3 tetor 1943, masakra e komunistëve në Libohovë

0
360

Më 3 tetor 1943, forcat komuniste shkaktuan një masakër në Libohovë duke vrarë 15 veta para shtëpive të tyre. Edhe më pas, vazhduan terrorin dhe vrasjet pa gjyq në të gjithë krahinën

 

“Libohova, një nga trevat me tradita të shkëlqyera atdhetare, intelektuale dhe demokratike, më 3 tetor 1943 u sulmua prej forcave të Zonës I Operative, të komanduara nga Shefqet Peçi, ku u vranë për të mbrojtur vatrat e tyre: Sehit Bejleri, Bajram Leko, Mustafa Kodra, Selam Beqiri (kryeplak), Nelo Rudi dhe u pushkatuan pa gjyq para shtëpive të tyre 15 qytetarë libohovitë: Qazim Rustemi (vëllai i Avni Rustemit), Kaso Rustemi, Nexhmie Rustemi, Pëllumb Rustemi, Malo Laze, Ahmet Ruçi, Nexhat Cico, Talo Xhaxho, Bahri Peca, Muhin Ruçi, Nezir Shuaipi, Hiqmet Gugo, Eqrem Gugo, Servet Bashaka, Ahmet Idrizi (mësues). Pas kësaj masakre ndaj popullsisë nacionaliste, komunistët e sulmuan edhe disa herë Libohovën, duke i shkaktuar asaj 104 viktima të luftës civile”, shkruhet në faqen e Inistitutit Lumo Skëndo për masakrën e kësaj date dhe krimet komuniste që vijuan në këtë zonë.

Studiuesi Kastriot Dervishi, ka publikuar të dhëna për masakrat e kryera në atë zonë, të treguara nga vetë komunistët. Ai ka botuar, pjesë nga një letër e Haki Toskës (“Lasko”) për Komitetin Qendror të PKSH-së për luftime me forcat e Ballit Kombëtar në Gjirokastër. Letra është e datës 22 nëntor 1943 dhe përmbledh veprimtarinë e forcave komuniste gjatë asaj vjeshte në Gjirokastër dhe rrethinat e saj.

Reaksioni gjermano-ballist ka ulur disi popullin moralisht. Mbas largimit të gjermanëve nga qyteti e që hynin në sasi të pakta për të blerë ndonjë send, u krijua këtu një komision për qenien e të cilit ka kontribuar shumë Balli. Ne e sabotonim vazhdimisht punën e komisionit, duke vënë në veprim ilegalisht këshillat nacionalçlirimtar të qytetit dhe komandën e vendit me rojet. Veprimet tona i luftonte me çdo mjet Balli, duke nxjerrë edhe ata roje e duke provokuar e reaksionarizuar. Ne demaskonim gjithçka të atyre e mbasi patëm popullarizuar mirë kusaritë, e qelbësirat e tjera të Ballit, përgatitëm aksione kundër tyre me anë të njësiteve guerile, u bënë kështu përpjekje me ballistët në mes të qytetit. Një natë u kishim zënë pritë dhe sulmuam disa eksponentë bashkë me një grumbull ballistësh, të cilët u shpartalluan me bomba e pushkë. Të nesërmen, ballistët filluan të arrestojnë shokë, simpatizantë e popull 20-3- veta. Rishtazi u bë një përpjekje me ta ku ballistët të tronditur e lanë qytetin dhe u mbyllën në bazën e tyre kryesore, Lazarat; tentuan të hynin prapë në qytet, por (u) pritën me pushkë të njësiteve tona. Duke e ndjerë të nevojshme, u morëm vesh me Grupin e IV për një spastrim. Vendosëm që pastrimi të fillonte nga Lazarati ku ishin grumbulluar gjithë krerët. Po përgatitej aksioni mbi Lazaratin dhe forcat tona ishin përqendruar rreth e larg Lazaratit në këtë mënyrë:

a-Batalioni “Çamëria” në katundin Peshkëpi.

b-Batalioni “Misto Mame” me njësitet guerile të Lunxhërisë e Zagorisë në katundet Sukë e Labovë.

c-Batalioni territorial i luginës së Kardhiqit dhe ai i Gjirokastrës afër qytetit.

