Janë shkruar në 1946-ën dhe janë zbuluar në 2001-shin nga historiania Nevila Nika. Janë vargjet e lira të shkruara në qeli nga një autor që edhe sot, ka mbetur i panjohur
Nga Blerina Gjoka
Ishte viti 1946. Në Shqipëri sapo kishin marrë pushtetin komunistët si fitimtarë të Luftës Antifashiste dhe gjëja e parë që bënë ishte burgosja apo pushkatimi i kundërshtarëve të krahut nacionalist të kësaj lufte. Në burgun e Tiranës, qëndron një burrë që pret gjykimin. Ditët e gjata të burgut i kalon duke lexuar dy emra të shkruar në muret e qelisë të cilët nisin t’i bëjnë shoqëri. Krejt çuditërisht imagjinon tiparet e tyre, jetët e tyre, historitë e tyre të ngjashme me të tijën. Ka mall për vendlindjen, një fshtat i bukur buzë Jonit, që dikur i thoshin Oloson. Ai ka me vete vetëm disa letra të holla si letër cigareje dhe një stilolaps. Në vend të tregojë historinë e tij, emrin, arsyen e burgosjes, ai vendos t’i përdorë për të shkruar poezi për ‘shokët e panjohur’. Të gjitha poezitë i firmos me “Olosson”. Fletët e holla me shkrimin e vogël e të rregullt gjenden pas gjysmë shekulli në një sirtar të pluhurosur të Arkivës së Shtetit nga Nevila Nika…por fati i Olosonit (që mund të jetë pseudonim, ose emri i vërtetë i të burgosurit) nuk dihet ende…A do ketë dalë nga burgu dhe të jetë bërë një poet?! Apo historia e tij përfundon tragjikisht si e mijërave të tjerë që u bënë një ‘varr pa emër” në emër të ngritjes së komunizmit; luftës së klasave, forcimit të diktaturës?!
Historiania nuk e ka përgjigjen dhe e kërkon akoma…si një borxh që duhet t’ia kthejë poetit për emocionin që i dhanë vargjet e tij. Që kur ka dalë nga bankat e shkollës, Nevila Nika ka punuar në arkivë. Edhe pse ishte një punë e caktuar nga regjimi i asaj kohe, iu kthye në një pasion. Pas 34 vitesh punë si arkiviste dhe më tej 8 vite si drejtoreshë e Arkivit të Shtetit, ka një peng të çuditshëm që e mbart me vete dhe e diskuton shpesh me miqtë: poezitë e një të burgosuri politik në Burgun e Tiranës, të cilat janë pa autor. Në kërkim të identitetit të këtij të burgosuri, poezitë e të cilit i ranë rastësisht në dorë 16 vite më parë, Nika ka bërë një thirrje publike para disa vitesh në gazetën Tema duke shpresuar se ndonjë i afërm i tij do t’i shihte dhe do ta kontaktonte. Por për fat të keq, ajo vazhdon ende sot të jetë ruajtësja e vetme e këtyre poezive, të cilat janë shkruar nga poeti “pa emër”. Në qelinë e Burgut të Tiranës, viti 1946 ky njeri përtej dëshirës për t’u bërë poet duhet të ketë pasur një histori jetësore; një histori se si kishte ardhur nga Çamëria në Shqipëri; një histori si ishte burgosur nga regjimi komunist dhe çfarë ndodhi më tej me të. Nika beson se ai ka qenë shqiptar i lindur në Greqi dhe se ka luftuar në krahun nacionalist të Luftës Antifashiste. Pikërisht dhe për këtë fakt duhet të jetë burgosur. Për fatin e tij nuk dihet asgjë më tej dhe as për identitetin. Ajo shpreson se botimi i poezive të poetit të panjohur do të ndihmojë në zgjidhjen e kësaj enigme që historianen e ndjek prej vitesh dhe ajo dhe publiku do të mund t’i bashkangjisin vargjeve të tij edhe historinë dhe emrin e autorit. Ndryshe ai do të mbetet thjesht “Oloson”, pseudonimi që kishte zgjedhur për veten si një firmë malli për vendlindjen e tij, Elasona, një krahinë e Çamërisë.
