çuan në koloni. Nga kolonia, u arratis prapë në ‘66-ën. E dënuan me burg. Bëri 3 vjet burg, u lirua. Në ’75-ën, u arratis prapë, e dënuan me 25 vjet burg. Me raportin që kishte, ia lanë 10 vjet. I bëri 10 vjet burg.

Gjithmonë tentativë për arratisje...

Gjithmonë për arratisje, domethënë tri herë për arratisje. Në ’85-ën, mbasi doli nga burgu, u arratis edhe foli te jugosllavi. Te jugosllavi, ata e detyruan me fol se mos dyshonin për spiun. Familjen ma internuan në ’85-ën, babain ma mbytën në Topojë të Fierit, ku ishte e internuar familja. Ishte duke punuar në kooperativë. Motrat me nënën, kur vijnë e kërkojnë te policia, i thonë: “Shiheni se mos e keni poshtë urës”. Edhe e gjetën aty të mbytur. Kurse unë për vete kam filluar persekutimin në ’74-ën. Më internuan në Tale të Lezhës, i dënuar me 5 vjet. Bëra një vit, më erdhi vëllai i vogël, e përcolla. Më futën një ikje pa leje e më dënuan 5 muaj. Kisha dhe 5 ditë për t’u liruar. Më arrestuan për politikë. Në dhjetor më arrestuan, në ’76-ën. Më dënuan për politikë 7 vjet.

Si ka qenë momenti i arrestimit?

Më vjen më merr ai Dhimo Sinani. Kishin arrestuar Shpëtim Stërmasin edhe më merrnin mua e më thoshin: “Ne nuk e kemi me ty, por e kemi me Shpëtim Stërmasin, se ai e ka vëllain të arratisur”. Po me ne ishin edhe dy çuna që i kishin familjet oficera: Arian Gjeqi dhe Bektash Shatko. Arian Gjeqi e kishte të atin oficer në Shkollë të Bashkuar edhe më morën, përfundimisht. Më merrnin natën në hetuesi, në 12.00 të natës duke bërë presion edhe më dënuan me 7 vjet.

Sa kohë kaluat në hetuesi?

7 muaj.

Në cilën hetuesi, në Tiranë?

Në Tiranë, te birucat e Tiranës.

Cili ishte hetuesi juaj?

Hetuesi im ishte Dhimo Sinani.

Çfarë metodash kanë përdorur në hetuesi për t’ju detyruar të thoshit atë që dëshironin? Çfarë kërkonin ata?

Ata kërkonin që ne patjetër të pranonim që kemi dashur të arratisemi ose kemi bërë agjitacion. Faktikisht, unë rashë për agjitacion e propagandë. Nuk është se kisha bërë ndonjë gjë. Ata e kërkonin me çdo kusht edhe të them se përdorej ndonjë metodë duke na rrahur nuk ta them, se nuk e përdorën.

Po në pyetje kur ju merrnin?

Kur t’iu mbushej mendja, në orën 10.00, në orën 11.00, 12.00, në orën 01.00, kur të donte hetuesi. Kur të vinte hetuesi, që ndoshta i tekej të vinte nga shtëpia, vinte në kaush, i thoshte policit: “Ma sill Fatos Kërlukun në hetuesi”. Edhe hapej biruca dhe më merrte në hetuesi. Domethënë mbaj mend kur kam qenë duke fjetur në hetuesi, është hapur dera në 12.30 të natës dhe shoh te dera një polic 2 metra, kishte qenë basketbollist i Tiranës, a i Dinamos se nuk e mbaj mend... U çova dhe rashë prapë. “Çohu!” -më tha mua. -“Çohu se ta marrim shpirtin.” “Po mo -i thashë- se nuk ka ngelur ndonjë gjë pa më marë, m’i keni bërë të gjitha”. Edhe më ka marrë në 12.30 të natës, më ka vendosur hekurat dhe më ka çuar në hetuesi.

Ju kaluat një periudhë të gjatë në hetuesi. Kur ishte momenti i dënimit?

