Intervista/ Daut Elezi, intelektuali i pushkatuar në diktaturë, ende pa varr

0
359

Kanë kaluar 76 vjet nga pushkatimi, por familja e Daut Elezit, pavarësisht përpjekjeve, ende nuk i ka gjetur eshtrat e tij. Suzana, më e vogla e fëmijëve, që nuk ishte as një vjeçe kur të atin e arrestuan, tregon për kujto.al brengat që kanë shoqëruar familjen e tyre gjithë jetën

Daut Elezi ishte një nga ata intelektualët e rinj shqiptarë të viteve ’30, të arsimuar në Perëndim, që iu ndërpre jeta mizorisht me vendosjen e regjimit komunist. Ai punoi në administratën shtetërore para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, për ta mbyllur këtë karrierë në Gjilan. Për të dihet shumë pak sot. Edhe pasardhësit janë duke e zbuluar figurën e tij copëz pas copëze, me shumë përpjekje. Sepse për mbi 40 vjet nuk mund të flisnin dhe në më shumë se 30 vitet e pluralizmit, ata që kanë të vërtetat e fshehura flasin pak ose aspak.

Shënim i Daut Elezit pas fotografisë për bashkëshorten e ardhshme Kadrie Hoxha Elezi: "Elbasan, 14.1.941. Një kujtim i premtimit të fejesës. I fejuari (firma)"

Daut Elezi u kthye në Shqipëri në fund të luftës, me idenë se nuk kishte përse të kishte frikë, kur nuk kishte bërë asgjë të keqe, por komunistët e arrestuan në vitin 1947 dhe disa muaj më vonë, e dënuan me pushkatim. Sipas një dokumenti që familja ka tërhequr pranë Arkivit të Ministrisë së Rendit Publik më 2004, ai akuzohej se “gjatë kohës së okupacionit ka propaganduar dhe agjituar në favor të okupatorit dhe të organizatës tradhtare të Ballit Kombëtar” apo se “mbas Çlirimit të Shqipërisë ka agjituar kundër reformave të pushtetit, ka rënë në lidhje me të arratisurit dhe i ka furnizuar me sende të nevojshme…”.

Familja nuk e pa më që nga dita kur erdhën ta arrestonin në shtëpi dhe nuk e mësoi se çfarë ndodhi me të. Edhe sot, kanë dyshime në është ekzekutuar pas vendimit të gjyqit apo që më parë. Pesë fëmijë nga dy martesa, bashkëshortja në mes të 20-ave, vëllai që kishte lënë Normalen e Elbasanit dhe i ishte bashkuar luftës nacionalçlirimtare, e motra që veshi rrobat e zeza që në fillim të të 30-ave e nuk i hoqi më, jetuan me brengën për njeriun e dashur të humbur përgjithmonë. Kanë mbetur edhe në kujtesën e më të vegjëlve, fjalët e të vëllait të Dautit, Sulejmanit: “Përderisa nuk po i gjenden eshtrat vëllait tim, unë dua që kur të vdes, të ma hidhni trupin në det, të më hanë peshqit. Nuk dua që të varrosem në këtë tokë, ku s’qeshë i zoti të gjeja eshtrat e vëllait tim”. Një brengë që vazhdon edhe sot, edhe për brezat më të rinj të familjes dhe që krijon indinjatë në rrethanat kur, pavarësisht përpjekjeve, përballen me apatinë e institucioneve për t’iu kthyer çfarë mundet, nga e pakthyeshmja: njohjen e figurës së Daut Elezit dhe mbi të gjitha, eshtrat e tij.

“Ka qenë kriminel për këta, po e pranojmë. Unë s’e kam kriminel, e kam baba. Unë dua eshtrat, ku i ka”, thotë për kujto.al Suzana Elezi Dervishi, vajza e vogël e Daut Elezit, e cila nuk mundi ta njihte të atin sepse nuk ishte as 1 vjeçe kur atë e arrestuan.

