“"Dash, më thanë, a i dëgjove rrahjet mbrëmë? Po tek ty nuk erdhën, nuk të rrahën?” “Më rrahën edhe mua", u thashë. Valeri më ngriti këmishën dhe Nuriut i ra të fikët”. Të dënuarit nuk e dinin çfarë kishte ndodhur, por pas revoltës së Qafë-Barit, ata u mbyllën në biruca dhe u rrahën në mënyrë çnjerëzore, për ditë me radhë. Dashamir Kovaçi dëshmon për dhunën e ushtruar në burgun në Lezhë, nga e cila, sipas tij, pati dhe një viktimë.
Kur në Qafë-Bari shpërtheu revolta e të burgosurve, Dashamir Kovaçi, vuante dënimin në Lezhë (Kovaçi thotë se ishin në Tale, por mbështetur në të dhënat për kampet dhe burgjet e komunizmit, në atë periudhë, mund të bëhet fjalë për burgun në Zejmen të Lezhës). Pas aksidentit të rëndë që pësoi në minierën e Qafë-Barit dhe 4 muajve në spital, u kuptua se nuk do të mund të përballonte më punën e rëndë që kishte kryer për vite me radhë në Spaç dhe Qafë-Bari dhe u dërgua në një burg ku nuk punohej. Por sjellja mizore e policëve dhe dhuna çnjerëzore ishte dhe aty të pranishme. Ato arritën kulmin gjatë ditëve të majit 1984, kur në Qafë-Bari shpërtheu revolta e të burgosurve. “Askush nuk dinte asgjë, por nën zë thoshnin se ishte bërë një revoltë”, ka thënë Kovaçi për “Zërat e kujtesës VI”. Në Qafë-Bari, revolta u shtyp me dhunën çnjerëzore ndaj dhjetëra të dënuarve, ku Sandër Sokoli mbeti i vrarë dhe më pas, Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja u pushkatuan. Por rrahje dhe të vrarë, si kundërpërgjigje e pushtetit, ndaj revoltës, ato ditë, ka pasur edhe në burgjet e tjera. Kujto sjell dëshminë e Kovaçit, të dënuar dy herë, sipas të cilit, të burgosurit në Lezhë, në atë periudhë, për rreth një muaj, u rrahën 14-15 herë në ditë dhe këto akte dhune i morën jetën njërit prej tyre. Dëshmia e Kovaçit sjell në vëmendje faktin se sa shumë dhunë dhe vrasje kanë mbetur sekrete të burgjeve të diktaturës, të padala kurrë në dritë.
Dëshmia e Dashamir Kovaçit:
Në Tale nuk kishte punë. Aty bëhej 10 orë leximi i veprave. Më kanë kapur disa herë duke fjetur gjumë dhe më kanë futur në birucë për 30 ditë. Më e keqja ishte kur ndodhi revolta në Qafë- Bari; na kapën disa prej nesh e na futën në birucë. Asnjëherë nuk e morëm vesh se çfarë ndodhi, sepse më futën kot fare në birucë.
Kur na nxorën në ajrim pashë që asnjërin nga ne nuk e kishin ngacmuar. Ishte edhe Valeri e Nuri Sallaku.
Unë isha vetëm, edhe pse birucat ishin të mëdha, por të sigurta. Më futën në darkë dhe ndieja lëvizje gjithë natën. Zërat ishin të njohur. Dyert hapeshin dhe mbylleshin, gjoja bënin kontroll. I mbushën të gjitha birucat me nga një person për birucë. Nga ora 12 ose 1 pas mesnatës besoj, dëgjoj shumë lëvizje. Ushtarakë ishin se ndiheshin nga këpucët.
Ishte hera e parë që ndodhte kjo gjendje, edhe pse policët silleshin shumë keq me ne aty në Tale. Ishin shumë të egër, zakonisht ishin nga ajo zonë përreth. Vetëm njëri ishte dibran nga zona ime.
Dëgjuam zhurma që po rrihnin dikë, pastaj dikë tjetër, e me radhë... Hapnin birucat një nga një dhe i rrihnin nga 15 minuta. Kur u afruan afër birucës sime, e dëgjoja të rrahurën më shumë. Goditjet ishin shumë të forta.
Erdhi radha ime. Hapën derën dhe filluan të pyesnin: "Po ti çfarë po bën, pse nuk je i rregullt?!" Gjëra koti të kësaj natyre. Ishin shumë policë e ushtarë; unë vura re vetëm disa prej tyre, sepse ishin shumë. Njëri nga oficerët kishte një si lëkurë të bërë gërshet dhe me një topth në fund. Kur të gjuante me të, të nxinte fare. Këpucët i kishin ushtarake dhe kishin edhe bishta lopate në duar.
"Duart mbrapa!", më thanë. Më futën në birucë atë policin dibran, i cili mbante atë shkopin në dorë dhe m'i shtrëngonte dhëmbët. U mat nja dy herë dhe ma futi kokës, dhe gati ma theu kafkën. Unë zgurdullova sytë, dhe po mendoja që po më ra prapë, do ma thyejë kafkën. Më gjuajti prapë dhe u afruan edhe të tjerët për të parë a isha mirë. Dikush i bëri shenjë dhe filluan të më gjuanin të gjithë. Ishin si të çakërdisur, me sytë e skuqur, ujë në djersë sepse kishin rrahur shumë të tjerë para meje. Më shtrinë në tokë dhe më hipën sipër, dhe fut e bjer. Më shkelnin me këmbë, m'u hodhën në kurriz. Nuk ndjeva asgjë, sikur nuk ishte trupi im.
