Edhe pse sot i janë njohur meritat në fushën e studimeve, përkthimeve dhe shkrimeve, ka ende për t’u bërë për t’i dhënë këtij studiuesi të madh vendin që i takon në botën e letrave. Një meditim për Vexhi Buharanë në 100-vjetorin e lindjes, intelektualit të përndjekur beratas që qyteti i tij e kujton për fisnikërinë e përulësinë e pashoqe dhe që sot ia lexon emrin në ballë të bibliotekës, që vështirë se do të kishte një emër më të përshtatshëm sesa “Vexhi Buharaja”
Agim Xh.Dëshnica
Vexhi Buharaja lindi në Berat, në familjen e Ibrahim Buharasë, më 12 maj 1920. Shtëpia ndodhej në fund të një rrugice me kopsht apo bahçe plot pemë buzë lumit e përballë Shpiragut, në lagjen Murat Çelepi, tashmë rrafshuar, tok me shtëpi të tjera patriotësh, qysh në kohën e diktaturës komuniste. Pra, u lind një fëmijë, një djalë, i cili do të quhej Vexhi. Një djalë, i cili do të nderonte fisin e Buharasë. Një njeri, që do të shquhej për sjelljen fisnike. Dijetari i ardhshëm që do të ngrinte lart vlerat e Beratit dhe të atdheut. Një fetar i kulturuar i besimit ndaj Zotit. Një poet i dashurisë për njeriun e bukuritë e natyrës shqiptare. Bota letrare do ta njihte qysh në moshën 19 vjeç, me poezi si, “Përpara Tomorit”, fituese e çmimit të parë, “Poeti”, “Zemrës”, “Shiu”, “Çudit’ e fshatit tim”, “Dua të jem flutur”, “Manushaqja”, etj. me nivel artistik dhe frymëzim poetik, të cilat të sjellin ndër mend Lasgush Poradecin. Të krijuara sipas traditës rilindase, shprehin ndjenjat e pastra të një njeriu të mirë. Pseudonimet “Valater Çokdari” e “Lulëzari” në atë kohë u njohën kudo. Vlerësimet për Buharanë u pasqyruan në shtypin e kohës, nga Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, Ali Asllani, Nexhat Hakiu etj..
Drama e jetës së tij
Vexhi Buharaja pas mësimeve të para në Berat, në vitin 1940 u vendos në Tiranë. Atje kreu me përfundime të shkëlqyera Medresenë e Lartë. Më pas dha mësim po në atë shkollë dhe drejtoi revistën “Kultura Islame”. Vitet 1940 -1944 i përkasin një krijimtarie të larmishme, në poezi e prozë, studime figurash e ngjarjesh historike, përkthime e redaktime punimesh për revistën. Në këto vite bashkëpunoi edhe me organe shtypi të kulturës si, “Njeriu”, “Tomori i Vogël” etj.. Në fillim të vitit 1944, e shohim të kthehet në Berat. Në ditët e premte, i ftuar në xhamitë kryesore të qytetit, tek jepte vas në shqip për çështje fetare e shoqërore, dëgjohej zëri i tij i ngrohtë me një oratori e filozofi të përkryer. Deri në vitin 1947 jep mësim në shkollat e qytetit. Në atë vit të zi për njerëzit e ditur, Vexhi Buharaja si shumë intelektualë të tjerë u arrestua. Biblioteka e tij e pasur u sekuestrua. Librat u mbartën me një kamion ndërtimi!… Gjyqi komunist me akuzën për “agjitacion e propagandë”, e dënoi me 8 vjet burg. Nga burgu e dërguan në kampin e Maliqit. Emrat: kënetë, kanal, Maliq, Roskoveç, Tërbuf, Çermë, na kujtojnë martirët patriotë, dijetarët e shquar, profesorët, inxhinerët e aftë, shkrimtarët e talentuar, njerëzit e shërbesave fetare etj.. Pas burgut, Vexhi Buharaja për të siguruar jetesën e familjes, iu nënshtrua një pune sfilitëse. Me duart e pafuqishme, të përdorte sërish kazmën! Megjithatë penën dhe librat i mbajti pranë si mjetet e tij më të shtrenjta.