Nëpërmjet kësaj interviste, që do të botohet në dy pjesë, kujto.al tenton të përcjellë, përmes rrëfimit të Suzana Elezi Dervishit, thirrjen e pashuajtshme të familjes për gjetjen e eshtrave të Daut Elezit dhe dramën që përfshiu tre breza për shkak të pushkatimit të intelektualit që regjimi komunist e shpalli kriminel lufte.

Suzana Elezi Dervishi, më e vogla e pesë fëmijëve të Daut Elezit

Kush ishte Daut Elezi?

Me thënë të drejtën, është folur shumë pak. S’kishin besim që të flisnin sepse mund të flisnim jashtë, të na provokonin, kështu që tek-tuk, kemi marrë vesh. As që e kemi ditur se babai im paska qenë avokat. E kanë pranuar tërë këto institucionet tani. Avokat ka qenë ai se s’ka pranuar avokat mbrojtës në gjyq. “Jam në gjendje të mbroj vetë veten”, -ka thënë. Babai ka lindur në Peqin. Ka mbaruar shkollën. Flitet për vitet e hershme. Pastaj ka shkuar në Normalen e Elbasanit. Ka punuar pak kohë, ka qenë në gjendjen civile. Në administratë ka punuar gjithë kohën. Pastaj, ka shkuar në Itali për studime. Është kthyer…Ka qenë kryetar Bashkie. Ka qenë një herë në Libofshë të Fierit, në Buz të Tepelenës, në Elbasan, përgjegjës i zyrës së gjendjes civile të zonës se ka qenë zonë e madhe. Pastaj ka shkuar në Rahovec. Nga Rahoveci, ka shkuar në Gjilan. Në Gjilan, ka ndenjur më shumë. Ka ndenjur rreth 3 vjet më duket.

Foto nga dita e dasmës, me bashkëshorten Kadrie Hoxha Elezi
Kadrie dhe Daut Elezi

Bashkia e Gjilanit e ka nderuar me certifikatë mirënjohje post mortum në vitin 2019

Italia kishte arrestuar 300 burra kosovarë, shqiptarë, futur në një shkollë a në një magazinë. Dhe kapitulloi Italia fashiste, po hynte gjermani. Edhe gjermani do t’i çonte në kampet e përqendrimit, siç ishin të egërsuar ata. Babai dha urdhër që të hapen burgjet dhe ka shpëtuar 300 burra. Edhe ajo certifikata që ka marrë nga Lutfi Haziri është në sajë të atyre 300 burrave që ka shpëtuar. Edhe për ndihmesën që ka dhënë për shkollat shqipe atje. Ka pasur edhe shumë fotografi që ka bërë inaugurime rrugësh. Kanë bërë rrugë të vogla brenda qytetit, si duket.

Foto nga festimet e 28 Nëntorit në vitin 1943 në Gjilanin e drejtuar nga Daut Elezi. Foton e ka realizuar vetë Dauti, i cili ka bërë dhe shënimin poshtë fotos.
Nga ceremonia e dhënies së Certifikatës së Mirënjohjes për Daut Elezin, nga kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, korrik 2019. E pranishme mbesa e Dautit, vajza e dytë e Suzanës, Teuta Dervishi Rama
Në mjediset e muzeut të Gjilanit, ndërtesë që, në vitet kur ka shërbyer Daut Elezi, ka qenë bashkia e qytetit.
Foto e vitit 1942, në oborrin e shtëpisë në Gjilan, kur Daut Elezi ishte kryetar bashkie. Lart, bashkëshortja Kadria me djalin e madh, Shpëtimin, në krahë. Poshtë, majtas, vajza e Dautit nga martesa e parë, Lutfia.

Si ndodhi që u largua nga Gjilani?

