Procesi i dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve vazhdon të përballet me pengesa, pavarësisht ndryshimeve të miratuara nga qeveria, gjatë muajit maj, që synojnë ta përshpejtojnë atë. Kujto.al u kërkoi institucioneve përgjegjëse të dhënat e fundit mbi procesin, për të zbuluar se ritmi mbetet pothuajse i pandryshuar, asnjë dosje e re nuk ka kaluar për miratim dhe mbi 10 mijë dosje të miratuara, presin ende pagesat, përfshirë edhe disa ish-të burgosur gjallë.
Një vit pas investigimit të kujto.al mbi dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë, procesi vijon të mbetet i ngadaltë. Shqyrtimi i dosjeve të reja ka ngecur, pagesat për dosjet e miratuara ecin me ritme të ulëta, ndërsa një pjesë e ish-të përndjekurve vazhdojnë të mbeten jashtë skemës së parashikuar nga ligji.
Ministria e Drejtësisë konfirmon, në një përgjigje me shkrim për kujto.al, se prej të paktën 14 muajsh nuk ka marrë në shqyrtim asnjë dosje të re. Ndërkohë, Ministria e Financave bën të ditur se gjatë këtij viti janë dëmshpërblyer plotësisht vetëm 35 dosje, ndërsa mbi 10 mijë të tjera vazhdojnë të jenë në pritje.
Qeveria ka ndryshuar skemën e dëmshpërblimit me synimin për të përshpejtuar procesin, duke parashikuar likuidimin e rreth 60 për qind të dosjeve brenda 4-5 viteve të ardhshme. Megjithatë, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vlerësuar më herët se, me ritmin aktual të zbatimit, përfundimi i procesit do të kërkonte edhe 27 vjet.
14 muaj, asnjë dosje e re e shqyrtuar
Në pranverën e vitit 2025, në kuadër të një investigimi të mbështetur nga BIRN dhe të publikuar në korrik të atij viti, kujto.al mblodhi të dhëna nga institucionet përgjegjëse dhe dëshmi nga ish-të përndjekurit politikë mbi procesin e dëmshpërblimit.
Të dhënat e siguruara nga Ministria e Drejtësisë në korrik 2026 tregojnë se situata ka mbetur e njëjtë me atë të para 14-15 muajve. Sipas ministrisë, 728 dosje të dorëzuara brenda afatit ligjor të 1 korrikut 2009 vijojnë të jenë në proces shqyrtimi dhe verifikimi.
MD i ka shpjeguar më herët vonesat me probleme të ndryshme, përfshirë saktësimin e të dhënave, mungesën e dokumentacionit nga kërkuesit dhe verifikimet me institucionet e tjera. Megjithatë, ligji "Për Dëmshpërblimin" përcakton afate prej 10, 30 ose 35 ditësh për fazat e verifikimit. Për më shumë se një vit nuk është përfunduar verifikimi i asnjë dosjeje dhe deri në publikimin e këtij shkrimi, kujto.al nuk ka marrë një shpjegim nga Ministria e Drejtësisë për këtë ngecje.
Edhe shqyrtimi i dosjeve të dorëzuara pas 1 korrikut 2009 dhe deri më 31 dhjetor 2017 nuk ka nisur. Ndryshimet ligjore të vitit 2017 u dhanë mundësi ish-të burgosurve politikë që ishin ende gjallë, por që nuk kishin aplikuar gjatë fazës së parë, të dorëzonin dokumentacionin.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, gjatë kësaj periudhe u depozituan 3036 kërkesa. Megjithatë, duhen ndryshime të tjera ligjore që të nisë shqyrtimi i tyre. Vitin e kaluar, MD njoftoi se procedura për këto ndryshime kishte nisur, ndërsa këtë vit, nuk dha informacion mbi fazën ku ndodhet procesi.
Mbi 10 mijë dosje në pritje, qeveria ndryshon skemën për përshpejtimin e procesit
Për dosjet e miratuara, vonesat vijojnë në fazën e pagesave. Ministria e Financave informoi kujto.al se gjatë 14 muajve të fundit janë likuiduar plotësisht 35 dosje. Me këtë shtesë, numri total i dosjeve që kanë përfituar të plotë dëmshpërblimin ka arritur në 2605, por ndryshimi është aq i vogël sa përqindja mbetet e njëjtë me atë të raportuar vitin e kaluar. Numri i dosjeve të likuiduara është rreth 19 për qind e dosjeve të miratuara dhe vetëm 6 për qind e numrit total të ish-të përndjekurve në Shqipëri.