Frymëmarrja nëpërmjet krijimtarisë
Në vitet ’60, kur diktatura do të ndalte vrullin e vet vrastar, krijohet mundësia të kthehet në arsim. Në shkollat e mesme jep lëndën e gjuhës ruse, të mësuar në burg. E shohim të punojë për Muzeun e Beratit. Kur institucionet qendrore të asaj kohe patën nevojë për dijet e tij, në vitin 1965 pranohet punonjës shkencor në Institutin e Historisë, Gjuhës e Letërsisë të UT, më vonë e Akademisë së Shkencave. Për Buharanë do të niste një kohë e re krijuese dhe hulumtuese. Shquhet për punë të palodhshme e cilësore për historinë e Shqipërisë. Kjo u duk në shkrimet e shkëlqyera, ndërmjet tyre kumtesa për Gjergj Kastrotin- Skënderbe, me rastin e 500 vjetorit të lindjes, mbajtur në një sesion shkencor në Berat. Të një rëndësie të veçantë janë përkthimet e tij. Siç dihet në vitet e diktaturës shumë poetë e shkrimtarë të paraluftës, u burgosën ose u lanë mënjanë. Mundësia e vetme për të mbijetuar e për të shprehur aftësitë e tyre, ishin përkthimet e shkrimeve politike, e poezive dhe romaneve të letërsisë shqipe e të huaj. Të tillë qenë, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Vedat Kokona, Bujar Doko, Isuf Vrioni etj.. Po atë fat pati edhe Vexhi Buharaja. Në Institutin e Historisë, përktheu shumë dokumente arkivore turke që hedhin dritë mbi kohën e pushtimit osman. Me vlera kombëtare janë përkthimet e Defterëve (regjistrave) të administratës turke, përkthimi i shkrimeve dhe qindra letrave në turqisht të rilindasve tanë, si Hasan Tahsini, Sami Frashëri, Dervish Hima etj.. Ndihmesa e tij, shkëlqeu sidomos në studimet shkencore, për shpjegimin e toponimeve të vendbanimeve; transkriptimin e përkthimin e mbishkrimeve në gjuhën osmanisht, në shumë rrethe të vendit, në objektet fetare, në kështjella, në kulla sahatesh, në ura, në shtëpitë e lashta etj.. Një nga veprat e tij me titullin, “Monumente të kulturës turko-arabe” përmban rreth 300 mbishkrime, të një kohe që nis nga shekulli XV deri në shekullin XX. Shumë studiues për temat e tyre përdornin punimet e tij. Kur përmendnin burimin e lëndës, shënonin shkurt formulën, “sipas arkivit të Institutit të Historisë”. Pra, e gjithë kjo veprimtari e Vexhi Buharasë, kaloi në heshtje. Shpesh në konferenca kombëtare këto arritje i përfaqësuan padrejtësisht të tjerët, të cilët ishin nën nivelin e tij kulturor. Megjithatë ato u vlerësuan nga dijetarët vendas e të huaj si, gjuhëtari i madh Prof. Eqrem Çabej, orientalisti Myqerem Janina, orientalisti gjerman Prof. Franc Babinger etj..
Në lëmin e letërsisë, përveç poezive e shkrimeve të Vexhi Buharasë, njihen përkthimet në shqip, si drama “Besa” e Sami Frashërit, krijimet e poetëve persë e turq. Me një interes të veçantë u prit nga lexuesit, botimi në shqip i veprës së Saadiut “Gjylistani dhe Bostani”, perlë e poezisë botërore. Përgatiti dhe një antologji me poezi të zgjedhura të poetëve persianë.
Për letërsinë tonë e një rëndësie të veçantë, është dhe kthimi në shqip nga Vexhi Buharaja i dy vëllimeve me poezi në gjuhën perse të Naimit, “Endërrimet” (Tahajjulat) dhe “Katër Stinët.” Sipas një letre publicisti N J, i njohur si hartues antologjish me shkrime autorësh shqiptarë, kërkoi prej tij ndihmë për një kumtesë, rreth këtyre dy librave. Lasgush Poradeci për këto punë arti, do të shkruante: “Për mua dy janë të mëdhenj në fushën e përkthimeve nga gjuha perse, i madhi Noli në Amerikë dhe i madhi Buharaja këtu.” Prof. Eqrem Çabej pas leximit të “Gjylistanit” u shpreh me fjalë të ngrohta: “Mjaftonte vetëm studimi hyrës, shënimet sqaruese dhe fjalori enciklopedik, që Vexhi Buharaja të meritonte gradë shkencore”. Siç del nga letrat, i dashur dhe bujar, shpesh punimet e veta të pabotuara ua jepte të tjerëve si burim për tema që kishin në program. Si shpërblim pas kërkesash të lodhshme, disa ktheheshin e disa humbisnin.
