Çfarë ndodhi në sallën e gjyqit, ku u dënuan me vdekje poetët e Bërzeshtës

0
3415

41 ditë para pushkatimit/ Shënim nga Salla e Gjyqit, 6 qershor 1977 "... Gencin e akuzonte kunati i tij, Demiri,  i cili ishte bërë bashkëpunëtor i sigurimit qysh në 1964 me pseudonimin “Xhami” dhe tani ai po thoshte gjëra të tmershme në adresë të Gencit. Dhe ai po i pëgjigjej kunatit pas çdo akuze: “Po! Po! Po!”Dhe në fund “Të gjitha i kam bërë’. Të gjitha proceset e ballafaqimit të kunatit të Gencit, me lloj-lloj dëshmish, e kryqëzuan Gencin, dhe ai po i pranonte akuzat si një automë... Në sallën e gjyqit disa orë më parë Genci kishte mohuar sabotimin ekonomik duke thënë se kunati im gënjen dhe shpif. Ky mohim i akuzës pat çuar në ndërprerjen e seancës..."

Nga Bedri Blloshmi

Na lidhën dy e nga dy, na hipën në një gaz të zbuluar, kishte kaq shumë policë sipër saqë ne s`mund të shikonim njëri-tjetrin. Nën vapën përvëluese të qershorit, përpëlisnim sytë ngaqë ishim mësuar në errësirë. Të dy anët e bulevardit ishin mbushur me fshatarë të leckosur, të pa rrojtur me flokë të shpupurisura si gjëmba murrizi. Disa prej tyre mbanin në dorë parrullat e zakonshme “Rroftë komunizmi. Rroftë shoku ENVER, Ndërtojmë Socializmin me forcat tona ! Kulakët në litar! Poshtë Armiqtë e Klasës! Përpara makinës tonë ecte prokurori dhe gjyqtari me fashikuj në duar.
Zumë vend në sallën e shtëpisë së kulturës, që e kishin shndrruar në sallë gjyqi. Hyrja quhet se është e lirë, por aty kishte vetëm të ftuar. Numurova 18 policë në sallë. Ngjitur mbrapa nesh ishin ulur gjithë dega e brendshme. I njihnim si fytyra. Nga familjet tona asnjë, kurse avokatët e çdo lloj mbrojtje ligjore, i kanë zhdukur me kushtetutën e miratuar një vit më parë. Përpara nesh zuri vend trupi gjykues, në krah të tij në një tavolinë të vogël, ishte sekretarja, që do shkruante ndonjë gjë kur ta urdhëronte gjyqtari. Përballë u ul prokurori. Mbi kokat e tyre vareshin të tjera parrulla të shkruara me bojë të kuqe me të njëjtat thënie si ato të leckamanëve që rrinin jashtë. Në krah të trupit gjykues, erdhi dhe u ul veç një person, fytyrën e të cilit s`e kisha parë kurrë. Rrinte i heshtur, si duket kontroll mbi kontroll. Mbasi zunë vend të gjithë, gjyqtari Subi Sulçe theu heshtjen: “I pandehuri Genc Leka çohu në këmbë”.
Pasi mbaroi me gjeneralitetet e pyeti: “I pandehur, a e keni marrë akt-akuzën dhe a e pranoni atë? Genci filloi të përgjigjet: “ Po e kam marrë dhe pranoj vetëm nenin 73/1 i cili bën fjalë për agjitacion e propagandë. Do të shpjegoj gjithë krijimtarinë time poetike dhe kuptimin e çdo vargu, ndërsa nenin 72-12 nuk e pranoj se nuk kam kryer sabotim.”Trupi gjykues, prokurori dhe ca civilë të tjerë krah tyre u ra një çehre e errët. Sigurimsave po ashtu; dukej që të gjithë prisnin tjeter gjë. Gjyqtari pasi liroi kollaren e kuqe në qafën e dhjamosur, nisi të flasë por me vështirësi: “Seanca mbyllet, vazhdon pasdite.”