Poezitë e të burgosurit “pa emër”
SHOKËVE TË PANJOHUR
Në vetminë e një biruce që rethojnë katër muret,
Dy emra s’më ndahen syvet duan të më shoqërojnë,
Këmbë ngultas më vërejnë po dashurinë s’ma mohojnë,
Të mjerët shokë të pandarë që fati nuk u dihet.
Fjalët e ambla s’i kursejnë mërzinë të ma heqin,
Më këshillojnë urtësinë, tradhëtinë neveritin,
Kjo e fundit të nxin faqen, të gjithë e urrejnë,
E ka dashur kush Judën që ti durojnë edhe dredhinë?
Tash pesë shekuj shqiptari për shtëpi burgun ka njohur,
Kotësij’e jetës pa qëllim shum mirë s’e ka përfillur,
Gjaku çurkë i ka vajtur, truallin e vet ka vaditur,
Në vojtje farkëtuar, por krenar i pa përkulur.
Kur shpesh herë retë zbërthehen në qetësinë e natës,
Bubullimat shurdhojnë, rrufetë cjerin dërmojnë,
Murit sytë e mi i drejtohen në dritën e vetëtimës,
Shumë veta si ne kaluan kësaj rruge më thonë.
OLOSSON, Varg i lirë, Burg Tiranë, 27.2.1946
Shënim i autorit: Dy nga të burgosurve emrat e të cilëve janë shkruar në mur. (autori ka bërë edhe një si skicë të birucës)
Shkallët
Një zemër e copëtuar
Ndenjë shkallë po rënkon
Se ka kryer me ndërgjegje
Detyrën si gjithmon.
Do të prehet, të qetësohet
Por mjerisht njëmijë këmbë
Kur me vrull e kur ngadalë
Ngjiten zbriten dit’e natë
E dërmojnë, e gjakosin
Porsi gozhdat e Golgothasë.
Tempuj dhe faltore zbukuruat
Gjatë kohëve më të lashta
Krenari ndërtesash madhështore
Madhështi mjeshtërie të stërhollë
Shkallë të bardha porsi dëbora
Xixëlloni nga rrezet e Diellit
Pse më mohoni dritën mua
Shkumb’e ndritur e Praksitelit?
OLOSSON/ Tiranë, Burg, 10.2.1946
KOSOVËS
Kosovë ty të qofsha falë,
Kosovë për ty qëndroj gjallë,
Edhe po të vdes për ty do të thërres,
Rrofsh moj Kosovë Arbnore.
Kosovë që rri aq menduar,
Zemrat djaloshare ke lënduar,
C’ke që vajton dhe rri kërrusur,
E duron zinxhirët e robërisë?
Ngreje zanin e burrnisë,
Se ke djemt’e Arbënisë,
Që për ty shuhen dhe veniten,
Pa të falur ty lirinë.
Prandvera të thur kurora lulesh dhe gjethesh,
Kalliri verdhë të shtron hallin’e artë,
Vjeshta me flladin të than djersën e mundit,
Dimri të fal vellon nusërie.
An’e kand zbardhon qelesh’e bardhë,
Shenjë shqiptarizmi stërgjyshor,
Foli botës në gjuhën tande
Mos u tut dhe mos lëngo.
Duart e tua plot me zdrezga,
Gjaku, djersa dhe mundimet
Do të jenë për ne të gjithë
Në t’ardhmen shembull’i artë.
Bijt e tu por si Selvia,
Trima me fletë, djem viganë
Do ta bëjnë fora si një herë,
Se janë filiza ilirianë.
OLOSSON/ Varg i lirë, Tiranë, Burg 29. 1 .1946
Shënim: Historia dhe poezitë e publikuara më sipër, së bashku me një intervistë me Nevila Nikën janë botuar në revistën Mapo, në vitin 2017.