E panë që në Gjilan nuk mund të jetohej. Se pasi ka rënë sistemi, te bashkia, që ka qenë shtëpi e vjetër, por me bodrume të mëdha, serbët i thërrisnin njerëzit, gjoja për t’i pyetur, edhe i kanë vrarë në bodrum. I kanë lënë, është qelbur ndërtesa. Atje është bërë muzeu i qytetit tani.

Babai ka ardhur në mënyrë të fshehtë, e kanë përcjellë gjilanasit me kuaj, deri në Kukës, në kufi. Edhe i kanë dalë me prita këta tanët. Kishin të dhëna që po kalojnë. Janë kthyer prapë në Gjilan atë natë. Kanë ndenjur dy ditë a nuk e di dhe janë nxjerrë në mënyrë tepër të fshehtë pastaj. Se nga e kanë nxjerrë, nuk e di.

Si ka mundësi që u kthye në Shqipëri kur pushtetin e kishin marrë në dorë komunistët?

Shumë kosovarë që jetonin në Turqi prej kohësh, i premtuan punë që të shkojë atje, se ishte dhe i shkolluar për kohën. Nuk ka pasur shumë, flitet për 100 vjet përpara. I thanë: “Mos shko në Shqipëri”, por e dinte ai, se kishte bërë shkollë, e dinte se ç’ishte komunizmi. -Po skam bërë gjë, -tha. E para. Edhe e dyta: i vëllai partizan. La Normalen xhaxhai im, ai që na ka rritur ne, edhe ka qenë me Brigadën I Sulmuese. Vëllai, që kisha për babë, ka qenë në Shkollën Amerikane në Golem të Kavajës. Tha: “Ata kanë qenë partizanë, unë vetë …[i paimplikuar]”. Nëpunës ka qenë ai, ai s’është marrë me…Ai domosdo politikat e shtetit në fuqi ka bërë atëherë, por për Shqipërinë e madhe kanë luftuar. Për atë ka qenë gjithë sherri që s’kanë dashur këta, se këta kanë qenë të shitur të gjithë… Ja, nga ajo… Babai im është vrarë 40 vjeç.

Në ç’vite?

Në ‘47-ën është arrestuar. Në shkurt të ’48-ës është vrarë.

Përse akuzohej babai?

Një nga akuzat e babait ka qenë… Kur kanë ardhur, kanë kontrolluar plaçkat në shtëpi,- ka pasur një bibliotekë babai, një bibliotekë të mirë - kanë shfletuar librat. Njerëz injorantë kanë qenë ata që kanë qenë aty, po mes librit, kanë gjetur një telegram nga Shefqet Vërlaci. Kur është martuar babai im për herë të dytë,-se i ka vdekur gruaja e parë-ka marrë nënën time, Vërlaci ka qenë me pushime në Itali dhe i ka dërguar telegram urimi për martesën. S’e ka grisur babai i shkretë, s’ka kujtuar…S’ishte ndonjë turp të kishe telegramin e kryeministrit.

E dyta, ishte që gjoja kishte ndihmuar një kriminel, Hamit Matjanin, që kriminel po i themi ne, por ai ka qenë nacionalist. E akuzonin sikur e paskan parë që i ka çuar plaçka. Paska qenë babai në një varkë. Paska shkuar në fshatrat andej Shkumbinit sipas një bariu që ka qenë duke ruajtur delet edhe paska pasur një letër në dorë, babai im. Por ai nuk e ka ditur se çfarë ka pasur ajo letër, se çfarë ka qenë ajo letër, por ai e ka parë nga larg. Më gjatë, nuk di çfarë të them,- thotë,- por ka zbritur nga varka dhe ka pasur një letër në dorë.