Dolën të gjithë pa folur asnjë fjalë. Subiu mori vandakun me letra, iu bashkua prokurorit dhe u zhdukën. Policët na morën dy nga dy të lidhur, për të na çuar në izolim. Për të qënë i sinqertë u gëzova aq shumë sa s` mund ta përshkruaj. Mu kujtuan fjalët e Vilsonit që kishim biseduar me të trokitura në birucë, për të mos e pranuar akt-akuzën asnjëri, se mbase ashtu prishej gjyqi. Ç`iluzion naiv them tani. Na mbyllën nëpër biruca, ndërsa në koridor dëgjoheshin zhurmat e tyre që lëviznin si marrauzhgat kur u prish folenë.
Nuk kaloi shumë dhe u hap biruca e Gencit, u dëgjuan dhe prangat që e lidhnin., dhe hapa. Si duket e morën lart në zyrë. Me vrap trokita në mur dhe pyes personin që ishte me Gencin në birucë (Iljaz Balliu i dënuar për mashtrim me pseudonimin “Lundronjësi”.) Nuk mora përgjigje, ndofta nga frika, por kuptova që kishin marrë Gencin lart. Kthehem nga krahu tjetër, i trokas Vilsonit dhe i trokas “Kanë marrë Gencin lart”.
Vilsoni mu përgjigj; “Do ta kërcënojnë të pranojë sabotimin”. Pas një orë a më shumë e sollën. Trokita përsëri por nuk mora asnjë përgjigje prej tij. Kuptova që Genci do ishte tronditur, mbase dorëzuar. U shqetsova pa masë. Po na përmbysej plani për të qënë me një gojë kundra sabotimit. Dhe vërtet, ata nuk pritën. Pas pak na morën përsëri dhe na çuan në sallë. Gjyqtari tani i gjallëruar foli me ton të sigurt: “Kush e do fjalën nga salla?” U ngrit një pensionist bashkfshatar i ynë, Mit’hat Leka ish-mësues. Nisi të murmuriste “Shoku kryetar i seancës, më lejoni të them dy fjalë. Të gjithë këta unë i njoh, i kam bashkfshatarë, dhe Gencin e njoh shumë mirë.
Është djali i tradhëtarit Bardho Leka. Po ashtu armiqtë e tjerë, Vilsonin dhe Bedri Blloshmin që vijnë nga familje kulakësh. Xhaxhanë dhe babanë e tyrë i kanë pasur nëpër burgje. Këtyre u dhembin sytë kur shikojnë arritjet tona dhe mirqënien e popullit nën udhëheqjen e partisë... Prandaj unë kërkoj të mos merremi me këta bij armiqsh e tradhëtarësh, ti nxjerrim në shesh e t’i varim një e nga një e mos harxhoni kot frymën e as letra për këta armiq.” I dyti ishte një oficer, Isa Kopaçi nga fshati Qukës që kurrë nuk e kishim parë si fytyrë.
Ai nisi të flasë për mbrojten e socializmit dhe u bashkua me mendimin e parafolësit. Mbas tij u ngrit një barkalec i quajtur Todi Bardhi, “Jam komunist, jam sekretar partie në kooprativën e Lunikut. Unë edhe pse nuk i njoh këta armiq kam besimin te partia se do tua gjejë vendin dhe do të shpartallojë këtë grup të rrezikshëm.” U ul dhe u ngritën dy nxënës të gjimnazit, siç thanë, lexuan disa fletë që nga të lexuarit mëk mëk unë kuptova që ua kishin dhënë; nuk ishin fjalët e tyre. Nuk zgjati shumë ky lexim qesharak i gjimnazistëve, gjykatësi ua ndërpreu dhe thirri “të hapet seanca gjyqsore”.
