Diktatura komuniste burgosi mijëra gra në Shqipëri, duke i trajtuar në mënyrë çnjerëzore, të mbyllura për muaj me radhë në biruca, pa asnjë kusht higjienik, të pambrojtura nga dhuna që hetuesit zgjidhnin të ushtronin, çfarë, në disa raste, bëri që ato të humbnin arsyen, siç është rasti i Barbara Orgockës. Por ka dhe nga ato, që pas daljes nga burgu e pas rrëzimit të diktaturës, me një kujtesë të mprehtë, kanë dëshmuar vuajtjet në biruca dhe kampe. Një nga ato është mësuesja Agime Pipa, që i ka shkruar ose i ka treguar në intervista këto kujtime.
Në një intervistë dhënë Fatbardha Mulleti Saraçit, Agime Pipa ka treguar sesi përndjekja e nisur me arrestimin, nuk iu nda gjithë jetës. Në këtë rrëfim, ajo nuk flet vetëm për vuajtjet e një gruaje në burgjet e diktaturës. Flet dhe për një nënë që vuante jashtë tyre, për të bijën, apo dhe grave të tjera, siç ishin motrat e saj që iu dënuan burrat dhe iu duhej të përballonin mjerimin ku regjimi i zhyti me dhunë, duke i pushuar nga puna e duke mos iu dhënë triska ushqimi.
Nga Fatbardha Mulleti Saraçi
Agime Pipa Aranitasi lindi në vitin 1924 në qytetin e Shkodrës, por origjina e prindërve të saj është nga Libohova e Gjirokastrës, prej ku familja e tyre ishte shpërngulur prej kohësh për në qytetin verior. Dy prindërit e Agimes, babai Seit Pipa, farmacist dhe Fatimja, shtëpiake, rritën dhe edukuan shtatë fëmijë, gjashtë vajza dhe një djalë. Dy motrat e mëdha mbaruan Institutin “Nëna Mbretëreshë” në Tiranë, ndërsa të voglat, Fiqireti, Gjyli, Sinja dhe vëllai, Luani, ndoqën gjimnazin e shtetit në Shkodër. Agimja, e treta ndër vajza, mbaroi shkollën fillore si dhe katër klasë në shkollën e mesme “Donika Kastrioti” të qytetit të Shkodrës. Katër vitet e gjimnazit i ndoqi në Institutin Femëror të Tiranës, i quajtur atëherë Instituti “Nëna e Skënderbeut” në degën e liceut klasik. Ajo ishte me rezultate shumë të mira, aspironte të ndiqte universitetin por aspirata për shkollën e lartë nuk u realizua, sepse e ndoqi një tjetër fat…!
Ajo do të hynte pak më vonë në një shkollë tjetër, të errët, të thellë, të përgjakshme…! Agimja s’ishte implikuar ndonjëherë me komunistët në punët e tyre, duke kuptuar mirë qysh atëherë, se ku synonin ata dhe mbase për komunizmin, ajo kish dëgjuar kushërinjtë e saj të afërm, vëllezërit Myzafer e Arshi Pipa. Veç kësaj, ajo kishte lexuar artikuj e libra, që tregonin për komunizmin në Rusi dhe Revolucionin e Tetorit që e përgjaku atë vend.
Ishin ato libra që i hapën sytë e i treguan se ç’e priste në të ardhmen edhe vendin tonë, në vitet që do të pasonin. Në vitin 1945-‘46, Agimja u emërua arsimtare në dy shkolla fillore në qytetin e Shkodrës. Gjatë kësaj periudhe të shkurtër, ajo me një zell të jashtëzakonshëm është përpjekur mjaft, për edukimin e fëmijëve, duke bashkëpunuar me nxënësit me lexime librash, si dhe në përpilimin e botimin e një reviste “Burimi” për të vegjlit, ku ajo bënte punën e redaktores.
Në mbledhjet e arsimit ajo ka mbrojtur me këmbëngulje individualitetin e nxënësit, që rrezikohej të ndrydhej, të dëmtohej nga teknika tendencioze, në hartimet e lëndëve shoqërore, të asaj kohe. Po atëherë e drejta, e vërteta s’kuptohej ose keqkuptohej, shtrembërohej, falsifikohej. Individi konsiderohej vegël, makinë për të zbatuar udhëzimet që vinin nga lart.
Nisur nga qëndrimi i saj dhe biografia e familjes, në atë kohë, njerëzit e Sigurimit të Shtetit, filluan e survejonin atë ashtu siç mbikëqyrnin çdo intelektual, që nuk bashkëpunonte me ta. Ajo nuk u thye nga presionet e tyre duke u qëndruar me shumë dinjitet, ashtu si gjithë rrethit i saj familjar, të cilët ishin mbrujtur e edukuar me një kulturë perëndimore, pasi shumë prej tyre kishin studiuar jashtë.
Në Kryengritjen e Postribës me 12 shtator 1946, Agimja u arrestua nga Sigurimi i Shtetit dhe ajo ishte e para vajzë, në burgun komunist të qytetit, me akuzën “për agjitacion e propaganda kundra pushtetit popullor”. Ajo qëndroi një vit e gjysmë në hetuesi, në dhomat bashkë me burrat, ose në gjendje izolimi. Në birucën me ujë të Degës së Brendshme të Shkodrës, pa asnjë shtroje, ajo vinte për jastëk strajcën ku kishte bukën e gojës dhe nën brinjë, këpucët me taban gome.
Mbas sa e sa seancash pyetjesh, nga oficerët e zellshëm të asaj Dege të Brendshme, ku shumica e tyre ishin përzgjedhur për shkak të indoktrinimit të tejskajshëm dhe karakterit të tyre kriminal, të cilët përdorën edhe korrentin elektrik, duke ja vënë në veshët e saj.
