Varri i nacionalistit Jorgji Mema në oborrin e shkollës "Kristoforidhi"

1
1048

Jorgji Mema ishte viktima e fundit e terrorit komunist në Tiranë, ku u vranë sipas pohimeve të vetë komunistëve mbi 100 qytetarë të pafajshëm. Disa qytetarë të mirë tiranas e morën trupin e pajetë të Jorgjit dhe e varrosën në skaj të oborrit të shkollës. Dëshmitarët tregojnë se të vrarit, partizanët i kishin marrë këpucët, rrobat e trupit si edhe gjithë sendet me vlerë.

Nga Orhan Sakiqi

Nga rruga e çamëve kaloj shpesh. Edhe kur mund të kaloj për më shkurt në ndonjë rrugicë tjetër që të nxjerr në Rrugën e Kavajës, zgjedh këtë rrugicë. Shkaku është se atje ndodhet shkolla "Kristoforidhi", ku kam kryer shtatëvjeçaren. Kur jam me nge, edhe hyj brenda nga klasa e parë e deri te e shtata. Kështu ishte, çdo klasë kishte dhomën e vet. Ja edhe oborri para shkollës ku rreshtoheshim para hyrjes në mësim. Dhe kujtimet nuk të ndahen, - siç thoshte Lermontovi. Kujtime... e kam pisk me ju, o kujtime! Kujtoj shokët: Vilsonin, Veniaminin, Adriatikun, Lulzimin, Qemalin etj. Shoqet: Lirinë, Merin, Suzanën, Eminenë, Figalinë. Kujtoj mësuesit Bedri Llagami, Eqrem Cano, Sofika Falli, Piro Totozani, Osman Caslli, Milla Koca e dikush tjetër që të më falin që nuk më kujtohen.

Kujtimet e bukura të fëmijërisë u bënë 'pisk' së fundi kur mësova se në oborrin e shkollës, nën këmbët tona, kishte qenë varri i nacionalistit Jorgji Trifon Mema. Nuk e di a mund të quhet varr, sepse varri ka një shenjë, një emër, një gur si shenjë dalluese, së paku lule të lëna aty nga familjarët a nga shokët e miqtë e tij. Jo, aty nuk kishte asgjë. Nxinte asfalti si shpirti i atyre që e vranë...

Po kush është Jorgji Mema? Si mund të ndodhë që varri i Jorgjit, që ishte nga fshati Stërmen i Elbasanit, të ndodhej në oborrin e shkollës në Tiranë?
Më poshtë po citoj shkrimtarin Bedri Alimehmeti në librin e tij "Tirana e përgjakur":

"Jorgji Mema u lind në Shtërmen të Elbasanit në vitin 1907 nga një familje me tradita atdhetare. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes e pastaj shkollën e mesme në Normalen e Elbasanit. Mbaron një kurs ushtarak, ku shërben për dy vjet. Jep dorëheqjen nga ushtria dhe punon në administratën shtetërore si sekretar e pastaj kryetar në komunat Baldushk të Tiranës dhe Mollas të Elbasanit. I gjithë fisi i tij dhe vëllezërit ishin nacionalistë. Ishin nga të parët e qarkut të Elbasanit që luftuan pushtuesin. Si të tillë e panë dhe e pritën me shpresë dhe besim mbledhjen e Mukjes dhe vendimet e saj, ku më së fundi shqiptarët së bashku do të luftonin për një Shqipëri të lirë dhe të pavarur. Fati i pushtetit mbas përfundimit të luftës do të vendosej nga vetë populli me zgjedhje të lira. Por komunistët i kishin bërë llogaritë ndryshe, "Pushteti mbi të gjitha", kjo ishte edhe parulla e Leninit, të cilën komunistët jugosllavë ia mësuan 'Komandantit'.

Kështu, Jorgji dhe gjithë fisi i tij, duke parë që vendimet e Mukjes, u shkelën nga njëri krah u lidhën me Ballin Kombëtar. Ai, për vetë kulturën që kishte, si edhe mënyrën e hapët dhe pa djallëzi të komunikimit më të tjerët u vu në krye të nacionalizmit elbasanas, duke u zgjedhur sekretar i Ballit për qarkun e Elbasanit.

Jorgji kishte mbaruar Normalen e Elbasanit, djepin e arsimit shqiptar, që mund të cilësohet pa frikë Universiteti i parë shqiptar për mësuesit që jepnin mësim, për gjuhët e huaja që mësoheshin e mbi të gjitha për shqiptarizmin. Me bashkënxënës nga Kosova dhe Çamëria, ai e donte Shqipërinë në kufijtë për të gjithë ata që flisnin shqip. E nuk kishte njeri më të ditur e të përkushtuar se ai për të drejtuar. Këtë detyrë ai e kreu me zell e duke mos kursyer asgjë. Nuk është e rastit që shtëpisë së Memave në Stërmen komunistët i vunë zjarrin në vitin 1943."