Babai ka qenë kryetar i Frontit Demokratik për qytetin e Peqinit. Por ai dha dorëheqjen. Se këta i pëlqenin shumë këto këngët e vallet. Bëhej hekurudha, vinin atje, por me sa duket nuk i ka pëlqyer babait. Ndoshta kjo mund të ketë qenë. Edhe dha dorëheqjen. Në akt-akuzë, ata e kanë anashkaluar fare, nuk e përmendin hiç këtë. Atë e mban mend edhe vëllai, Shpëtimi, që ka qenë 4 vjeç. Më i madhi 4, ai tjetri 2 e gjysmë, unë gjashtë muajshe. Edhe ka qenë një herë te zyra e babait, edhe e mban mend edhe qendrën e Peqinit, që “më mori babai për dore, thotë, edhe më bleu…”, ku di çfarë i ka blerë, diçka aty, e ka nxjerrë. E mban mend të atin. Mban mend dhe momentin e arrestimit.

 

E kanë arrestuar në sy të fëmijëve?

Në shtëpi. Duke ngrënë bukë e kanë marrë. Edhe ka marrë një dyshek me vete. E ka lidhur vetë, i shkreti. S’e kanë lënë ta ndihmojnë as njerëzit (e shtëpisë).

Çfarë ndodhi me babanë pas arrestimit?

S’e pa më njeri. Merrte një fije te këmisha, si duket poshtë, edhe të gjitha pullat i këpuste edhe i kalonte në fill. Donte të tregonte me sa duket që "unë kam marr fund", edhe i fuste po aty brenda te xhepi i këmishës. Le që ishin faqe e zezë, gjak e katran rrobat që dilnin që andej, të lagura, me myk. Ata i lagnin dhe u thaheshin rrobat në trup.

Nuk e takoi askush nga familja?

Jo, jo.

Në cilin burg mbahej?

Në burgun e Elbasanit.

Dhe ju ku jetonit në këtë kohë?

Në Peqin ishim. Kishin ikur nga Elbasani se kishin shtëpi dhe në Peqin, shtëpinë që kishte gjyshi.

I pranoi akuzat babai?

Jo, asgjë. S’i ka pranuar. Duke e nxjerrë për pushkatim ka thënë: "U thoni fëmijëve, ta mbajnë kokën lart". E kanë akuzuar edhe për ata 300 që ka nxjerrë atje. “E ke bërë për të shpëtuar lëkurën tënde!”-Çfarë lëkure?- kishte pas thënë, i shkreti.

Çfarë dini për gjyqin, për vendimin e ekzekutimit?

Ne nuk e dimë çfarë ka ndodhur. Nuk e dinim si ishte vrarë. Vonë kemi mësuar sikur është pushkatuar. Data e pushkatimit me datën e pretencës lëvizin me 10 ditë. Ai ka qenë i vdekur.

Ka një procesverbal ekzekutimi në dosjen që keni marrë?

Jo.

Si e morët vesh që ishte vrarë?

Kanë çuar ushqimin, siç vinin çdo javë. Mamaja ime me djalin e burrit të vet, Mustafain, që ka qenë partizan, në çetën e Pezës. Ai ka qenë 17-18 vjeç, pa mbaruar shkollën e mesme. Edhe një elbasanlli që i ka njohur- se është njohur babai im, ka qenë avokat në Elbasan para se të ikte në Kosovë,-i ka thënë: "Dajë, - këta vendalinjtë përdorin fjalën dajë- merr atë nusen, mos e bjer vërdallë këtu se Dauti ka dhjetë ditë që ka vdekur. Se këta nuk ngopen me ushqime". "Dautit s’i ka rënë në dorë asnjëherë ushqime nga këto që çoni ju. Po jepua t’i hanë kalamajtë, se janë jetimë", -i ka thënë. Edhe ka ikur mamaja e shkretë. E ka marrë ky vëllai. E ka çuar te një i njohur, te ky varrmihësi, që ka treguar më vonë vendin e pushkatimit. Edhe gjithë natën lajmëruan njerëzit që kishin në Elbasan, pa i thënë gjë mamasë.

