Sinan Petrela, i shpronësuar dhe i burgosur

0
196

Regjimi komunist nuk u mjaftua me marrjen e 8 dyqaneve, 2 shtëpive dhe një sasie toke. Ai e dënoi më pas edhe me burg, pronarin tiranas, për pakënaqësinë që kishte për këto shtetëzime

 

Tregtari Sinan Petrela është një nga të arrestuarit e shumtë një ditë pas hedhjes së dinamitit në oborrin e legatës sovjetike në Tiranë. Ai nuk kishte të bënte me hedhjen e dinamitit, por si shumica e të arrestuarve, ishte i spikatur nga regjimi si element i pakënaqur.  Dyshimi rreth tij si element reaksionar, siç shkruan Kastriot Dervishi në librin e tij “Terrori komunist i vitit 1951” u hodh nga Dega e 2-të e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, e cila mbulonte “reaksionarët” si ballistët, legalistët, tregtarët, klerin etj.. Arsyeja përse kjo degë e Sigurimit e quante të dyshimtë Sinan Petrelën ishte e qartë. Ai ishte prekur rëndë nga shpronësimet dhe duhej të ishte i pakënaqur. Duke qenë i pakënaqur, sipas Sigurimit, ishte përfshirë në veprime kundër pushtetit komunist.

Për këtë arsye, u arrestua më 20 shkurt 1951. Sinan Petrela u pyet nga toger Xhemal Bejto. Hetuesi e pyeti për çështje të përgjithshme, për opinionet e tij rreth forcave politike, fashizmit etj.., krejt pa lidhje me akuzën. Si përfundim, Sinan Petrela u akuzua nga hetuesi i Sigurimit si më poshtë:

-Simpatizant i fashizmit, Ballit dhe Legalitetit gjatë luftës duke urryer e “vjellë vrer” kundër të ashtuquajturës “luftë nacionalçlirimtare”.

-Pas lufte i ka paraqitur “reformat” e padrejta duke propaganduar kundër tyre.

-Ka dëgjuar e komentuar radiot e huaja.

-Ka pritur dita-ditës ndryshimin e gjendjes pro ndërhyrjes perëndimore, në kuadër të “luftës së tretë botërore”.

Në librin kushtuar terrorit komunist të vitit 1951, Kastriot Dervishi, mbështetur në dokumentet e shqyrtuara, shkruan se Sigurimi dyshonte se i pandehuri nuk e tregonte tërësisht aktivitetin e tij. Ai konsiderohej njeri i rrezikshëm dhe luftënxitës. Qëndrimi në hetuesi vlerësohej i keq sepse ishte munduar “me të gjitha mënyrat të fshehë fajet e tij”, si dhe nuk ishte i sinqertë. Ndërsa në aktakuzën e Prokurorisë Ushtarake të Tiranës, për të, thuhej:

“Qysh me çlirimin e Shqipërisë ka qenë i pakënaqur nga pushteti popullor, pse i prekur nga reformat e ndryshme. Këtë pakënaqësi e ka shfaqur me elementë të ndryshëm të kategorisë së tij dhe nga ana tjetër ka bërë agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor për rrëzimin e tij së shpejti me ndihmën e anglo-amerikanëve”.

Në fillim të gjykimit, Sinan Petrela deklaroi para gjyqit:

“Akuzën e pranoj pjesërisht. Pakënaqur kundrejt pushtetit popullor jam bërë në kohën kur më kanë shtetëzuar dyqanet. Sepse kur më është shtetëzuar shtëpia ligji nuk ishte që të shtetëzonte dyqanet, por vetëm shtëpitë. Për këtë jam intetresuar në Kuvendin Popullor te Sami Baholli-sekretar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Ai vetë më ka thënë të interesohesha te autoritetet përkatëse se mos këta kishin bërë gabim. Jam interesuar, por më vonë doli një ligj për shtetëzimin e dyqaneve. Pastaj nuk kam thënë gjë pasi shtetëzimi u bë për të gjithë”.

“Unë kam dëgjuar radiot e huaja si Londrën dhe të tjera e për këtë kemi folur për Komitetin “Shqipëria e Lirë”…

Unë ligjin e reformës së pushtetit për shtetëzimin e shtëpive e kam quajtur të padrejtë. Për këtë më kanë nxjerrë nga shtëpia ime dhe më kanë futur në një shtëpi tjetër që nuk është gjë tjetër veçse një barake. Në një dhomë të vogël banojmë 6 veta. Kur ka folur Mehmet Shehu për pushimin nga puna të njerëzve të prekur nga reforma e kam quajtur të padrejtë këtë dhe për këtë kam folur me Zef Gjeçin dhe Sul Gjatën. Kam qenë kundër fjalimit të tij dhe për këtë mua dhe disa të tjerë më pushuan nga puna”.