Unë kisha qenë i fundit tek sektori i birucave aty, se kishte sektorë të tjerë. Nuk e dija nëse
kisha shenja në fytyrë. Aty mbanim rroba me vija gri e të bardha. Isha si i mpirë dhe prisja batanijen, kur filluan raundin e dytë të rrahjeve. Hanin e pinin rreth gjysmë ore dhe fillonin prapë. Atë natë na rrahën nga 5 herë deri në mëngjes. Çdo person që ishte në birucë, u rrah me 5 seanca.
Në mëngjes, nga ora 6.00, na nxorën jashtë se ishte edhe koha e marrjes së ushqimit, ndërsa të tjerët që kishin qenë më parë në birucë, nuk i nxorën. U takova bashkë me Valerin dhe Nuri Sallakun; kishte edhe të tjerë gati 10 vetë. "Dash, më thanë, a i dëgjove rrahjet mbrëmë? Po tek ty nuk erdhën, nuk të rrahën?” “Më rrahën edhe mua," I thashë. Valeri më ngriti këmishën dhe Nuriut i ra të fikët. Kushedi se si ishte bërë kurrizi im, pas gjithë atyre kërcimeve sipër.
Kjo gjendje zgjati gati 28-29 ditë me radhë, sepse 2 ditët e fundit të muajit na mjekuan dhe na pastruan që të uleshin enjtjet. Gjatë kohës që kam qenë në birucë, i ndërronin njerëzit çdo 2-3 ditë dhe na rrihnin të gjithëve bashkë nga 14-15 herë në ditë.
I dëgjoja kur i sillnin tasin e gjellës dhe për të marrë tasin, i burgosuri duhet të ecte përmes dy rreshtave me oficerë e ushtarë. Tasi kërciste në dysheme dhe asgjë nuk ngelte brenda në të. Ia fusnin me dru, dhe nuk të shkonte mëndja të haje më. E njëjta gjë ndodhte edhe me mua.
Ka qenë besoj dita e 12-të ose 15-të, kur mbasi kishin ngrënë dhe kishin pirë e kishin marrë energji, erdhën te biruca ngjitur. Bam e bum filluan ta rrihnin të burgosurin, por nuk e dëgjova të pipëtinte zëri i tij. Ai, kryekrimineli u afrua, dhe I thoshte "zgjohu, zgjohu!" me zë të ulët, dhe qeshnin të gjithë bashkë. Pastaj dëgjova të thonë "është në qiell tani, duke parë ëndrra të bukura." Nuk u çua, asnjë zhurmë nuk u dëgjua. Vetëm ky oficeri kryesor, pyeti që a po vinte doktori. Kishin lajmëruar doktorin të vinte. Doktori nuk kishte çfarë të bënte, sepse I kishin thyer kafkën e kokës, (është shumë e rëndë ta tregosh). Erdhi doktori, e pa dhe tha që e rregulloj unë. E mbyllën birucën, iku doktori, ikën edhe 3 policë të tjerë sepse dëgjoja këpucët në pllaka. Hapën derën time, mbaruan punë edhe me mua se unë isha I fundit edhe ikën. Pastaj, "Hajde të pimë nga një birrë të ftohtë", tha njëri prej tyre. Mbasi ikën këta, erdhën ca të tjerë me një zorrë uji, dhe nga zhurma dukej se po nxirrnin diçka. Besoj e kishin vënë në barrelë ose e tërhiqnin zvarrë, dhe po e nxirrnin jashtë. E pastruan birucën, tavanin, muret dhe dyshemenë me zorrë nga gjaku. I hoqën ato copat e kafkës ose truve që kishin ngelur në dysheme dhe ikën. Më pas erdhi dikush tjetër për të pastruar, por nuk pa se çfarë kishte pasur brenda. Mbase ishte pastruesi i kampit, sepse dëgjoja kovën me rrota që e tërhiqte.
Mbas një muaji kur do dilja, mora ato rrobat e mia me vija, i palosa, dhe i fsheha që të mos m'i shihnin sepse ishin të lara me gjak. Nuk e di se ku m'i gjetën dhe m'i vodhën. Doja t'i kisha si dëshmi. Nuk t'i vjedh njeri rrobat e pista, rrobat e lara me gjak krejt kot. U tërbova kur nuk I gjeta.
Kaloi dhe kjo si shumë gjëra të tjera…….
…Kur e provova në kurriz dhe dëgjoja më vonë në televizor intervistat kur tregonin se njërin e kishin vrarë, njërin e kishin thyer në mes, m'u kujtua ai njeri që i thyen kafkën brenda. Këto mund të ishin gjërat më të vogla, sepse janë vrarë, mbytur, e betonuar në llumërat e kënetave në Maliq, Nartë, Fier. Imagjino sa njerëz vranë, njerëz që degradonin fizikisht me minuta, se nuk rezistonin dot. Akoma nuk është kërkuar falje për ta. Kudo ku ka pasur miniera apo oxhakë si ai i fabrikës së çimentos, i kanë hedhur nga lart dhe kanë humbur. Asnjëherë nuk është shëruar kjo plagë.
Shënim: Dëshmia është marrë nga “Zërat e kujtesës”, Vëllimi VI, me intervista të Luljeta Lleshanakut, botimi i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Tiranë 2020. Imazhi kryesor: Dashamir Kovaçi, foto: "Zërat e kujtesës" dhe burgu i Qafë-Barit.