Të nesërmen në mëngjes… Kanë qenë autobusë privatë që bënin rrugën Peqin-Elbasan. –“I pashë,- tha mamaja,- që ishin gjithë njerëzit, farefisi, po s’më shkoi mendja që ka vdek Dauti”. Ata të Elbasanit do vinin të hapnin ceremoninë mortore në Peqin. Edhe kur kanë zbritur atje, motra ime e madhe, më ka pasur në krahë mua, mund të kem qenë 1 vjeçe e pak se babai ka bërë edhe 10 muaj hetuesi, i shkreti. Edhe si do ta shprehnin që të merrte vesh mamaja? Se s’dinte gjë kjo. Edhe tezja e babait, që rrinte në Elbasan, ka thënë: “Jetimët e tezes”. Më ka përqafuar mua si fëmijë dhe motrën time që më kishte në krahë. Motra kishte dalë në rrugë- shtëpia jonë ishte buzë rruge- që priste të binte mamaja nga Elbasani ndonjë haber të mirë për babanë. Ka rënë mamaja pa ndjenja aty dhe tre muaj nuk ka ditur se ku ka qenë. "Mirë, shtëpinë,- thoshte,- plaçkat, po me kokën e burrit ç’patën"? Se do fillonim nga e para, nga zero prapë.

Shtëpia u sekuestrua që me arrestimin e babait?

Po, po. I shkruajtën ato. “Do t’i ruani”! Kanë firmosur çfarë kanë shkruar, çfarë kanë, deri edhe rroba fëmijësh. Do rrinim pak ditë ne aty, si duket. Me tre fëmijë të vegjël. Ishin shtatë veta: dy fëmijët e babait, tre ne: pesë, mamaja: gjashtë, xhaxhai: shtatë. Ishin të tërë të rinj. Më e madhja, mamaja, 25.

Vajti mamaja atje në Bashki. Ku të vete,- tha,- me gjithë këta fëmijë? -Mbytu!- tha. Se kalon lumi aty, Shkumbini. -Mbytu në Shkumbin,- tha.

Ju keni mësuar nga të burgosurit e tjerë, se babai e la amanet motrën tuaj të madhe.

Ekzekutimet janë bërë në mëngjes, në 3.00- 3.30 të mëngjesit, por kur të burgosurit dëgjonin që hapej një derë, që bëhej zhurmë se ato hekura janë, mundoheshin të shikonin nga dritaret e vogla të dyerve se kush po ekzekutohet. -Ju që jeni gjallë, që po më shikoni mua,- i thotë babai i shkretë,- kush të shpëtojë, kush ka fatin të dalë, t’i thotë Kadries (bashkëshortja e tij): amanet Lutfien! Për gocën që kishte me gruan e parë, se ishte në moshë të madhe ajo. Ka qenë nja 14-15 vjeçe. Thoshte “kjo (për gruan) do marrë fëmijët e vet dhe do iki”.

Por ju jetuat të gjithë bashkë.

E dinim se ishim të gjithë motra e vëllezër, nuk e dinim që ata ishin me nënë tjetër, deri vonë. Nuk bëheshin ato muhabete në shtëpinë tonë. Ishim dy motra, tre vëllezër. Xhaxhait i thoshim baba. Sedër të sëmurë. Ata nuk e lanë nënën time të dilte në punë. Thoshin: “Të tallen këta…U tallën me vëllanë. Do e mbajmë ne. Bukë me kripë, të rrijë në shtëpi, të rrisë fëmijët”. Kishin nevojë ata, ishin të gjithë të rinj.

Babai arriti të nxirrte edhe unazën nga burgu

Ka qenë një atje, njerka e nënës e kishte vëlla. Qëllon, kur i shoqëron një herë që i çon në WC këta në mëngjes, babai e njohu atë. Ai s’e ka njohur se i parruar, i rraskapitur. S’e kishte parë ndonjëherë babanë tim ashtu ai, siç ishte atje. Edhe kur i thotë babai im me avash: “Zija, s’po më njeh?”. Nga zëri e ka njohur ai. –“Çfarë më thua zoti Daut”? –“Lëre zotin Daut”, i thotë. Nëpërmjet atij, kur i ka çuar një herë tjetër, i ka çuar unazën.

