Rusja që u dënua dy herë dhe vuajti mbi 12 vjet heqje lirie

0
173

Gratë e huaja që ngelën në Shqipëri pas ndarjeve të mëdha ideologjike të shteteve, vuajtën një persekutim krejt të pashpjegueshëm. Ndaj tyre u bënë presione për t’u divorcuar nga bashkëshortët ose të prisnin dënimin e caktuar.

Nadjezhda Kostandin Kabashi (Sidorova), lindur më 30.12.1929 në Moskë, erdhi në Shqipëri në vitin 1955. Ishte e martuar me një fëmijë. Banonte në Shkodër, me profesion inxhiniere në ndërmarrjen pyjore. Për fatin e saj të keq, mori shtetësinë shqiptare me dekretin nr.4978, datë 1.7.1972 të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Në vitet 1973-1986, pasi u dënua e ridënua, vuajti plot: 12 vjet, 5 muaj, 1 ditë heqje lirie. Hyri në burg në moshën 44 vjeçe, e doli prej andej kur ishte 57 vjeç.

Dënimi i parë

U arrestua më 12.8.1973. U akuzua në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal se qysh nga koha e prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik kishte zhvilluar agjitacion e propagandë kundër Republikës Popullore të Shqipërisë, “duke dashur të helmojë ndërgjegjen e qytetarëve tanë për t’i vënë kundër vijës së partisë dhe qeverisë”. Pavarësisht se banonte në Shkodër, çështja e saj u gjykua në Tiranë. Gjykata “arsyetonte”: Kështu në bisedat e herëpashershme të bëra me këtë qëllim me të quajturat Zoja Bulina, Nina Pumo, Landa Siliqi, Sidor Siliqi, Salah Noman, Larisa Çela, etj., jo vetëm se ka dëgjuar me simpati fjalët e tyre armiqësore, por i ka përkrahur dhe përhapur këto. Nga ana tjetër edhe vetë e pandehura ka folur me to fjalë armiqësore të kësaj natyre. Edhe dëshmitareve Hajrie Bakalli, Janulla Rrapo, Antoneta Simoni, Drane Ndreu, etj. u ka bërë biseda me karakter armiqësor kundër vendit tonë në mënyrë për t’i bërë edhe këto të pakënaqura ndaj politikës së partisë dhe pushtetit popullor”.

Për rolin e dëshmitareve, në vendim thuhet se: “Këto të pyetura në hetuesi dhe në gjyq dëshmuan se e pandehura herë pas here u ka bërë biseda armiqësore të kësaj natyre. Nga të gjitha këto, dëshmitaret kanë kuptuar qëllimet armiqësore të të pandehurës, prandaj edhe kanë denoncuar veprimet e saj, megjithëse edhe janë munduar ta largojnë nga kjo rrugë. Në këto kushte, fajësia në ngarkim të saj formon krimin e paraparë nga neni 73/1 i Kodit Penal, atë të agjitacionit dhe të propagandës kundër pushtetit popullor me qëllim të dobësimit të tij”. Si e tillë kjo vepër paraqet rrezikshmëri mbasi drejtohet kundër pushtetit të popullit tonë në luftën e madhe për çlirimin dhe për ndërtimin e socializmit. Rrezikshmëri paraqet edhe vetë e pandehura për vetë aktin e kryer”.

Gjykata e Rrethit Tiranë, e drejtuar nga Andrea Varfi, me pjesëmarrjen e prokurores Drita Xhillari, me vendimin nr.566, datë 27.12.1973, e deklaroi fajtore dhe e dënoi me 7 vjet heqje lirie. U la në fuqi me vendimin nr.92, datë 21.1.1974 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Më tej, çështja, kur ajo ishte e dënuar, u analizua në mënyrë të fshehtë në problemin e centralizuar “Dhelpra”, në të cilin trajtoheshin edhe: Zoja Gulina (Smirnova)-pedagoge në Institutin e Lartë Bujqësor në Kamëz, e cila u arrestua më 14.5.1975 dhe Nina Puno (Nagavica)-pedagoge, e cila u arrestua më 5.10.1975.

 

Dënimi i dytë, ridënim

U arrestua më 4.7.1975, kur ishte duke vuajtur dënimin në Repartin nr.318 Qyteti Stalin. U përfshi në një proces me shtetaset: Zoja Gulina (Smirnova), Nina Pumo (Nagavica). U akuzuan në batë të neneve 64 në kombinim me nenin 12 dhe 73/1 të Kodit Penal. Çështja u gjykua në një shkallë. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i drejtuar nga Liri Gjoliku, me pjesëmarrjen e prokurorit Edmond Sanxhaku, me vendimin nr.9, datë 17.4.1976, e deklaroi fajtore dhe në bashkim të dënimeve e dënoi me 21 vjet heqje lirie. U lirua më 13.1.1986 nga Reparti nr.318 Kosovë. Më pas u riatdhesua.

S'KA KOMENTE