Spitali i të dënuarve

0
695

Për të burgosurit ose të paraburgosurit gjatë diktaturës komuniste të cilët sëmureshin në gjendje të rëndë, funksiononte Reparti nr.7 pranë Spitalit nr.2 në Tiranë. Për të rregulluar këtë, doli udhëzimi nr.01-11, datë 26.5.1961, i ministrit të Punëve të Brendshme, gjeneral-leitnant, Kadri Hazbiu.

Sipas këtij akti, spitali i të dënuarve kishte karakter kombëtar, aty kuroheshin të gjithë të sëmurët nga repartet e kampeve dhe burgjeve dhe të paraburgosurit e degëve të Punëve të Brendshme të rretheve. Spitali varej administrativisht e teknikisht nga drejtori i Spitalit nr.2, ndërsa për administrimin e dokumenteve dhe sigurimin e tij nga Drejtoria e Punëve të Brendshme Tiranë, e cila e ushtronte nëpërmjet Repartit nr.313. Spitali ruhej nga një komandë e posaçme, e cila përgjigjej për sigurimin e tij. Pavarësisht se ana e jashtme ka qenë humane, në thelb spitali ishte një lloj burgu me pasoja për shumë të dënuar.

Spitali kishte një shef reparti. Personeli civil, mjekët, kryeinfermierët, infermierët, pastruesit vareshin nga organika e spitalit, por për këtë duhet të jepte pëlqimin zëvendësministri i parë i Punëve të Brendshme që mbulonte Policinë, ndërsa shefi i repartit dhe personeli ushtarak ishin në organikë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Shtroheshin në spital:

-Të dënuarit ose të paraburgosurit me sëmundje kirurgjikale, patologjike, infektive dhe neuropsikiatrike.

-Në aneksin e spitalit antituberkular vetëm të sëmurët TBC (tuberkuloz).

-Të burgosurit e paraburgosurit vetëm në rastet kur nuk shëroheshin në infermieritë e burgjeve e kampeve (ose degës).

Për të gjithë kërkohej raport mjekësor. Shtrimi bëhej vetëm me urdhër të drejtorit të Drejtorisë së Policisë Popullore, me propozim të Degës së Kampeve dhe Burgjeve.

Megjithatë, spitali ishte vendi ku të dënuarit dërgoheshin në shkallën e fundit të sëmundjes së tyre. Këtë e shpjegon fakti se numri i vdekjeve ka qenë i lartë. Ai ishte një vend vuajtje e kjo dëshmohet edhe në letrat që të dënuarit i dërgonin organeve më të larta (si rasti i Bardhyl Belishovës, i cili kërkonte më mirë të shkonte në Burgun Burrelit se sa spitalin e burgut).

Të dënuarit që vdisnin dërgoheshin në varrezën e Tufinës. Për ata që vdisnin përpilohej një procesverbal, si ky bashkëlidhur.

Në të nënshkruante mjeku, përfaqësuesi i Hetuesisë dhe komandanti i Repartit nr.313 Tiranë. Procesverbali përmbante orën dhe datën e vdekjes si dhe sëmundjen që shkaktonte vdekjen. U dërgohej një ekzemplar dokumenti edhe zyrave të gjendjes civile për çregjistrim.

Spitali vazhdon të funksionojë edhe sot në të njëjtin vend që ka qenë gjatë diktaturës.

S'KA KOMENTE