Në përfundim të procesit hetimor (me hetues Pjerin Kçira), gjyqi ndaj saj u zhvillua brenda Burgut të Kishës së Fretërve, pa pas fare avokat, ashtu siç e kërkonte ligji.
Në përfundim, kërkesa e Prokurorit ishte për ta dënuar me dhjetë vjet burgim, por Gjykata, duke parë se ndaj saj nuk kishte prova, vendosi për katër vjet, dënim të cilin ajo e kreu deri në fund, me vuajtje, por me qetësinë shpirtërore, (duke mbrojtur të vërtetën), pa marrë në qafë njeri, duke mohuar çdo implikim me të tjerët.
“Po ato monstra, – shprehej Agimja, – s’më dënuan për katër vjet, por për të gjithë jetën, pasi mbas lirimit nga burgu, në një survejim të vazhdueshme, na priste lufta për “ekzistencë”. Lidhur me këtë, Agimja vazhdonte rrëfimin e saj, duke u shprehur: “Kur u ktheva në shtëpi, familjen e gjeta në mjerim të madh.
Dy burrat e motrave, Ibrahim Dibra dhe Tefik Bekteshi, ishin në burgje. Motrat e mia shumë të vlerësuara më parë, ishin përjashtuar nga të gjitha shkollat, ishin të papuna, pa triska buke e ushqimi dhe sikur të mos mjaftonte kjo, në të njëjtën kohë na kërkonin të paguanim “tatim jetik” siç quhej dhe ne kemi jetuar me punën e dorës.
Mbas kaq vitesh, kur i kujtoj se me sa durim e qendrës përballova ato vuajtje mizore, të burgut të Shkodrës, më shkon mendja tek nëna, që me motrat dhe vëllain, jetuan kalvarin tim, me vështirësitë ekstreme. Nëna ime s’iu nda dyerve të burgjeve, si për mua, ashtu edhe për Myzaferin, kushëririn tonë, që kishte qëndruar në Shkodër, pranë zyrës së tij avokatore.
Duke e parë shpesh tek dera e Degës së Punëve të Brendshme, me plaçka, ata të Sigurimit të Shtetit, mbasi kishin kryer krimin e zhdukjes fizike të Myzaferit, e thërrisnin nanë Fatimen, për t’ia konfirmuar zyrtarisht versionin e vrasjes, që ishte “për tentativë arratisjeje prej burgu”.
Me altruizmin që e karakterizonte gjithmonë gjatë gjithë jetës së saj, kjo nanë më doli përpara, si figurë madhore e si pikë referimi i virtyteve të larta.
Në momentet më të vështira, ime më ishte forcë e mbështetje, ishte shembull durimi dhe vetëmohimi. E pyes veten: ç’dhimbje do ta ketë therë shpirtin e saj, kur rrugës policët që do të më çonin nga një burg në tjetrin, e shtynë që të mos i afrohej së bijës, që po e shihte jashtë skëterrës mbas një viti.
Sa lot do të ketë derdhur, kur pa fundin tim, me një vrimë sa një kopsë, të thurur me fijet e flokëve të mi, ç’nënë heroinë paska qenë për me përballu me guxim, fatkeqësitë e terrorit komunist, që ra mbi fëmijët e saj?!
Mbas daljes nga burgu, u izolova në shtëpi, isha nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të agjentëve të Sigurimit të Shtetit, (që në burgje na thoshin se do t’i kishim më afër se këmishën e trupit, kurdo e kudo), kur isha jashtë mureve të burgut, kisha preokupacionin e vetëm, për të ndihmuar familjen për t’ia shpërblyer sakrificat dhe për të siguruar jetesën.
E kthyem shtëpinë në një punishte të vogël rrobaqepësie, punonim me kujdes, se na befasojshin kontrollet. Në kondita të tilla m’u duk krejt normale kur vendosa të martohesha me Mit’hat Aranitasin, intelektual i njohur, i cili mbas burgut, u internua në Çermë të Lushnjes.
E njëjta atmosferë lufte për mbijetesë, ndofta më e egër, por isha e lumtur që e doja atë, ishte njeri shumë i mirë. Bashkë me vajzën tonë të vetme Odetën, filluam pas Çermës, periudhën 30-vjeçare të dëbimit në Dushk.
Punova punëtore në bujqësi derisa dola në pension, bashkë me burrin Mit’hatin, i cili ndërkohë vazhdoi paralel edhe punën intelektuale. Jetuam në baraka, vuajtëm ankthin e fatit të fëmijës, presionet e vazhdueshme nga pushteti i diktaturës së proletariatit.
Por moralisht nuk u thyem kurrë. Aktualisht jetojmë pranë dhëndrit e vajzës në Tiranë, këtu vdiq dhe im shoq, ndërsa unë vazhdoj të banoj pranë tyre, në pritje te sistemimit nga shteti”.
Këtu mbaroi biseda ime me znj. Agime Pipa Aranitasi dhe teksa flisnim, unë dalloja qartë në fytyrën e saj vuajtjet dhe dhimbje, të cilat dukeshin sikur ishin të vulosura fort aty. Një vuajtje e gjatë, gati sa e tërë jeta e saj. Sytë e saj tregonin pak gëzim e, shumë vuajtje e dhimbje. Drama e një jete prej martireje të vërtetë. Po kur bisedoja me të, nga ata sy të përmbajtur, rrëzëllente një dritë plot ëmbëlsi, butësi e shpresë, që të ngrohte zemrën.
Shënim: Agime Pipa mbylli sytë në maj të vitit 2001. Fatbardha Saraçi Mulleti e ka botuar jetën e saj në librin “Dhimbja 2”, i cili bën pjesë në ciklin “Femrat shkodrane, të burgosurat politike të diktaturës komuniste”.