
Pak, veç rrëfimeve të atyre që i kanë mbijetuar Qafë-Barit, dëshmojnë për torturat e ushtruara në këtë burg dhe revoltën e 22 majit 1984. Por nga sot, do të jetë edhe një memorial i thjeshtë, në nderim të të burgosurve politikë dhe në kujtim të atyre që vdiqën nga puna e rëndë, në tortura apo u pushkatuan pas revoltës së 22 majit.
Memoriali i financuar nga Kujto.al u vendos sot, 35 vjet nga revolta e Qafë-Barit, gjatë një pelegrinazhi përkujtimor, të organizuar nga Instituti i Studimeve të Krimeve të Komunizmit (ISKK), në bashkëpunim me Fondacionin Kujto.al dhe Shoqatën e ish-të Përndjekurve Politikë Antikomunistë, në ish-burgun e Qafë-Barit në Fushë-Arrëz, si një gur më shumë në ngrehinën e zbardhjes së krimeve të komunizmit, që edhe pse mbi 25 vjet pas shembjes së diktaturës, është ende në fazat e saj fillestare.
“Ngritja e memorialit dhe emërtimi i rrugës në përkujtim të revoltës së Qafë-Barit, është një moment i rëndësishëm për të kujtuar një prej akteve të qëndresës më të rëndësishme kundër regjimit komunist. Me qindra të rinj shqiptarë kanë vuajtur një dënim të padrejtë dhe çnjerëzor në këtë burg. Vetëm në arkivin online kujto.al, listohen mbi 52.000 profile viktimash të regjimit, të pushkatuar, të dënuar me burg ose të internuar. Në të vërtetë, viktimat janë shumë më shumë, dhe është detyrë e shtetit shqiptar të zbulojë dhe kujtojë të gjitha viktimat. Por shteti shqiptar, jo vetëm nuk zbardh apo kujton ato, por është mohuesi më i madh i atyre krimeve”, tha Agron Shehaj gjatë përurimit të memorialit. Në këtë aktivitet, ishin të pranishëm edhe ish-të dënuar politikë që kanë vuajtur dënimin dhe punën e detyruar në këtë burg.
Ky aktivitet vjen pak kohë pas një debati publik, mes të dënuarve dhe ish-komandantit të policisë së këtij burgu në vitin kur shpërtheu revolta, por edhe përplasjeve të Spartak Brahos me kryetarin e ISKK, Agron Tufës.
I PERJETSHEM KUJTIMI I HERONJVE TE REVOLTES SE SPAC DHE QAFE-BARI.ROLAND DURDA 0696606514