U arrestua 16 vjeç, humbi jetën pas 12 vjetësh në Qafë-Bari

0
392

Hariz Hysni Braho, i lindur më 25.4.1957 në Zvezdë të Korçës, ishte 16 vjeç kur u arrestua më 17.7.1973 në tentativë për arratisje, duke u akuzuar për “tradhti ndaj atdheut”, në bazë të nenit 64 të Kodit Penal, së bashku me tre bashkëmoshatarë të tij. Gjykata e Rrethit Korçë, me vendimin nr.42, datë 20.3.1974, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 12 vjet heqje lirie. Ai u dërgua për të vuajtur dënimin në Repartin nr.303 Spaç. Gjatë vuajtjes së dënimit, kundërshtoi të punojë në minierë. Për këtë, dënohet me izolim disa herë nga komanda. Në vitin 1981, kur vuante dënimin në Spaç, e ridënojnë me 5 vjet e gjysmë. Shumë herë ndaj tij u morën masa ndëshkuese për refuzimet për të dalë në punë. Pas gati 12 vjetësh heqje lirie, humbi jetën në moshën 28 vjeçare, në Repartin nr.311 Qafë Bari. Në komunikatë operative nr.164, datë 11.7.1985, të MPB-së, për këtë vdekje thuhet:

Më 10.7.1985, ora 11.00, në Repartin e Riedukimit 311 në galerinë 796 ku punojnë të dënuarit Hariz Hysni Braho, vjeç 28, lindur në Zvezdë të Korçës..., duke punuar te Trimozhi i transportit të mineralit, ky i fundit u bllokua. I lartpërmenduri u fut për ta zhbllokuar, e zë minerali nën vete duke i shkaktuar vdekjen. Shkoi grupi operativ dhe nxori si përfundim se shkaku i vdekjes është nga pakujdesia e tij”.

Regjimi nuk donte të merrte përgjegjësi në aktet që lëshonte. Ndërsa aktekspertiza mjeko-ligjore e këqyrjes së kufomës dëshmon se u krye pas 50 orësh nga vdekja. Sipas saj, duke punuar në sektorin “Horizonti 796”, tranversa 11, furneli nr.1, i dënuari u godit nga pas shpine nga një sasi e madhe minerali dhe u rrëzua me fytyrë në tokë. Nga goja e tij kishte rrjedhur një sasi e madhe gjaku. Në pjesën e kohës ishin vërejtur dëmtime të shumta.

S'KA KOMENTE