S`duronte dot gjersa të mbaronte punë me ç`kishin shkëputur nga Genci. “Kush e do fjalën nga të pandehurit?” “Unë” u dëgjua një zë që dukej sikur vinte nga një humnerë. Ishte Genci. Zëri i tij mezi dilte, dridhej si jehona e një cope metali kur e godet. Genci kishte ndryshuar krejt. Në seancën e paradites nuk e pranoi sabotimin. Tani ngrihej dhe ulej si i komanduar, shikonte përreth, bënte lëvizje të pakontrolluara, fuste duart në xhepat e pantallonave nxitimthi, shikonte herë majtas herë djathtas... Kuptohej lehtë që kishte ndodhur diçka me të. Sytë i mbyllte e i hapte si i droguar, dhe e përshkonin drithma në trup. Kurrë nuk u mor vesh si e kishin katandisur atë djalë në gati kufomë, pa fuqi të përqëndrohej.
Me ndonjë drogë them, po edhe me premtime njëkohësisht. Me një kombinim të tillë të teknikave, e kishin bindur si duket të thoshte vetëm “po” dhe do të shpëtonte. Atje lart, në zyrë , i kishin provuar me sukses ato marifete të sofistikuara, e kishin asgjësuar. Bir i një të arratisuri, që kishte hyrë disa herë fshehurazi, para se të binte e të vdiste atje në afërsi të kufirit; pa e kapur dot organet tona. A mund të linin gjallë të birin, pa i dhënë dhe popullit një shembull. Kurrë nuk e mora vesh se çfarë i ndodhi Gencit, çfarë u bisedua lart, çfarë i premtuan... Atë e akuzonte kunati i tij, Demiri, që siç thashë ishte bërë bashkëpunëtor i sigurimit qysh në 1964 me pseudonimin “Xhami” dhe tani ai po thoshte gjëra të tmershme në adresë të Gencit.
Dhe ai po i pëgjigjej kunatit pas çdo akuze: “Po! Po! Po!”Dhe në fund “Të gjitha i kam bërë’.Të gjitha proceset e ballafaqimit të kunatit të Gencit, me lloj-lloj dëshmish, e kryqëzuan Gencin, dhe ai po i pranonte akuzat si një automë.. Madje aty doli se në njerin nga proceset e ballafaqimit kishte marrë pjesë edhe prokurori Qani Lavdari, që do të thotë presion mbi Gencin nga prokurori në kundërshtim me të gjitha rregullat e procedurat, që e ndalojnë atë të marri pjesë në ballafaqime. Kjo do të thotë se nën presionin e prokurorit dhe me premtimet e bëra para pak në zyrën lart, Genci kishte pranuar çdo gjë që i thoshte i kunati.
Në sallën e gjyqit disa orë më parë Genci kishte mohuar sabotimin ekonomik duke thënë se kunati im gënjen dhe shpif. Ky mohim i akuzës pat çuar në ndërprerjen e seancës. Në këtë çast u përpoqa të shikoja nga Vilsoni, por ishte e pamundur prej policëve të shumtë. Sapo u pranua akt-akuza prokurori Qani Lavdari u ngrit në këmbë dhe i tha gjyqtarit: “Më fal shoku gjyqtar. Shikoni dy gjarpërinjtë, dy vëllezër që deri tani e mbanin kokën lart që mendonin se duke mos pranuar akuzën do shpëtonin. Menduan se do u dilte e tyrja duke mohuar çdo gjë. Tani? Tani e varën kokën, jo që e varën por nuk dihet a do u qëndrojë mbi supe apo jo! Seanca vazhdonte midis Gencit dhe kunatit të tij ku dëgjoheshin gjëra nga më absurdet. Në këtë kohë të gjithë oficerët e sigurimit u ngritën dhe duke i bërë shenjë prokurorit demek “Jemi në rregull?” Lanë sallën.