Forcat na arrinin në 500 të armatosur me pushkë e të tjerëve me armë më të rënda. Mendonim që pasi të kryhej veprim në Lazarat të sulmonim Libohovën. Forcat e Ballit sulmonin forcat tona në Peshkëpi. Në një luftim prej dy orësh, Batalioni “Çamëria” shpartalloi ballistët, të cilët u tërhoqën duke u ndjekur këmba-këmbës deri në afërsi të Libohovës, ku forcat tona zunë pozicionin. Kjo ngjau në pasdreken gjer në mbrojtjen e 17-s. Në mëngjesin e 18-s, ballistët sulmuan rishtazi e kësaj radhe morën pjesë në luftë veç Batalionit “Çamëria”, Batalionit “Misto Mame” (dhe) forcat e minoritetit. Pas 5 orë luftë të ashpër, ballistët u tërhoqën turpësisht. Kështu Libohova mbeti në duart tona. Tradhtarët lanë 9-11 të vrarë e shumicë të plagosur, u zunë mitraloza, municion, ushqime, kafshë e guna. Lufta në Libohovë ndodhi pa dashur se ne mendonim t’i binim Lazaratit, për të pastruar krerët e pastaj Libohovën, etj. Në Libohovë u ekzekutuan pak ballistë që u gjenden atje dhe u dogjën e u konfiskua pasuria e atyre që ishin larguar. Ndërsa kryhej operacioni tradhtarët e Libohovës në mbrëmjen e 18-s kishin hyrë në qytet (Gjirokastër) Grupi i Parë prej 500-600 vetash. Grupi I dhe IV përgatiteshin që në mbrëmjen e 19-s t’i binin Lazaratit, por u informuan më parë se populli i Lazaratit i kish përzënë ballistët, të cilët qenë larguar në Këlcyrë. Lazarati u kthye i gjithë me ne, megjithëse ka qenë baza kryesore për ballistët, duke kërkuar të formojë këshillat nacionalçlirimtare.

Grupi I filloi nga pastrimi në qytet, por jo një pastrim rrënjësor. Është treguar i mëshirshëm komandanti Islam Radovicka. Grupi I qëndroi në qytet vetëm 1 ditë bashkë me Grupin IV. U vunë në ndjekje të tradhtarëve. Janë ekzekutuar në qytet ballistët, eksponentë reaksionarë: Sefedin Hadëri, Hajro Latem Myzafer Shehu, Duro Shehu, Mato Mataj, Boço Kalo, Tare Kalo, Tajar Çarçani, Vasil Shahini. Ky i fundit, mik i ngushtë i Ballit, lidhës i Zervës me major anglez Bill, siç rezultoi nga korrespondenca që kanë kapur kohët e fundit. Të tjerë ballistë kërkojmë pse janë fshehur. Sot informohemi se gjermanët ndodhet në Sarandë e Delvinë, kanë në mendje të hyjnë në Gjirokastër. Në Kurvelesh ka filluar pastrimi i ballistëve...

“Mjafton të lexoni këtë letër të gjatë të Haki Toskës, për të kuptuar atë që ka ndodhur në nëntor 1943 në Gjirokastër. Nuk ka asnjë fuqi pushtuese. Gjermanët me sa duket, sa kanë ardhur kanë ikur gjetkë. Shihni çfarë barbarie mbi shqiptarët vetëm pse ishin të një force tjetër politike. Vrasje pafund, grabitje, djegie shtëpish dhe vjedhje malli…Sigurisht vetëm nacionalçlirimtare nuk ka këtu. Letra është pjesë e vëllimit voluminoz mbi krimet e komunistëve gjatë luftës”, komenton studiuesi Dervishi.

 

Shënim: Esktrakti i letrës është publikuar fillimisht në gazetën 55 nga studiuesi Kastriot Dervishi i cili është edhe autor i fotove. Në imazhin kryesor paraqiten faksimile nga letra e Haki Toskës dhe varret e Boço dhe Tare Kalos, në vitin 2016 në Gjirokastër.

S'KA KOMENTE