10 janar 1949, dita kur diktatura ligjëroi vrasjen e butë

0
1509

U morën gjithçka kishin, i ngarkuan me përçmim dhe i dëbuan. I lanë gjallë, por i vrisnin çdo ditë me izolim dhe punë të rëndë, me kushte të vështira jetese dhe mungesë të drejtash. Shifrat zyrtare flasin për mbi 59 mijë të internuar politikë, statusi që merrnin njerëzit pas vendimit të Komisionit të Dëbim-Internimeve. Kryesisht pleq, fëmijë e gra të dënuar për “faj” të burrave. Por edhe burra, intelektualë e artistë, që mendohej se mund të “turbullonin” pastërtinë e regjimit të ri. Një komunitet i tërë që iu desh t’i mbijetonte vrasjes së përditshme

 

Me të marrë pushtetin, komunistët nisën të internonin dhe dëbonin familjet e kundërshtarëve politikë të vrarë apo të arratisur dhe të largonin nga qytetet çdokënd që turbullonte “pastërtinë” e regjimit të ri. Fillimisht pa asnjë bazë ligjore, por që nga 10 janari 1949 “dëbimet dhe konfiskimet” u legalizuan dhe vazhduan gjatë gjithë diktaturës të ekzistonin si masë administrative e ligjshme për kundërshtarët politikë.

Më 10 janar 1949, regjimi komunist nënshkroi dekretin e parë (nr. 649) për të legalizuar “dëbimet dhe konfiskimet”. Përmbajtja e këtij dekreti u përfshi në 2 gusht 1954 në dekretin nr. 1906, i cili prezantoi zyrtarisht edhe internimin si masë administrative për kundërshtarët politikë. Në këtë kohë u mbyllën dhe kampet e internimit të rrethuara me tela me gjemba dhe u mbollën nëpër gjithë Shqipërinë, veçanërisht në fushat e Myzeqesë, qendra internimi ku rolin e telave rrethues e luanin rregullat e rrepta të paraqitjes çdo ditë në zyrat e Sigurimit apo policisë dhe pamundësia për të dalë nga zona pa lejën përkatëse nga autoritetet.

Internimin, familjet e të arratisurve apo të dënuarve politikë kishin nisur ta jetonin që nga viti 1944, fillimisht në kampet e Krujës dhe Beratit, më pas në atë të Tepelenës e të tjerë, por që nga viti 1949, kjo masë që ndëshkonte pleq, gra e fëmijë u bë edhe e ligjshme.

Nëpër këto qendra, ku të internuarit punonin kryesisht në bujqësi e jetonin në baraka, u mblodhën familjet e politikanëve dhe ushtarakëve të regjimeve të mëparshme, por edhe të dënuarit politikë që dilnin nga burgjet, apo të tjerë të dyshuar për veprimtari armiqësore. Në shumë raste, masa pesëvjeçare e dënimit, përsëritej e ripërsëritej dhe jo pak veta, e kanë kaluar gjithë jetën e tyre në internim, të tjerë janë lindur dhe janë rritur aty dhe mijëra, 7022 sipas raportit të ISKK të publikuar në vitin 2016, kanë ndërruar jetë në internim, në tokën ku çdo ditë i vrisnin nga pak, me vështirësitë e padrejtësitë që iu bëheshin, me kufizimet dhe përçmimin, me kushtet e këqija të jetesës dhe kushtet e rënda të punës.  Në këto qendra, u izoluan intelektualë që me duart që preknin stetoskopin, shkumësin e instrumentet muzikore, duhet të mbërthenin shatën e lopatën e të punonin tokën. Barakat e tyre u populluan nga anëtarët e familjeve të njohura që u rrëmbyen shtëpitë e pasurinë. Shumë u martuan mes tyre duke u trashëguar edhe fëmijëve statusin e kësaj skllavërie të kohëve moderne, të tjerë nuk mundën të krijonin familje. Disa mbyllën sytë duke shpresuar lirinë, të tjerë me shpresa të humbura. Edhe banesën e fundit, në tokën e vuajtjeve të tyre, do ta kishin të ndarë nga të tjerët.