Unë bëra 7 muaj hetuesi, domethënë jam dënuar në gusht, u dënova me 7 vjet burg.

Cila ishte akt-akuza?

Agjitacion e propagandë.

Agjitacion e propagandë kundër pushtetit.

Mbasi morët dënimin, në cilin burg ju çuan?

Shkova në Spaç të Mirditës, bëra atje 5 vjet e gjysmë.

Më fol pak për kushte e kampit të Spaçit...

Kushtet e kampit të Spaçit... Na merrnin, na nxirrnin në punë, për të bërë bakrin, piritin, me norma. Po mos ta bënim, na fusnin në birucë. Ishte me detyrim t’i bënim vagonat, domethënë binte çanga, dilte Dhimo Sinani thoshte: “Hajdeni për punë”. Pa bukë, pa gjë. Bukë nuk na linin të merrnim me vete. Kapeshim dorë për dore, shkonim në minierë dhe do të fillonim duke nxjerrë bakër edhe pirit.

Po në kapanonet ku flinit, sa veta ishit?

Në kapanonet ku flinim, ishim 40 veta, 40-45 veta. Krevatet ishin treshe. Në Spaç, unë mund të flas për Burrelin, në Spaç ka qenë ëhë...

Po Burreli?

Unë u dënova 7 vjet edhe ika në Spaç, bëra 5 vjet e gjysmë. Më ’81, në prill, më 23 prill ’81, më arrestuan prapë. Kisha edhe një vit e gjysmë e më arrestuan prapë, për politikë, për agjitacion brenda në burg. Më arrestuan prapë edhe më çuan në hetuesi, më çuan me çunin e Bedri Spahiut, Spartak Spahiun, Edmond Halimin, Adem Xhaferin, Petrit Karazin edhe Ali Garunjën. Edhe bëmë  aty prapë hetuesi speciale ku kishin bërë edhe këta… Beqir Balluku. Edhe hetues kisha në atë kohë Ferit Sulën si shef hetuesie që ishte, edhe një Agim Bendo. Na morën në hetuesi edhe e binin policin e i thoshin: “Ky nuk pranon”. Edhe më lidhte polici me duar mbrapa, m’i shtrëngonte, një Llambi, Llambi. Dhe ma vendoste cigaren te hunda, ma ndizte shkrepësen dhe ma vendoste këtu. Donte patjetër që ne të pranonim, që kur të shkonte në Ministri, të shihej që ne nuk ishim dënuar kot. Edhe më dënuan 10 vjet të tjera. Më çuan në burg të Burrelit. Në burgun e Burrelit sa kam shkuar ditën e parë domethënë, ka qenë nëntor. Më thanë mua: “Zhvishu lakuriq”. Kemi qenë unë, Petrit Karazi edhe Spartak Spahiu, tre veta lakuriq. Zhvishu se këtu është burgu i Burrelit...

