Vetëvrasja e një nacionalisti në burgun e Fierit/ "Më mirë vdekje nga dora ime se nga stalinistët"

0
175

Një dëshmi mbi nacionalistët e Mallakastrës që u burgosën në burgun e Fierit në vitin 1945. Dënimi me vdekje i Muharrem Dule Ruzhdisë dhe akti i tij i vetëvrasjes për të mos e lënë vdekjen e tij në duart e komunistëve. Pasi u dënua me vdekje, kërkoi leje për në banjë dhe aty, me një brisk rrojeje, kreu aktin e vetëvrasjes, duke çarë barkun....

 

Dëshmia e mëposhtme është dhënë nga i burgosuri politik Hysen Hekali në gazetën Liria të datës 11 shtator 1992.

Shkrimi:

Burgu politik i Fierit u krijua në fillim të korrikut 1945 për opozitarët nacionalistë kundërshtarë të Enver Hoxhës. Në këtë burg shumica ishin nga Mallakastra, të tjerët nga Roskoveci dhe Fieri. Gjyqi i parë filloi më 5 korrik 1945. Kryetar i gjyqit ishte Qemal Klosi dhe prokuror, Selim Alimerkoja. Gjyqi vazhdoi 15 ditë. U dënuan 12 vetë me vdekje. Gjyqet që pasuan patën për kryetar Myftar Nexhipin nga Mavrova dhe prokuror Nusret Osmanin. Në çdo gjyq pothuajse gjysma dënohej me vdekje. Të tjerët me dënime të ndryshme.

Nuk e harroj një ndodhi në burgun e Fierit, atë të Muharrem Dule Ruzhdies.

Muharremi ishte rreth të tridhjetave, i pashëm, shtatlartë dhe me tipare burrërore. Në luftën kundër fashizmit, ishte inkuadruar në çetën nacionaliste të Tefik Sfirit. U shqua në përpjekjen e parë me forcat italiane, e cila u quajt lufta e Ruzhdies, më 13 mars 1943. Nga tanët mbeti i varë Jashar Cakrani.

Si komandant toge, Muharremi mori pjesë edhe në luftime tjera të zhvilluara nga çetat nacionaliste, si në atë të Ngraçanit, ku u vranë 40 milicë mercenarë dhe u zunë 6 robër, në luftën e Luarit, në qershor të vitit 1943, ku mbeti i vrarë komandanti i çetës, Selfo Hekali.

Me cilësitë e tij, Muharremi fitoi simpatinë e dashurinë të gjithëve. Ai dallohej si një nga idealistët e çështjes kombëtare, i frymëzuar nga idealet atdhedashëse të Rilindjes Kombëtare. Ai luftonte për një Shqipëri etnike të bashkuar e të lirë.

E pata njohur gjatë luftës. Fati na bashkoi edhe në burg. Iu bë gjyqi në Ballsh. U dënua me vdekje. Kerkoi leje për në banjë dhe aty, me një brisk rrojeje, kreu aktin e vetëvrasjes, duke çarë barkun.

E prunë nga Ballshi në Fier dhe e lanë ashtu të shtrirë në agoni, në oborrin e burgut. Aty gjeta rastin të mbetesha vetëm për vetëm me të. Me keqardhje, i thashë: Muharrem, vëlla, pse e bëre këtë?

Hysen, shpirt,- më tha,-mos më qorto! E di që vetëvrasja është një akt i papranueshëm. Unë arrita në këtë përfundim, sepse nuk doja të vdisja nga dora e komunistëve. Ata janë të etur për gjak shqiptari, ndiejnë kënaqësi kur na vrasin ne, nacionalistëve. Ja, si janë katandisur këta bastardë të racës shqiptare të shitur te sllavët. Nuk desha t'ju jepja këtë kënaqësi këlyshëve të Stalinit. S'di si do të më gjykojnë të tjerët.

- Po ndahem prej jush, vazhdoi. Më dëgjo! Sot ne kemi humbur në fushën e betejës, por jo në atë të shqiptarizmit. Nesër shqiptarizmi do të triumfojë. Kush të mbijetojë prej nesh, le t'ia lërë stafetën e shqiptarizmit brezit tjetër, që komunizmi të pësojë disfatën përfundimtare, të çrrënjoset nga trojet shqiptare, sepse komunizmi është si një përbindësh që arrin të ushqehet edhe me pjellën e vet. Do të mbërrijë dita që nënat shqiptare, gratë, motrat, vajzat dhe fëmijët tanë të mos rrojnë me frikën e komunizmit.

Këto qenë fjalët e tij të fundit. Të nesërmen mësuam për vdekjen e tij.

Hysen Hekali

S'KA KOMENTE