Largimi nga puna
Kur diktatura me luftën e klasave u zgjua më e tërbuar në vitin 1975, Vexhi Buharaja, u pushua nga puna. Ky veprim i egër u prit me pakënqësi të thellë nga disa intelektualë të ndershëm. Në letrën e dijetarit të njohur Samim Visoka, për këtë akt të mbrapshtë, dërguar Institutit të Historisë dhe Akademisë së Shkencave, ku sekretari shkencor mbulonte kuadrin, midis të tjerave lexojmë: “S’ka dyshim se elementë si Vexhi Buharaja nuk duhen pushuar nga puna, po duhet të ruhen e të mbrohen si diçka shumë e vlefshme, sepse siç e dini ju vetë, jeta, mosha, po i rrallon këta specialistë me vlera të mëdha në fushën e orientalistikës. Elementë të tillë si Vexhi Buharaja janë perlë…” Vexhi Buharaja, i prekur, por aspak i thyer u largua nga puna shkencore. Pushtetarët e mefshtë të Beratit për ta fyer më tej këtë intelektual të rrallë, e caktojnë arkëtar në një lokal shërbimi. Megjithatë populli i Beratit si përherë e respektonte dhe mburrej me të. Ashtu si më parë, ai vijoi të merrej me art e shkencë. Të gjithë ata që patën fatin ta takonin, njohën njeriun idealist e gojëmbël, poetin e hijshëm të lirisë, dijetarin serioz e bujar, profesorin e vërtetë shqiptar.
Përfundimi
Muret u shembën e idhujt ranë. Në vitin 1993 Vexhi Buharaja u nderua me titullin “Qytetar Nderi” i Beratit dhe “Mësues i Popullit”. Medreseja dhe Biblioteka e Beratit mbajnë emrin e tij. Ahmet Kondo më 1995 botoi librin “Vexhi Buharaja-Njeriu, poeti, dijetari”. Ai përmendet në librin, “Antologjia e Krimit Komunist”, botuar në vitin 2006. Në vitin 2008, në Tiranë, u botua libri me titull: “Vexhi Buharaja pa mite e mjegull”, shkruar nga Yzedin Hima. Pas një heshtje të gjatë foli edhe Akademia e Shkencave me Fjalorin Encikopedik Shqiptar.
Tashmë, emri i Vexhi Buharasë, njihet kudo për dhuntitë e rralla: poet, publicist, fetar-filozof, orientalist, historian, përkthyes, njohës e zotërues i 10 gjuhëve. Së pari, gjuhët klasike të Lindjes Islame: persisht, arabisht, osmanisht dhe turqishte e re. Së dyti, gjuhët e perëndimit: anglisht, gjermanisht, frëngjisht dhe italisht. Së fundi rusisht. Lexuesi në kohët tona u njoh edhe me shqipërimin e përkryer të “Shah-Name” -së së Firdusiut, një kryevepër tjetër botërore, e lënë në dorëshkrim nga Vexhi Buharaja.
Ky shkrim është botuar nga autori me rastin e 90-vjetorit të Vexhi Buharasë.
Pershendetje dhe u uroj me te miren ...ju qe kujtoni dhe punoni per te mos harruar Vexhiun dhe gjithe ata qe per shume pak kohe lane gjurme, vepra, shkence dhe qofshin te paharruar gjithmone.
Edhe une kam pasur fatin ta njoh Vexhiun e madh ...edhe pse nuk e lexoja dhe e shikoja shume pak , ka lene ne ndjesine time , pershtypjen e njeriut te vecante ,por kur u rrita dhe kuptova kush ishte e ruaj fizikun e tij te gjalle , me duket sikur i Shijoj akoma karamelet qe ai iu shperndate femijeve para shtepise se tij ,kur kthehej nga puna . Ai kishte dhe nje familje te madhe , gruan Hallo Nakua ( Nazime) qe dhe gurin e bente te qeshte dhe femijet e tij qe rrezatonin , zgjuarsine dhe njerzillekun e prinderve te tyre.
Malli dhe nostslgjija exsistojne, uroj qe shoqerise dhe kombit tone tu kthen nder vite ajo plejade ....qe dhe shpirti I atyre qe punuan per kombin pa shperblim dhe te vuanin nga Bisha komuniste, te prehet I qete.