
Është letra e Zoto Taçit nga SHBA, që ia dedikonte nipit të tij poetit, Pano Taçi, i cili vuante në Shqipëri, diktaturën komuniste. Ia kishte lënë amanet një amerikani, quhej William Rajerson dhe do të ishte i pari ambasador amerikan në Shqipëri, menjëherë pas rënies së diktaturës.
Kur mbërriti në Tiranë, ambasadori i parë amerikan, William Rajerson, kishte një amanet për të kryer. Duhet të takonte Pano taçin, poetin bohem që endej rrugëve të Tiranës. Rajerson nxitoi ta rendiste ndër takimet e para Panon sepse duhet ti dorëzonte një fotografi. “Mallit të shpirtit tim, nipit tim të dashur Panos. Gjyshi i përmalluar, Zoto. 1941”. Ishte fotografi e Pano Taçit, kur ishte i vogël dhe mbishkrimi I gjyshit të tij Zoto Taçi. Në fotografi, ishte Pano I vogël dhe kishte moshën e ambasadorit amerikan Rajerson, i cili e kishte njohur Zoto Taçin si jurist në kompaninë e familjes së tij. Zoto i kishte mësuar gjuhën shqipe dhe e donte shumë pasi i kujtonte të nipin, Panon që kishte moshë të përafërt me të. E ka rrëfyer vetë Pano taçi takimine tij të parë me ambasadorin amerikan, William Rajerson.
Më pyeti nëse kisha ndonjë fotografi, kur kam qenë i vogël, e kur gjyshi vinte në Shqipëri. Por unë nuk kisha asnjë fotografi. Ai mori një foto dhe ma tregoi. Isha unë me papion, i vogël, me pantallona deri poshtë gjurit, me një xhaketë të bukur. Nuk e njoha veten. Ai më tha ta shihja foton nga pas. Aty shkruhej: “Mallit të shpirtit tim, nipit tim të dashur Panos. Gjyshi i përmalluar, Zoto. 1941”. Kishte ardhur me pushime në atë kohë në Shqipëri, kur e kemi bërë atë foto. E ruaj edhe sot e kësaj dite.
E pyeta ambasadorin Rajerson, se si ishte njohur me gjyshin tim dhe më tha se e kishte njohur që kur kishte qenë fëmijë dhe familja kërkonte një jurist për kompaninë e tyre, për çështje që i lidhnin me Ballkanin. Gjyshi i kishte mësuar atij shqip.
“Më donte, më thoshte gjithmonë. Më kujton nipin tim Panon, që e kam në Shqipëri….”, rrëfehej Pano, ato vite të para pas diktaturës komuniste. Vitet e fundit të jetës, Pano Taçi i kaloi në një dhomë përdhese te Bregu i Lumit midis komunitetit rom, mbasi shtëpinë e tij nuk ia rikthyen, pasi mbi të ishte ndërtuar një pallat, si kudo në Tiranë. Ai bashkëjetoi pa asnjë problem me komunitetin rom e egjiptian ndaj dhe ata e quanin “gaxhiu i mirë”. Madje për ata, komunitetin rom e egjiptian, Pano Taçi ka shkruar vëllimin “Kitara cigane”. Pano Taçi ndërroi jetë në barakën e tij pranë miqve romë, në qershor të vitit 2012 duke lënë pas veprëne tij letrare, kryesisht poezi por edhe rrëfimet për mundimet të tij në diktaturë.