..."Të ini të pa mëshirshëm kundra atyre që udhëheqin luftëtarët e reaksionit kundra Ushtris s’onë dhe popullit, kundra atyre që kanë vrarë, masakruar e djegur popullin, kundra atyre që mobilizojnë popullin dhe e vënë në shërbim të okupatorit dhe të trathtorëve, kundra xhandarëve kur këta zihen në luftë ose në befasi. Gjermanët mos i pushkatoni kur i zini robër, për këta lajmëronani neve për të kërkuar shkëmbimin me njerzit t’onë që janë në duar të okupatorit. Në rast se ruajtja e këtyre gjermanëve nuk është e mundur atëherë mund edhe t’i pushkatoni..."
Ky urdhër i Enver Hoxhës i dhënë me 1 qershor 1944 i paraprin një varg masakrash që bënë partizanët e Pezës, ndaj gjithë nacionalistëve, që ata i quanin reaksionarë. Ai urdhëron që të digjen shtëpitë dhe të konfiskohen pasuritë e “tradhtarëve” dhe “reaksionarëve”. Për oficerat e xhandarmërisë urdhri është kategorik: të pushkatohen. Edhe xhandarët pushkatohen, por, për këta, mund të bëhet ndonjë lëshim. Pjesë e urdhrit është edhe porosia që këto veprime – ekzekutimet, djegia e shtëpive, konfiskimi i pasurisë, plaçkitja e pjesshme – të kryhen me vendim gjyqi. Me përjashtim të ndonjë rasti, robërit gjermanë nuk lejohej të pushkatoheshin. Në pikën b. të urdhrit, shtabit të Pezës i ngarkohet detyra të mobilizojë fshatarët për të punuar në shkatërrimin e rrugëve.
Ja dokumenti i plotë me urdhrat e Enver Hoxhës:
USHTRIJA P.V.NACIONAL-ÇLIRIMTARE
SHQIPTARE
Shtabi i Përgjithshëm
Nr. 7
Zon’ë e lirë 1/VI/1944
Shtabit të Grupit të Pezës,
Kalimi i një pjesës së Ushtris s’onë në veri të Shkumbinit duhet të shoqërohet me nji intensifikim aksionesh nga ana e Grupit të Pezë[s,] për këtë urdhërojmë që porsa të merni këtë urdhër Grupi i juaj të fillojë këto veprime:
a) të goditij armikun në rrugën Tiranë-Elbasan.
b) të shkatërrojë në një shkallë të gjerë rrugën Tiranë-Elbasan duke përdorur për këtë shkatërrim edhe fshatarë të mobilizuar posaçërisht për këto shkatërrime.
c) Të goditë çdo infiltracion armik në të dy anët e rrugës të nalt-përmendur.
ç) të shkatërrojë vijat telefonike duke depozituar këtë tel në vende konspirative për t’a përdorur në rast nevoje për ndërtimin e vijave t’ona.
d) të goditen forcat e Bazit në qoftë se ndodhen në të dy krahet afërsit e kësaj rruge.
dh) të goditet çdo forcë tjeter reaksionare.
e) të miret kontakt me Shtabin e forcavet që vinë në veri të Shkumbinit dhe të kordinohen veprimet me të.
T’i bëni një thirrje gjithë elementave të gabuar që gjenden në gjirin e reaksionit qoftë ky Ball Kombëtar, Baz i Canit, Legalitet, qeveri kuislinge Xhandërmari, Ushtri të qeverisë kuislinge etj. Të theksoni në këtë thirrje rrugën e drejtë të Ushtris s’onë, vazhdimin e luftës s’onë deri në shkatërrimin e plotë të okupatorit dhe të tradhëtorëve dhe vendosjen t’onë për t’i siguruar popullit Shqiptar lirin e plotë në një Shqipëri demokratike popullore.
Të ini të pa mëshirshëm kundra atyre që udhëheqin luftëtarët e reaksionit kundra Ushtris s’onë dhe popullit, kundra atyre që kanë vrarë, masakruar e djegur popullin, kundra atyre që mobilizojnë popullin dhe e vënë në shërbim të okupatorit dhe të trathtorëve, kundra xhandarëve kur këta zihen në luftë ose në befasi. Gjermanët mos i pushkatoni kur i zini robër, për këta lajmëronani neve për të kërkuar shkëmbimin me njerzit t’onë që janë në duar të okupatorit. Në rast se ruajtja e këtyre gjermanëve nuk është e mundur atëherë mund edhe t’i pushkatoni.
Djegia e shtëpive duhet të përdoret vetëm kundra trathtarëve që përcaktuam më lart; kjo nuk duhet të jetë e një masë që të përgjithësohet kundra gjithë atyre që gjenden në rrjeshtat e reaksionit.
Në konfiskimin e pasurisë së trathtarëve duhet të mbani gjithmonë parasysh që t’i lihet familjes një pjesë e mjaftueshme për të jetuar dhe të mbahet karshi saj një sjellje korekte. Të evitohet plaçkitja; të bëhen konferenca të gjera në kompanira për të udhëzuar partizanët dhe të miren masa të rrepta në qoftë se konstatohet një gjë e tillë.
Të veprohet në mënyrë që populli të shohij dhe të prekij ndryshimin që është ndërmjet Ushtris s’onë dhe bandave të reaksionit. Të mbahet një sjellje korekte karshi popullit si nga ana e udhëheqësavet ashtu dhe nga ana e partizanëve.
Djegiet dhe ekzekutimet dhe konfiskimet duhet të bëhen me vendimin e gjyqit të Grupit. Atje ku është ngritur pushteti Nacional-Clirimtar konfiskimet bëhen prej këshillave Nacional-Clirimtare duke qenë prezent edhe intendenti i Grupit ose i ndonjë batalioni.
Mbasi të merni kontakt me forcat partizane që vinë nga jugu, ju duhet të shtriheni në zonat që do të kenë çliruar këto dhe që gjenden në të dy anët e rrugës Tiranë-Elbasan dhe atje do të vazhdoni të goditni armikun dhe të ngrini e të forconi këshillat Nacional-Clirimtare, komandat e vendit dhe rojet partizane vullnetare fshatare.Të mbaheni në lidhje të rregulltë me ne dhe të na mbani në korent me zhvillimin e ngjarjeve dhe të gjendjes.
Vdekje Fashizmit-Liri e Popullit!
Komandant’i Përgjithshëm i Ushtris N. C[.L] Gjeneral Kolonel
(Enver Hoxha)
Shënim: Dokumenti ruhet në AQSH, në fondin em numër 41, në dojen nr. 53