Sinan Petrela ishte lindur në vitin 1914 në Tiranë. Në vitet 1931-1934 dhe 1935-1938 kishte punuar në magazinën e kushëririt të tij, Reshat Petrela. Pas falimentimit të kushëririt, në vitet 1938-1944, ishte marrë me administrimin e pasurisë së vet që ishte disa shtëpi dhe dyqane në zonën e Pazarit të Ri, Rrugës së Dibrës etj.. Njëra nga shtëpitë e Sinanit në Rrugën e Dibrës, u bë godina e Ministrisë së Industrisë. Në të kishte banuar Mehdi Frashëri, në vitet 1943-1944, kur ishte anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës. Pas vendosjes së regjimit komunist, në vitin 1948, Petrela punoi si shofer i mensës së jugosllavëve, ku nuk qëndroi shumë kohë, për shkak të prishjes së marrëdhënieve mes shteteve.

Në fjalën e tij, prokurori, ndër të tjera, thotë:

“… ju kemi sjellë për të gjykuar të pandehurin Sinan Petrela se i pandehuri ka bërë agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor dhe është një element i pakënaqur nga pushteti popullor duke i quajtur të padrejta reformat e pushtetit popullor për shtetëzimin e dyqaneve dhe të shtëpisë së tij. I pandehuri është armik i pushtetit tonë dhe kjo faktohet nga qëndrimi që ai mbajti para gjyqit. Ai rrjedh nga një shtresë e pasur qytetare që ka rrojtur në kurriz të të tjerëve dhe për këtë kërkoj të deklarohet fajtor dhe të ndëshkohet me 8 vjet privim lirie, punë të detyruar dhe heqjen e të drejtave elektorale për 1 vit”.

Gjykata Ushtarake e Tiranës u tregua më e mëshirshme, kur me vendimin e saj të 29 gushtit 1951, e dënoi me 6 vjet heqje lirie, punë të detyruar dhe heqjen e të drejtave civile për 2 vjet. Refreni i pakënaqësisë u përsërit edhe në vendimin e saj, ku thuhej se ishte provuar se i pandehuri ishte “njeri i pakënaqur dhe i prekur nga reformat e pushtetit”, sepse i kishin marrë 8 dyqane, 2 shtëpi dhe një sasi toke. Sipas gjykatës, nisur nga kjo gjendje, ai ishte i pakënaqur-si mund të mos ishte!-dhe fliste kundër pushtetit komunist, rreth komitetit “Shqipëria e Lirë” në emigracion etj.. Në arsyetimin e gjykatës, sipas tij, vjedhjet që kryente pushteti quheshin “reforma”. Vendimi u la në fuqi. Ai u lirua në vitin 1955.

Ky nuk ishte as dënimi i parë, as i fundit për Sinan Petrelën.

Ai ishte arrestuar herën e parë më 26 tetor 1945, së bashku me Sali Latif Sulën nga Kashari. Këshilli gjyqësor Ushtarak i qarkut Tiranë, më 12 dhjetor 1945 i dënoi me nga 10.000 franga shqiptare gjobë sepse i shitën rreth 500 kg duhan “tradhtarit Musa Picari”. Çështja ishte që Sali Sula i shiti duhanin Musa Picarit, por nuk arriti të merrte paratë prej tij, sepse ky ishte arrestuar. Ky duhan ndodhej në depon e Musa Picarit, në pronën e Sinan Petrelës. Pas dënimit me vdekje të Musa Picarit, Sinani i kërkoi pronarit të mallit të vinte ta merrte këtë.

Në vitin 1969, u dënua për herë të tretë. Punonte axhustator në repartin e hekurit të kooperativës “17 nëntori” në Tiranë, kur u arrestua më 13.6.1968.  Gjykata e Lartë e dënoi më 16.10.1969 me 14 vjet heqje lirie, bashkë me 9 persona të tjerë, duke e akuzuar për dëmtim të pasurisë socialiste dhe agjitacion e propagandë.

Shënim: Mbështetur në librin “Terrori komunist i vitit 1951”, i Kastriot Dervishit, botim i ISKK, 2017.

S'KA KOMENTE