Ndërkohë, më shumë se 10 mijë e 300 dosje presin ende këstin e radhës. Mes tyre janë edhe 10 ish-të burgosur politikë të gjallë, të cilët e kanë dorëzuar dosjen para 1 korrikut 2009.
Sipas Ministrisë së Financave, deri më 30 qershor 2026 është shpërndarë 51 për qind e fondit total prej mbi 52.6 miliardë lekësh të parashikuar për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve. Vitet e fundit, përqindje e fondit të shpërndarë është rritur me rreth 2% çdo vit. Për vitin 2026, janë caktuar 1.5 miliardë lekë, ose 7 për qind më shumë se një vit më parë dhe deri tani janë shpërndarë rreth 60 % e këtij fondi.
| 2026 | 1,500,000,000 | 895,131.485.00 lekë | 8,716 individë |
| 2025 | 1,400,000,000 | 1,399,456,190.92 lekë | 11,611 individë |
| 2024 | 1,200,000,000 | 1,059,093,684.70 lekë | 9, 598 individë |
| 2023 | 1,100,000,000 | 1,099,955,768.81 lekë | 8, 362 individë |
| 2022 | 1,000,000,000 | 997,784,945.00 lekë | 8,767 individë |
| 2021 | 1,000,000,000 | 914,844,985.64 lekë | 8, 381 individë |
| Totali | 6,366,267,060.07 | 54,835 individë |
Burimi: Ministria e Financave
Për familjarët e ish-të dënuarve politikë, është çelur kësti i pestë i dëmshpërblimit, gushtin e kaluar, por jo të gjithë përfituesit ndodhen në të njëjtën fazë. E bija e një ish-të burgosuri politik, u tha gazetarëve të Kujto, në nëntor se ende nuk kishte tërhequr këstin e katërt. Qytetarët mbeten të pakënaqur edhe me ritmin e procesit. Njoftimi për çeljen e këstit të pestë në faqen zyrtare të Facebook-ut të Ministrisë së Financave, është komentuar me ankesa nga familjarët e ish-të përndjekurve. “Quhem Kadri, jam 81 vjeç. Kur do ta marr këstin e pestë, kur të vdes?”, shkruan një prej tyre.
Ndryshimet e miratuara nga Këshilli i Ministrave në maj 2026 synojnë përshpejtimin e pagesave. Ministri i Financave Petrit Malaj deklaroi se u hoq kushti i ndarjes së dëmshpërblimit në 8 këste të barabarta dhe se vlerat deri në 1 milion lekë do të likuidohen të plota me këstin e radhës.
Sipas ministrit Malaj, ndryshimet do të ulin intervalin mes kësteve nga 4 vjet aktualisht në maksimumi 2 vjet e gjysmë dhe do të mundësojnë likuidimin e rreth 6 mijë dosjeve nga mbi 10 300 që janë ende në proces, brenda 4-5 viteve të ardhshme.
Asnjë derë e hapur për të mbeturit jashtë skemës
Për ish-të përndjekurit që nuk kanë arritur të dorëzojnë dosjet brenda afateve ligjore, situata mbetet e pandryshuar prej vitesh. Kur dërgojnë dokumentacionin, kërkesat nuk iu pranohen dhe u mbetet vetëm të presin një ndryshim të ligjit dhe hapjen e një afati të ri aplikimi.
Në qershor të këtij viti, Komisioni parlamentar për të Drejtat e Njeriut rrëzoi nismën e deputetes së Partisë Demokratike, Greta Bardeli, e cila propozoi një projektligj që do t'u jepte mundësi ish-të përndjekurve të dorëzonin dokumentet deri në fund të këtij viti.
Ligji në fuqi "Për Dëmshpërblimin" nuk u njeh të drejtën e kompensimit financiar as familjarëve të viktimave të vrara para 30 nëntorit 1944. Jashtë skemës mbeten gjithashtu personat e dënuar "për terrorizëm" mbi bazën e ligjeve të diktaturës, si dhe pothuajse të gjithë të internuarit politikë.
Për të internuarit në kampet me tela me gjemba, pengesa lidhet me mungesën e dokumentacionit të nevojshëm në arkiva. Ndërsa për të internuarit e periudhave të mëvonshme, pengesa lidhet me mungesën e vendimit të Këshillit të Ministrave që do t'u jepte të drejtën e një pensioni.
Ndryshimet e fundit në skemën e dëmshpërblimit synojnë të përshpejtojnë pagesat, por nuk zgjidhin të gjitha pengesat që shoqërojnë procesin. Ndërsa janë mbushur 35 vjet nga rënia e regjimit komunist, detyrimi ndaj të përndjekurve të atij regjimi, mbetet i pashlyer./kujto.al
Imazhi kryesor: Ilustrim grafik nga Romilda Marku