Edhe u zhveshëm lakuriq, edhe u ulën këto me na pa edhe nga mbrapa, mos kishim marrë diçka fshehurazi nga mbrapa. Mbas një muaji më kanë futur në birucë. Ka qenë Kosta Grama. Ishte një dhomë e gjatë edhe flinim në 60 cm, kishim krevatin 60 cm, me të matur me gishta, prandaj edhe bënim letra. Gazetat që na vinin, i bënim me brumë për t’i vendosur te fytyra njëri-tjetrit se s’kishim gjëra të tjera, bëj me brumë, vendos gazeta. Edhe bëheshin si kompensatë edhe i vendosnim ngjitur që mos na binte fryma. Njëri flinte me kokën këtu, tjetri e vinte pak më andej se drejt nuk shtriheshim dot, po flinim kështu skiç. Edhe në këtë kohë kur unë isha në burg të Burrelit, vëllai u arratis dhe iku. Ngaqë ata nuk kishin çfarë t’i bënin vëllait, më merrnin mua. Një e dy futesha në birucë. Më fusnin në biruca dhe më thoshin: “Të morëm në birucë, sepse nuk dole në ajrosje.” Po kur e kishim orarin për të dalë në ajrosje, nuk doli gjithë dhoma, nuk dola as unë, nuk kisha si dilja. Dolën dy veta, por ata ishin kokrrat e spiunëve. Më thanë mua: “Pse nuk dole”? “Po nuk doli gjithë dhoma”. “Jo. Ti, pse nuk dole? Edhe më futën në birucë e më thanë: “Ktheji duart mbrapa”. I ktheva duart mbrapa, po nuk e dija çfarë kisha bërë. Më lidhën me ganxha te muri, më lidhën dhe këmbët me ganxha me dryn edhe më lanë ashtu 15 ditë. Po kur haja bukë në mëngjes, t’i zgjidhnin edhe në darkë, haje bukë, t’i zgjidhnin, pastaj në orën 8.00 të darkës, të lidhnin me hekura sërish mbrapa e të linin të flije ashtu. Në orën 8.00 të darkës të zgjidhnin nga ganxhat edhe të linin në dërrasa. Dërrasat ishin një dërrasë këtu- një këtu, dritaret ishin pa xhama, të hapte polici edhe sportelin e birucës tjetër dhe jugu me veriun bënte korent. Edhe ta jepnin batanijen në orën 8.00 edhe ta merrnin në 7.00 të mëngjesit. Një batanije që mund të kishte 20 vjet në Burrel, ishte si letër zumparaje. Të sillnin në mëngjes një çaj, ai çaji mund të kishte një gisht zhavorr brenda. Për bukën në Burrel, mblidhnin atë lëmin e fundit të grurit edhe e bluanin, e bënin bukë e na e sillnin ne. Dhe ne kur bënim çaj, zhavorr kishte në fund fare nga buka që hanim. Na sillnin në drekë bishta qepësh edhe po të kishte uji një pikë vaj ne thoshim se i paskan hedhur yndyrë gjellës, paska vaj. Më fusnin në birucë, më nxirrnin, më fusnin prapë. Një herë më morën kontroll, thoshin: “Merri plaçkat e nxirrja kontrollit përjashtë”. I marr, i nxora plaçkat përjashtë edhe vinte një polic edhe m’i hidhte plaçkat në tokë. Ishte i afërt me një Ilir Akaraj që më thoshte mua: “Mos bëj fjalë me ta, se duan të të fusin në birucë”. Shefi i policisë, Skënder Baçi ishte aty brenda edhe më gjetën 3 aspirina. M’i morën ato. Kur erdhën, ma sollën kutinë e shkrepëses plot edhe më thanë mua: “Hajde për birucë”. Duke më futur në birucë thoja: “O Zot ma merr jetën”. Në ’91-shin pastaj, në janar të ’91-shit u lirova, pasi bëra 14 vjet e  gjysmë burg, fiks.

Përpara se të vinte lirimi, çfarë ndodhte me familjen tuaj? Babai ju vdiq. Çfarë ndodhte me nënën tuaj kur ju ishit në burg?