Më poshtë po sjellim disa përjetime dhe fragmente nga jeta e të dëbuarve dhe të internuarve, të cilët që nga viti 1944, pa asnjë bazë ligjore dhe që nga janari 1949, ligjërisht, formonin një komunitet të tërë brenda popullsisë shqiptare i cili mbante shumë vlera, por i duhej t'i mbronte me shumë vuajtje.

Reshit Mulleti, i internuar pas arratisjes së të atit, Qazim Mulleti

Reshit Mulleti

“Të nesërmen (e një dite pas shfaqjes së komedisë “Prefekti”) erdhi kamioni e na mori, na dërguan në internim, në kampin e Tepelenës. Aty na mbajtën 5 vjet deri në mbylljen e tij…Në atë kamp kam kaluar tmerre të vërteta, kushte të këqija dhe trajtim çnjerëzor. Në atë kamp kam varrosur me duart e mia më shumë se 300 vetë, ku 200 prej tyre kanë qenë fëmijë. Mbas 2-3 vitesh me urdhër të komandës i kemi zhvarrosur, dhe rivarrosur në një vend tjetër…Nënën e kanë torturuar shumë, ndërsa mua më fusnin në fuçi me ujë të ftohtë, shpesh më futnin dhe kokën në ujë…

Mbasi na grabitën çdo gjë, na dërguan përsëri në Tepelenë, më pas në Fier e Lushnje në kampet e internimit në Savër, Gradisht, Grabian. Çdo kamp të ri e kam inauguruar. Ishim të parët që dërgoheshim në kampin e ri të internimit…

Morëm leje dhe dolëm në qytetin e Lushnjës. Në një moment më thotë nëna: ‘Shiti dikush po na thërret!’. Më erdhi shumë keq, por u detyrova dhe i thashë: ‘Nonë nuk o tu na thirr kush, por nga altoparlanti jepet komedia e po na qeshin, po na tallin, po na venë në lojë, po argëtohen…’. Ajo mu përgjigj: ‘Na marrshin të keqen!’, dhe unë i thosha vetes: na i morën të gjitha, na zhvatën, por na dëmtuan dhe imazhin tonë të mirë, tani ishim vetëm personazhe groteske, butaforike. U larguam nga qyteti, përdore nënë e bir ecnim në drejtim të kampit të internimit…”.

Palok Vushaj, i internuar familjarisht, pas arratisjes së të vëllait

“Jetesa aty ishte shumë e rëndë. Një dhomë shumë e vogël me kushte skandaloze për një familje të madhe siç ishim ne”. Policia e ushtria dolën në fshatin Selcë dhe boshatisen shtëpinë, morën me dhunë gratë e fëmijët dhe i bashkuan të gjithë në internim në Nënshat ku jetuan në kushte ekstreme për vite me radhë nën kërcënim e frikë. Pas internim-dëbimit nga fshati, Paloka kujton se familjes iu bë konfiskimi i pasurisë dhe vjedhja prej komunistëve të fshatit. Përgjatë kohës së internimit, familja e Palokës, anëtarët një për një duheshin që të paraqiteshin tri herë në ditë te roja i posaçëm që ruante të internuarit. “Çdo javë vinte operativi i Sigurimit nga Shkodra dhe bënte mbledhje në fshat duke i instruktuar fshatarët dhe kuadrot komunistë kryesisht sesi të na ruanin e paraqisnin raporte kundër familjes Vushaj me qëllim burgosjen e tyre”. Paloka kujton se punonin si familje në një perimetër të caktuar për afro 20 metra nën kërcënimin se nëse largoheshin nga ato pak metra katrore, do vriteshin me plumba. Komunistët dhe bashkëpunëtorët e Sigurimit herë pas here e provokonin në kampin e punës Palokën dhe familjarët e tij, madje dhe duke i vajtur në shtëpi për ta provokuar në biseda kundër regjimit me qëllim prangosjen e tij dhe të meshkujve të shtëpisë. Paloka tregon se komunikimet me të afërmit ishin të kufizuara, letërkëmbimet i lexonte Sigurimi dhe i griste. “Çdo ditë komunistët shkruanin letra kundër nesh. Jo vetëm për çdo fjalë por edhe për çdo mendim, jetonim me frikë se mos keqinterpretohej e na fusnin në burg…Nëse një ditë nuk dilnim në punë, Sigurimi na hiqte bukën. Kafja, sheqeri e buka ishin me racion. Jetonim në kushte të tmerrshme, ku përveç mungesës së lirisë na mungonte gjithçka tjetër. Jeta çdo ditë që kalonte na bëhej edhe më e pamundur. Fëmijët në shkollën fillore i urrenin, edhe pse mësonin shumë mësuesit komunistë nuk u jepnin hakun dhe bashkëmoshatarët e tyre instruktoheshin prej organeve të sigurimit t’i shanin, t’i ofendonin e të mos u flisnin. Një luftë e tmerrshme klasash…”