Për të respektuar krushqinë ai, kërkoi takim. Kërkoi takim duke menduar: “Meqë s’takon familjen, unë jam këtu, më takon të të respektoj unë”. Ç’ka hequr ai i shkreti! Ai ishte nga Imshta e Lushnjës, e çojnë në Malësi të Shkodrës. Ka ngrënë dynjanë, për atë veprim. Për unazën nuk tregoi gjë, por që kërkoi takim.

Çfarë keni arritur të mësoni për ekzekutimin e babait?

Është dikush që ka qenë varrmihës. Edhe kur kanë mbaruar punë- se këta më duket e kanë hapur dhe varrin vetë, ashtu siç kanë qenë të rraskapitur- e ka parë babain me mjekër, se babai ishte njeri që rrinte mirë, shik, nuk rrinte ashtu. “Ou”, është trembur ai kur e ka parë. –“Po të vjen keq”?-i kanë thënë. –“Jo, jo, po habitem- ka thënë-se qenka me mjekër, s’qenka rruar”. Ka vënë një gur atje te koka, thotë. Ai kishte thënë që mos u bëni merak.

E kontaktuat këtë person më pas?

Ai kish vdekur. Po ia kishte treguar djalit. Mendohet afërisht se ku.

Ku?

Në Krastë të Elbasanit, po sa është Krasta! Nuk kanë ditur ekzaktësisht. Pesë veta kanë qenë ata që janë pushkatuar. Ka qenë dhe babai i guvernatorit të bankës së Shqipërisë, që është vrarë në një vend me babanë tim. Janë elbasanllinj ata. Kanë qenë pesë veta. Pesë familje të kamura. Ne s’kemi qenë të kamur, në fakt. Ne kemi qenë familje normale. Na ka pëlqyer shkolla, po. Gjyshi im ka qenë hoxhë dhe një dyqan të vogël metrazhi ka pasur. Mirë që nuk kishte prindërit gjallë babai kur u vra!

Kur nisi kërkimi?

Që në ’92-‘93-shin. Vëllezërit kanë qenë mirë nga shëndeti dhe para 30 vitesh, kur hyri demokracia, sipas të dhënave të njerëzve, kanë marrë një eskavator dhe kanë gërrmuar.

Nuk arritën ta gjenin?

Jo. Disa thonë që shumë shpejt janë bërë vatrat e zjarrit, bunkerët dhe i kanë hedhur në Shkumbin fare. Nuk e di. Nuk di çfarë të them. Nuk kemi asnjë të dhënë. Po vëllezërit, tri ditë kanë ndenjur me eskavator atje. Edhe përafërsisht nga atje, djali i motrës sime, ka prurë një qese me dhe, që bëmë varr imagjinar, që e futëm atje. Babai tani po bën 76 vjet që ka vdekur. Atij që s’i ka munguar gjë, i duket gjë e tepërt kjo që kërkojmë ne pas shumë vitesh. “E vdiq, vdiq. Do kishte vdekur ai tani”. Do kishte vdekur ai, por ai vdiq 40 vjeç. Ne duam të kemi një vend ku t’i çojmë lule. Ka qenë kriminel për këta, po e pranojmë. Unë s’e kam kriminel, e kam baba. Unë dua eshtrat, ku i ka. S’tregojnë këta. Këta duhet t’i dinë, se ata s’kanë qenë kafshë, që kanë vrarë, kanë qenë njerëz. Kanë dhe harta, thonë, i dinë shumë mirë.

 

Në ditët në vijim do të botohet pjesa e dytë e intervistës ku tregohet si vazhdoi jeta e familjes pas ekzekutimit të Daut Elezit.

Shënim i mëvonshëm: Pjesën e dytë të intervistës mund ta lexoni këtu.

S'KA KOMENTE