Babai kishte vdekur, por unë nuk dija gjë që ma kishin mbytur. Unë e mora vesh që më ka vdekur kur kam dalë nga burgu, kur më thonë, duke pirë kafe te Pallati i Kulturës, disa shokë: “A je Fatos Kërluku ti”? “Po.” “Po pse nuk na flet?” “Po ku ju njoh?!”-i thashë unë. “Po, -thanë,- ne ta nxorëm babain kur ta mbytën.” Edhe atëherë ngrihem nga karrigia edhe i them nënës: “Si është puna?” “Kështu, kështu” –më tha. Nënës i kishin dhënë lejë në ’76-ën, nga Topoja e Fierit, plaka ishte 70 vjeçe. I dhanë lejë për të ardhur e për të më takuar mua në kaush. Aty nënës ia mohuan lejën dhe bënë sikur kishte ikur pa lejë nga Topoja edhe e futën në burg. Edhe nëna bëri nja 6 muaj burg pa ditur gjë fare. Kur dal nga burgu më thonë disa njerëz që ta kemi pasur mamanë në burg e ta kemi ndihmuar. “Ore –thashë- ju e ngatërroni se nuk ka qenë nëna ime në burg”. Vij unë e pyes nënën, por këta nuk më kishin treguar se unë kisha qenë në burgun e Burrelit. Edhe ngaqë ajo nuk vinte shpesh, unë s’e merrja vesh. Edhe e mora vesh që kishte bërë dhe nëna burg. Në ’76-ën, familjen time e internuan, nga fshatrat e Tiranës, 5 vjet. Mbasi e kthyen në ’85-ën, kur iku vëllai prapë, e internuan prapë në Topojë të Fierit. Shtëpinë na e morën, na çuan te Poligrafiku. Pastaj, pasi u internuan në ’85-ën, atëherë na e morën shtëpinë, futën oficera. Vëllain e kishin internuar te fshatrat e Tiranës, pasi e bashkuan vëllain me nënën. Edhe vëllain e vogël e merrnin e fusnin në burg, jo për sherr e jo për kështu ngaqë ishim ne dy vëllezërit në burg për politikë. Kur dola, isha pa shtëpi, pa gjë. Kur dola në ’91-shin isha te 21-shi me një shtëpi, edhe aty më vinte policia e më thoshte: “Do dalësh nga shtëpia”. Me probleme, me halle.

Ju keni dalë në vitin ’91, në janar.

Në ’91.

Më flisni pak për momentin kur ju thanë që do të dilnit nga burgu... Ju s’e kishit plotësuar dënimin, ju zuri falja besoj?

Kur dola unë, edhe 2 muaj burg kisha. Unë e kisha për të dalë në mars, dola në janar.

Si e përjetuat momentin kur dolët? 

Kur dolëm, ishte zbutur koha edhe po e shikonim që po i lironin për ditë pak e nga pak edhe e prisnim me ditë edhe nuk na u duk ndonjë gjë, se ishim bërë si kafshë, ishim mësuar edhe nuk ndjenim ndonjë gjë në fillim kur dolëm nga burgu. Kur bën gjithë jetën burg, nuk ndjen ndonjë gjë. Edhe kur dolëm, s’patëm as ngrohtësi e as kënaqësi. Erdha te 21-shi. Shtëpinë nuk e dija ku e kishin çuar, shtëpia ishte me qira. Nëna flinte në një dhomë me motrat, unë s’kisha ku të flija. Kishim hyrë në një shtëpi me qira, shtëpi nuk kishim, ma kishin marrë. E ndjeva veten sikur isha më keq se në burg kur dola, se s’kishim asnjë gjë. Vëllai kishte ikur, edhe vëllai tjetër kishte ikur, babain ma kishin vrarë. Kur dola nga burgu, s’ndieja, se unë kisha edhe dy muaj burg. Edhe u kam thënë... E mbaj mend, kur më kanë ardhur për të më komunikuar, më thanë: “Qeveria mendon për të të liruar”. “Dreqi jua rrittë nderin-i thashë- se ju më ridënuat prapë, po lironi këtë që është sakat.” Se ishte një me këmbë të këputur. “Lironi këtë sakatin se unë e plotësova, nuk dua me më fal ju”- u thashë, -“për dy muaj, se unë hyra për 7 vjet ju më ridënuat edhe 10 të tjera në burg. Tani edhe 2 muaj. Unë nuk i dua nderet tuaja”. “O kështu, -më tha -hë, se të rregullojmë ne”. “Po lironi këtë sakatin.” Ishte njëri nga Tropoja që ishte me këmbë të këputur. “Lironi këtë!”.

Mbasi u liruat nga burgu, si rrodhi jeta juaj?

Mbasi u lirova, punova disa kohë në Vorë si bodyguard, pastaj në 2000-shin ika në Amerikë, qëndrova ca vite atje në Amerikë. Atje pata probleme me familjen, u ndava edhe u ktheva. Kam 3 vjet që jam kthyer dhe tani jetoj këtu në Shqipëri.

Nga arkiva e familjes Doko

S'KA KOMENTE