Alma Liço, e internuar me familjen për shkak të gjyshit të pushkatuar

 

“Ndërsa marrëdhëniet me fëmijët e tjerë po ecnin drejt normalitetit, nuk mund të them të njëjtën gjë për mësuesen. E krahasoja me mësuesen time të mrekullueshme në Tiranë dhe ndjeja se ajo nuk donte t’ia dinte fare për ata fëmijë, që ndonëse frekuentonin shkollën, ishin pothuajse analfabetë. Ndryshe nga ata, unë kisha pasur fatin të më rrinin mbi kokë tre mësues në shtëpi. Sigurisht, këtu përfshij edhe gjyshen. Prindërit e atyre të ngratëve gdhiheshin e ngryseshin arave për të siguruar bukën për fëmijët e shumtë që sillnin në jetë. Në shenjë hakmarrjeje, me pushtoi dëshira ta sfidoja. Ishte një formë rebelimi. Veçanërisht në orën e matematikës, që ishte lënda ime e preferuar. I bëja pyetje me të cilat e vija në vështirësi. Madje, ndjeja një lloj kënaqësie të pakuptueshme, kur asaj i ndryshonte ngjyra e fytyrës. Kishte raste kur i kërkoja mënyrat alternative për zgjidhjen e disa problemeve. Duke kërcitur dhëmbët, ajo e duroi disa ditë këtë situatë, por një ditë në pamundësi për t’iu përgjigjur pyetjes sime, në kulmin e tërbimit më tha: “-Mëso sa të duash, kazma të pret”. Ky shpërthim ndodhi në klasë, në sy të gjithë fëmijëve, të cilët shihnin të habitur herë mua, herë mësuesen. Unë kisha pritur një reagim prej saj, por kurrë kaq të pamëshirshëm dhe vrasës të shpresës dhe ëndrrave. Isha aq e mpirë, gati të qaja".

Klora Merlika, 45 vjet e internuar

“Nuk ishte dasmë ajo imja! Unë u vesha me fustan të bardhë dhe bëra një xhiro rrotull kampit, nëpër dyert e familjeve bashkëvuajtëse aty. Të nesërmen direkt u kthyem në punë dhe vetëm një ditë pas martesës Fatosin e detyruan që të shkonte për të punuar në kënetën e Gradishtit. Gjatë ditës troket një oficer i Sigurimit dhe i kënaqur nga vendimi për të degdisur tim shoq, më pyet nëse do e lija apo do e ndiqja kudo, ku shteti do ta transferonte. Unë isha martuar me Fatosin, dhe kisha vendosur që ta ndiqja në çdo vend ku atë do ta caktonin. Në kampet e internimit kam kaluar momentet më të bukura dhe më të trishta të jetës. Martesa është vetëm një kapitull… Në kamp më vdiq ime më, e varrosëm aty. Në kamp më lindi vajza dhe vendosëm me Fatosin që të kishim vetëm një fëmijë, për të mos i hyrë në hak jetës, vuajtjeve… Nuk mund të torturoje veten dhe fëmijën në ato kushte në të cilat jetonim”.

S'KA KOMENTE