Më pas pyetjet vazhduan me Vilsonin, i cili duke insistuar “Nuk jam fajtor, nuk kam kryer asnjë krim dhe nuk e pranoj akt-akuzën e stisur”. Dëshmia e tij e fortë bëri që seanca të ndërpritej. Do të vazhdonte të nesërmen, por plani i tyre ishte në fitim, ata e kishin thyer njerin, dhe siç doli më pas, kjo u mjaftonte.
Tri ditët e gjyqit në vazhdim u diskutua për krijimtarinë letrare të Gencit e Vilsonit, dhe rreth përkthimeve të tyre nga autorët francezë. U lexuan tri akt-ekspertizat e bëra nga Diana Çuli, kryeredaktore e gazetës “Drita”, Myzafer Xhaxhiu që i nxirte poetët francezë dekadentë, se i këndonin vuajtjes, mjerimit dhe trishtimit, sidhe ekspertiza e spiunit Koçi Petriti për poezinë “Saharaja” të Vilsonit. Në këtë kulminacion të gjyqit, plani i tyre po merrte revansh.
Kishin investuar për të shtatë të akuzuarit një dëshmitar të vetëm nga rradhët e të pandehurve, bashkëpuntorin e deklaruar “Xhami”, në dëm të të kunatit, Gencit, dhe të gjithë neve. Bërtiste, shante, ofendonte. Tërë këto presione nuk kishin arritur atë që prisnin, se nuk sillnin asnjë fakt konkret se ku konsistonte sabotimi i ynë. E kishim hedhur poshtë, sëbashku me Gencin. Dukej pra sheshit që manevra e tyre, duke e pezulluar seancën gati pa filluar, e duke përpunuar lart në zyrë Gencin e ngratë me kush di ç` premtimesh djallëzore apo duke e droguar, i kishin xhvatur atë pranim. Ashtu të jepte të mendosh qëndrimi i tij, krejt prej të trondituri psikik.
Por kjo kthesë e procesit na kishte rënduar pozitën të gjithëve situatën, dhe ekspertizat negative mbi poezitë e të dy kryesorëve, po e plotsonin imazhin armiqësor të grupit. Ne s`mund të thërrisnim askënd në mbrojtje, avokatët ishin nxjerrë jasht ligjit me Kushtetutën e posamiratuar. Kështu, nga të gëzuar që ishim të pardjeshmen, kur të katër e hodhëm poshtë akuzën e sabotimit, tani po na hapej një greminë. Refuzimi i Rustem Dashit nuk do të ngrinte peshë Ishim të dënuar sipas një plani të ardhur nga lart, siç e mora vesh mbasi u lirova, por nuk ma merrte mendja kurrë, që kontrata e bërë me Demirin, do të dilte aq sheshit, aq turpshëm siç doli në mbarim të gjyqit, dhe që do ta rrëfej më poshtë.
Dita e katërt të gjyqit ishte e caktuar për dëshmitarët. Shumica e tyre flisnin me vështirësi pasi nuk mbanin mend se ç’i kishin porositur hetuesi me operativin. Ishte tamam qesharake, por publiku natyrisht, rrinte i ngrirë, i zgjedhur për të qëndruar serioz, kështu që farsa gjyqësore mbetej pa publik, bile me dishka makabre kur shpërthente prokurori kundra nesh si fajtorë për vdekje dhe publiku i bënte jehonë më britma të çjerra. Prokurori Qani Lavdari lexonte nëpër ca letra dhe përpiqej t’u rikujtonte atyre se çfarë kishin thënë kur i kishin porositur. Dhe ata, të frikësuar dhe të hutuar u ngatërroheshin fjalët nëpër gojë. Kurse Demiri (“Xhami”), duke qënë prej vitesh në shërbim të tyre, e kishte gojën brisk. Tërësisht cipë plasur, ai na bërtiste, çirrej dhe na fyente secilin prej nesh kur na vinte rradha. Demiri thoshte, mua më ka inkurajuar Genci e Vilsoni që të veproja, të vidhja në kooperativë për ta dënuar që të zvogëlohej vlera e ditës së punës, kështu fshatarët do beheshin të pakënaqur. Këto fjalë Genci i pranonte duke thënë, po, po, unë e kam nxitur që të vepronte në këtë mënyrë”...

(Marrë nga libri në proces botimi “Dosja Formulare Katergoria 2A Nr. 1594” për Bedri Sami Blloshmin)

S'KA KOMENTE