Petro Marko, një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë moderne shqiptare ishte dhe një nga më të përndjekurit e regjimit komunist. Pas burgut fizik që e nisi në maj të vitit 1947 dhe e përfundoi në maj të 1950-ës, atë e prangosën për disa vite edhe si shkrimtar, pas një urdhri të firmosur nga Ramiz Alia, që i hiqte të drejtën e botimit
Shkrimtari dhe luftëtari i idealeve, Petro Marko, ishte mësuar me arrestimet dhe burgosjet, nëse mund të mësohesh me to. U arrestua dhe u internua gjatë monarkisë, kur nxori “ABC”-në në vitin 1935, u arrestua dhe u burgos në Shqipërinë fashiste në vitin 1941, u çua në burgun e Barit, po atë vit dhe më pas, u internua në ishullin e Ustikës, në kampin Frasketi deri në vitin 1943 dhe pastaj në burgun Regina Coeli në Romë, në 1944. Kur e do aq shumë lirinë siç e donte djaloshi bregdetar, mund ta pranosh edhe ta humbasësh teksa je duke luftuar për të. Të burgosesh nga kundërshtarët dhe të ndash dënimin me njerëz të idealeve të njëjta është vazhdim i luftës që çdo luftëtar shtrëngon dhëmbët për ta vazhduar dhe Petro Marko atë bëri. Por kur e burgosën në maj të vitit 1947, ishte ndryshe. E kishin dënuar ata që ai mendonte se i kishte shokë idealesh. E kishin hedhur në burg bashkë me ata që i kishte luftuar dhe I urrente. Kjo nuk ishte vazhdim i luftës, kjo ishte një padrejtësi me të cilën nuk mund të pajtohej. “...është një krim që më bëhet, se jam i pafajshëm dhe kurrën e kurrës, duke filluar qysh nga 1932, nuk i kam sjellë ndonjë dëm popullit...”, shkruante shkrimtari në një letër drejtuar Gjykatës së Lartë më 5 maj 1949. Do të kalonte edhe një vit tjetër në burg, për t’u liruar pas plot tre vitesh, në maj të vitit 1950.
U arrestua se i kishin gjetur shkrime kundër vijës së partisë në redaksinë e gazetës “Bashkimi”, apo se u kishte dhënë informata anglo-amerikanëve. “E vërteta është se unë çdo të huaji që vizitonte gazetën, gazetarë ose funksionarë të legatave dhe misioneve të huaja, u përgjigjesha pyetjeve që bënin. Doemos, kur pyesnin se sa është tirazhi i gazetës, unë si përgjigje nuk mund të thosha se nuk e di!”, ka shpjeguar vetë shkrimtari akuzën qesharake që e dënoi me tre vite burg, por, siç ndodhte zakonisht në atë kohë, dënimet ndaj tij nuk përfunduan me daljen nga burgu, por do të vazhdonin në forma të ndryshme gjatë gjithë regjimit diktatorial. Pasi i kishin vënë pranga zhgënjimi antifashistit të zjarrtë, regjimi vazhdoi t’i lidhte duart shkrimtarit dhe ndoshta këto pranga të padukshme i dhimbnin edhe më shumë Petro Markos. “U censurua e u gjymtua romani i tij i parë “Hasta la vista” (1957). Mbas botimit, iu ndalua në libraritë dhe bibliotekat romani i dytë “Qyteti i fundit” (1960). Iu ndalua realizmi i skenarit për film artistik “Bora e kuqe” (1960). Po mbas botimit, iu ndalua në libraritë dhe bibliotekat edhe romani i tretë “Stina e armëve” (1964)”, thuhet në referatin kushtuar 100-vjetorit të lindjes së Petro Markos, që ka mbajtur Aurel Plasari, drejtor i Bibliotekës Kombëtare atë kohë.
Petro Markon e kishin futur në burg, më pas i kishin censuruar veprën e megjithatë duket se përmasat e këtij artisti po dilnin mbi masat e një klike të tërë. Në Tiranë, jetonte një shkrimtar i pazakontë, që magjepste me librat dhe personalitetin e tij dhe kjo duhej ndaluar. Në prill të vitit 1967, Komiteti Qendror i Partisë urdhëron që Petro Markos t’i hiqej e drejta e ushtrimit të profesionit të lirë, 7 vjet pasi e kishte fituar këtë të drejtë. Urdhri i firmosur nga sekretari Ramiz Alia, rekomandonte që shkrimtari të emërohej mësues letërsie në Elbasan. “Gjatë kohës si shkrimtar profesionist ka bërë gabime ideologjike, shtrembërime të së vërtetës historike, duke mos u nisur nga pozita të shëndosha të luftës së klasave. Për këto arsye me vendim të KQ të PPSh i është hequr e drejta e profesionit të lirë dhe vihet në dispozicion të rrethit tonë për t’u vendosur mësues letërsie në Elbasan”, shënohet për të në dokumentet e kohës.
Goditjet dhe kufizimet vazhduan për Petro Markon gjatë gjithë jetës, si profesionale dhe personale, me censurimin e vazhdueshëm të veprave që ai rifilloi të shkruante deri te burgosja e të birit, Jamarbrit, në vitin 1975. Për një shpirt të lirë, duhet të paguaje shtrenjtë, shumë shtrenjtë.