Por nuk shkuan ngjarjet në drejtimin e duhur. Terroristët kishin llogaritur që do ta vrisnin. I dyshuar për atentatin që do t'i bëhej, ai detyrohet të lerë Elbasanin dhe të vendoset në Tiranë me gjithë familjen nga shtatori i vitit 1944, me banesë diku nga Rruga Fortuzi. Por edhe këtu nuk i shpëtoi atentatit. Vritet më 16 nëntor të vitit 1944 në Rrugën e Kavajës, pranë ish shtëpisë së oficerëve, ku e zbresin nga makina për ta pushkatuar. Po shkonte të takonte një misionar anglez, sikurse thonë familjarët e tij.

Kohët e fundit historiani i ri Erald Kapri ka botuar librin "Sekretet e Luftës", ku jep të dhëna interesante nga lufta e Tiranës në f.289. Libri bazohet mbi dokumente të marrë nga arshivat britanike, dokumente autentike e të panjohura më parë si edhe shumë foto. Aty ndërmjet të tjerave thotë: Pjesa më e madhe e fotove janë bërë nga majori britanik J.P.F. Oliver, i cili ndodhej pranë shtabit të partizanëve të drejtuar nga Mehmet Shehu. Krahas fotove të rralla të kryeqytetit, majori britanik hartoi edhe një raport prej disa faqesh ... Vetëm pas datës 11 nëntor trupat partizane filluan të avancojnë më tej, duke u liruar kryeqyteti, pas tërheqjes së trupave gjermane. Ai raportoi më tej se trupat partizane arrestonin civilë, ndërsa arriti të fotografojë edhe një numër civilësh të vrarë në periferi të Tiranës. Këtu është një nga fotot e majorit, e titulluar: civilë të vrarë nga partizanët në rrugën "Musolini", sot Rruga e Kavajës, më 16 nëntor 1944. Një nga ata është patjetër Jorgji Mema, që dihej që është nxjerrë nga makina dhe ekzekutuar aty. Këto foto janë dokumenti i vetëm i masakrës së Tiranës.

Jorgji Mema ishte viktima e fundit e terrorit komunist në Tiranë, ku u vranë sipas pohimeve të vetë komunistëve mbi 100 qytetarë të pafajshëm.

Kur u qetësua disi gjendja disa qytetarë të mirë tiranas e morën trupin e pajetë të Jorgjit dhe e varrosën në skaj të oborrit të shkollës. Dëshmitarët tregojnë se të vrarit, partizanët i kishin marrë këpucët, rrobat e trupit si edhe gjithë sendet me vlerë.

Pikërisht më 16 nëntor 2018, ditën kur ne përkujtojmë të afërmit tanë të pushkatuar pa gjyq, bisedoj me Kristo Memën, djalin e xhaxhait të Jorgjit. Si të gjithë Memët, edhe ai me 13 vjet burg politik, pjesëmarrës i revoltës së Spaçit, më tregon hollësi të cilat nuk i kam ditur. "E dinim që Jorgji është varrosur diku në rrugicën e Zelajve, sot e çamëve, por nuk guxonim të pyesnim më tej".

Në vitin 1991 shkuam te i ndjeri Osman Kazazi, që ishte kryetari i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë. Ai kishte arritur të mësojë se për këtë çështje kishin dijeni fisi Balla, që banonte pranë shkollës "Kristoforidhi". Brez mbas brezi fisi e kishte ruajtur vendin e varrimit, megjithëse ajo pjesë e kopshtit të tyre ishte marrë nga shkolla dhe ishte asfaltuar. Kështu shkuam dhe mbas gërmimit gjetëm eshtrat e Jorgjit. Për Anastasian, bashkëshorten e Jorgjit, që mbeti me pesë jetimë, ky ishte i vetmi ngushëllim në jetën e vështirë që kaloi. Kishte arritur të kishte një vend për t'u treguar fëmijëve që ky është vendi i babait të tyre. Jorgji nuk ishte varrhumbur. Mund të quhet fat, kur mijëra viktima të komunizmit janë sot e kësaj dite pa varr. Shteti fqinj nuk i harron bijtë e tij të rënë në tokën tonë me ndihmën e autoriteteve tona, të cilët nuk kujtohen për shtetasit e tyre.

E pyes Kriston nëse i kujtohet sadopak Jorgji. Jo, më thotë, por kam dëgjuar në familje shumë për të. Pa shumë fjalë, lexonte dhe luante me violinë kur ishte mërzitur. Ky njeri me këtë botë të madhe ka qenë për afro 50 vjet i varrosur në një oborr shkolle. Ne nxënësit e shkollës paskemi shkelur mbi varr.

Tani, kur hyj në shkollë, më bëhet sikur dëgjoj violinën e Jorgjit, tingujt e së cilës përhapen për një botë më të mirë, ashtu sikur ai e kishte ëndërruar. Por a po dëgjohen vallë nga të gjithë?

Shkëputur nga libri "Kronikë e jetëve të humbura"

1 Koment