I zbritën nusen nga kali, ditën e dasmës, sepse i ati kishte marrë pjesë në revoltë

0
12

Kur vinte puna te kundërshtarët politikë, diktatura komuniste e shtrinte ndëshkimin në të  gjithë familjen, në të gjithë brezat dhe në çdo fushë të jetës së tyre. Duke kushtëzuar arsimin, punësimin, deri dhe martesën. I biri i Shaqo Muçodemës, një prej pjesëmarrësve në revoltën antikomuniste të Zhapokikës më 1948, ka treguar sesi kur presionet për të mohuar të atin dështuan, atëherë fronti dhe partia e ndaluan të martohej me njeriun që donte.

 

Nga Xhezo Cana

 

Shaqo Halim Muçodemaj lindi në Luftinjë, Tepelenë, më 1920. U arrestua më 12 tetor 1948. Mori pjesë aktive në çetën e organizuar. U akuzua si bashkëpunëtori kryesor i krerëve të çetës dhe si "ekzekutori i Xhezo Makashit dhe një polici". Mori pjesë në të tre përplasjet që çeta bëri me forcat e policisë dhe ndjekjes në fshatin Kamçisht, Levan dhe Gllavë. U dënua me 20 vjet burg dhe punë të detyruar. Pasi beri 17 vjet e 22 ditë burg, u lirua me kërkesë të familjes.

Sipas relacioneve nga organet e pushtetit, rezultonte se Shaqo Muçodema kishte qëndruar politikisht indiferent, para lufte e pas saj. Po në ato relacione thuhej se "gjatë përpjekjeve më forcat e ushtrisë ka vrarë policin e Beratit, pastaj është ndarë nga çeta dhe ka shkuar në drejtim të Izvorit". Në gjyq, Shaqo Muçodema nuk e pranoi vrasjen e policit të Beratit. Pas gjykimit, i sekuestruan të gjitha mjetet e jetesës, gjënë e gjallë, tokat që kishte, duke mos i lënë asgjë familjes së tij.

Në datën 29.10.1949 në shtëpinë e Shaqo Muçodemajt me vendim 217/463 datë 16. 10. 1949 të Komitetit Ekzekutivë të Tepelenës shkuan për të bllokuar pasurinë e luajtshme dhe të paluajtshme. Nga inventari rezultojnë këto pasur: “Shtëpia me një dhomë (kasolle), ara e quajtur Moçal, 5 dynym, ara Sheshi, 6 dynym, ara Qafë e Tallanit 3 dynym, 2 krerë lopë, 1 dem motak, 3 kade, 1 kazan rakie". Nënshkruar nga Myslim Dero, Shaqo Qazimi, Tefik Sherifi.

Në vitin 1983, pas vdekjes së Mehmet Shehut, në fshatin Luftinjë shkoi i deleguari partisë P. Z për të diskretituar Shaqon se gjoja kishte thënë se Mehmetin e vrau Enveri. Pasi mblodhën popullin, i deleguari iu drejtua popullit për fjalët që kishin dëgjuar nga "armiku i popullit", të cilin, sipas tij, mund ta priste sërish burgu. Shaqua u ngrit dhe tha:

"Ti tremb këta që janë këtu, dhe jo mua, se mua nuk më tremb dot. Babai yt ishte burrë i mirë se na furnizonte me bukë, kur ishim me Xhemal Brahimin. Me ty u bëmë krushq se more mbesën për nipin, por unë isha në burg dhe nuk më pyeten, por ta jepja vetëm për hatër të babait që e kishe burrë të mirë!”

I deleguari deshi ta diskreditonte, por, në realitet, i diskredituar doli i deleguari.

Për shkak të tij u persekutua gjithë familja. Sipas dëshmisë të së birit, Syrja Muçodema, njerëzit e regjimit i kërkuan të mohonte të atin, e ndaluan të martohej me personin e zgjedhur, ditën e dasmës.

Syrja Muçobega tregon: "Kur unë do të martohesha, më zbritën nusen nga kali dhe nuk më lanë ta merrja. E vendosi fronti dhe partia se unë, si armik, nuk isha i denjë për të dhe e zbritën nga kali". Njerëzit e regjimit i thoshin: "Moho babain, mos e prano, ai është armik."

Më 1994, Shaqo Muçodemës iu dha statusi i të persekutuarit politik. Më 12 dhjetor 2012 iu dha tituli "Nderi i Komunës" nga komuna e Luftinjës, Tepelenë.

Në foton kryesore: Shaqo Muçodemaj

Shënim: Teksti dhe fotoja janë marrë nga libri “Revolta në Zhapokikë, 1948”, nga Xhezo Cana, botim i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK), Tiranë, 2020.

S'KA KOMENTE