1975/“Më mirë i varrosur se sa kështu”

0
209

Selim Maliq Xhakja u lind në vitin 1925 në Mirovac të Podujevës, banues në Prishtinë, me profesion makinist, i martuar me dy fëmijë, shtresë e mesme, bëri gabimin e jetës, erdhi në Shqipëri më 16.12.1960. Vazhdimisht vuajti një persekutim të përzier me sëmundje. Asnjë lëshim nuk iu bë. Shkroi letra të shumta, me të cilat tregonte gjendjen e pashpresë, duke besuar në të pabesueshmen.

Dënimet e Xhakjes

Selimi u dënua tri herë. Herën e parë u arrestua më 28.6.1961. U akuzua në bazë të nenit 65 të Kodit Penal. Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë, i drejtuar nga kolonel Faik Minarolli, me pjesëmarrjen e prokurorit nënkolonel Asaf Kondi, me vendimin nr.8, datë 21.9.1961, e deklaroi, fajtor dhe e dënoi me 18 vjet heqje lirie.

Herën e dytë u arrestua më 13.7.1976 duke vuajtur dënimin në Repartin nr.309 Ballsh. U akuzua në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal. Në proces për të thuhej se gjoja deklaronte se ishte “dërguar nga UDB-ja”, se ushtronte veprimtari nëpërmjet letrave që shkruante, etj., duke dalë qartë se çdo gjë ishte me karakter formal vetëm për ta dënuar. Gjykata e Rrethit Fier, me vendimin nr.291, datë 5.11.1976, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie.

Herën e tretë u arrestua më 24.9.1981 po në Repartin nr.309 Ballsh. U akuzua në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal. U dënua me 13 vjet heqje lirie. U lirua më 13.1.1986. Përfundimisht vuajti 24 vjet e gjysmë heqje lirie.

Njëra nga letrat e tij

Në Repartin nr.309/3 regjimi komunist kish vendosur të huajt që ishin dënuar në Shqipëri. Mes tyre kish shumë shqiptarë të Kosovës. Selimi u dërgoi letra pothuaj gjithë zyrtarëve më të lartë të kohës. Nga Ballshi, më 2.2.1975 i shkruante Enver Hoxhës, midis të tjerash:

Po ju tregoj përkitasi gjendjen time. Unë nuk e di shkakun që i shtyn të veprojnë kështu me një tuberkuloz, me një kufomë...Për çdo kërkesë unë kërcënohem. Edhe mjekët e kampit më japin ilaç sa për sy e faqe. Po ju betohem në gjakun e babait se më mirë i varrosur se si jam unë. Vetëm lëkurë e kocka më ka mbetë. Unë iu kam kërkuar sa herë yshqypinë, ata qeshin me mua edhe me pyesin edhe sa do rri në burg. Unë u them se kam edhe 16 muaj, ata thonë po munda të mbijetoj. E duke ngrënë një lugë supë sa për të mbajte frymën gjallë, kur qeveria shqiptare ka nxjerrë ligje që garantojnë kurimin falas të sëmundjeve të të burgosurve, sidomos të sëmurëve në mushkëri. Nuk besoj të jem i përjashtuar unë nga kjo rregullore, sepse sanatoriumin nuk e keni ndërtuar vetëm për vete, por për të gjithë që jetojnë në Shqipëri dhe kanë fatin e zi të preken”.

Shkroi edhe letra të tjera, por asnjëherë nuk iu morën parasysh, madje ndikuan në dy dënime të tjera.

S'KA KOMENTE