1956/Gratë e burgosura punonin në Valias

0
214

Gratë e burgosura, përfshirë Musine Kokalarin, dhe pse vuanin dënimin në Punotërinë Qendrore të Artizanatit, me sezone, punonin në bujqësi në fermën e Valiasit

Për gratë e burgosura për arsye politike dhe ordinere, fillimisht, në vitet 1945-1950, regjimi komunist i trajtoi në një nga burgjet e ngritura pranë çdo qendre prefekture, plus ndonjë burg tjetër si p.sh. Burreli. Në çdo burg kishte mjedise të posaçme për gratë. Në vitin 1950, për gratë u ngrit një seksion i posaçëm në Punëtorinë Qendrore të Artizanatit, pra në ish-fabrikën e cigareve “Flora”. Në mjediset e tjera, vuanin dënimin me punë të detyruar edhe të burgosurit. Gratë punonin kryesisht në rrobaqepësi. Nga dokumentet e kohës, rezulton se gratë kanë punuar edhe me sezone në bujqësi, në fermën e Valiasit. Ndër të tjera, këtu kanë vuajtur dënimet edhe Musine Kokalari, Drita Kosturi, etj.. Ngaqë në Valias ishte punë sezonale, edhe trajtimi ishte i keq në fjetje, ushqim dhe punë. Për gratë e burgosura, regjimi nuk kishte asnjë mëshirë. Kjo shihet edhe në pak dokumente që gjenden në punën e atjeshme.

Në vitin 1956 Punëtoria Qendrore e Artizananit kishte rreth 500 të dënuar, prej të cilëve, rreth 30% ishin për arsye politike. Për gratë nuk ka ndonjë shifër të saktë.

Sipas komunikatës nr.197, datë 15.7.1956 në Ministrisë së Punëve të Brendshme, zërin nga Tirana, jepet njoftimi “Mbi shfaqjen e një sëmundjeje në të burgosura”. Në këtë njoftim thuhet se Tirana:

“Njofton se në 12 korrik 1956, të gjitha gratë e burgosura që ndodhen në fermën “Ylli i Kuq” Kamëz, nuk kanë dalë në punë për shkak se kanë qenë të sëmura me dhimbje barku. Nga analiza e mjekut dhe në konsultim me komandën e kampit vërtetohet se kanë qenë të sëmura dhe dyshohej për dizenteri, por nuk përjashtohet rasti se kjo dhimbje mund t’u ketë ardhur nga ushqimi i prishur, gjë e cila deri tani nuk është vërtetuar. Me qëllim që të përcaktohet drejt nëse është dizenteri ose jo, nga ana e mjekut u morën masa për të bërë analizën në laborator”.

Nga praktika e kërkesës për faljen e dënimit të mbetur me vendim gjykate të Musine Kokalarit, mësohet se edhe në vitin 1957, gratë e artizanatit punonin në fermën bujqësore “Ylli i Kuq” i Valiasit. Musineja akuzohej se brenda në burg “në mënyrë shumë të hollë e të rafinuar” zhvillonte agjitacion e propagandë. Për këtë qëllim ishte demaskuar disa herë. Musineja kishte thënë se në burgjet tona nuk kishte kurajë civile.

S'KA KOMENTE