“Mbaj mend Ilir Mustafarajn që ka qenë zv.ministër i Brendshëm, bile edhe më pas, në kohën e demokracisë. Ishte Hysen Xhani, një i burgosur dhe ky e pyeti: “Si e ke emrin?” -“Hysen Xhani” -“Sa vjet je dënuar?” -“Pesë vjet” - i tha Hyseni. -“Sa ke bërë?” -“Pesëmbëdhjetë!” -”Edhe sa ke?” -“Edhe pesë!” -“Çfarë thua more?” - u shpreh i hutuar zv/ministri që nuk po e kuptonte. -”Llogarite ti, se ju i dini këto punë” - i tha Hyseni. Pastaj zv/ministri e verifikoi se kujtoi se po tallej me të dhe në fakt i rezultoi ashtu siç tha i burgosuri. Ishte ridënuar disa herë, aq sa as vetë s’e merrte vesh se sa ishte dënuar dhe kur kishte për të dalë”, ky rrëfim është nga Agim Akçani, ish-i burgosur politik në Spaç dhe Qafë-Bari në kohën e diktaturës komuniste.
Ai ka rrëfyer kështu një episod të një historie të pabesueshme për një të burgosur që i shtohej dënimi aq shpesh sa vetë zyrtari i lartë i Ministrisë së Brendshme të kohës, nuk po arrinte ta kuptonte. Ishte Ilir Mustafaraj, zv/ministër në kohën kur ndodhi revolta në burgun Qafë-Bari. Pa dyshim ishte një ndër zyrtarët e lartë të atij regjimi që përdori forcën brutale për të shtypur të burgosurit në çdo situatë, revoltë apo ditë të zakonshme në burg. Por ky zyrtar i lartë, jetoi i pashqetësuar edhe pas diktaturës, madje mbajti poste të larta drejtuese në qeveritë e pas viteve '90, ndër të cilat edhe postin e zv/ministrit të Brendshëm që kishte mbajtur në diktaturë. Është kjo një ndër tiparet e pazakonta të shoqërisë sonë në këto 34 vite që xhelatët dhe viktimat marrin shenjën e barazisë, madje edhe më keq akoma, xhelati vazhdon të jetë në pushtet e viktima ende i shtypur.
Pasi ka shërbyer në kohën e diktaturës në një prej dikasterëve më të tmerrshme të regjimit, Ilir Mustafaraj vazhdoi karrierën në poste të larta drejtuese për ta mbyllur po në atë karrige të zv/ministrit të Brendshëm deri në janar 2016, kur u largua pasi mbushi moshën e pensionit.
CV e Ilir Mustafarajt
Ilirjan Mustafaraj u lind më 9 shkurt 1951, në Gjirokastër dhe është diplomuar në degën Inxhinieri Mekanike, në Fakultetin e Inxhinierisë në vitin 1973. Në vitin 1977, ai kreu një kurs 1-vjeçar për “Shërbim Informacioni” pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku edhe përfundoi shkollën e lartë, pa shkëputje nga puna.
Mustafaraj ka drejtuar nga shkurti deri në nëntor 1984, degën e Qarkullimit Rrugor në MPB. Ndërsa nga 1984 deri në 1990, mbajti postin e zv/ministër të Punëve të Brendshme, për Policinë.
Për 2 vjet me radhë ishte Kryeinspektor në Drejtorinë e Trajtimit të Mallrave, pranë Ministrisë së Transporteve.
Nga shtatori 1997 deri në dhjetor 1998, mban postin e Shefit të Sektorit të Policisë Rrugore. E më pas deri në vitin 2000, emërohet shef i Sektorit Ekonomik në Ministrinë e Rendit Publik.
Nga janari deri në maj 2001, Mustafaraj ishte drejtor i Kontrollit Ekonomik Financiar.
Në maj 2001 deri në janar 2003, ishte Drejtor i Antiterrorit në Shërbimin Informativ Shtetëror. Më pas, ai ishte Këshilltar i Ministrit të Rendit Publik, deri në tetor 2003.
Nga 2010 deri në tetor 2013, ishte këshilltar i ministrit të Brendshëm.
Që nga 5 tetori 2013, u emërua zëvendësministër i Punëve të Brendshme.