Luljeta Bozo u rrit në shtëpinë e zaptuar të inxhinierit të pushkatuar dhe nusëroi në vilën e grabitur të djalit të burgosur të Sevasti Qiriazit
Nga Luljeta Progni
Kur Mirush Përmeti u pushkatua nga regjimi komunist, la pas bashkëshorten Bedrie e cila ishte në muajt e fundit të shtatzënisë me fëmijën e tretë. Kishte edhe dy vajza të vogla, Ifeten dhe Ermirën. Mirush Përmeti u pushkatua në fund të vitit 1946, si pjesë e grupit të inxhinierëve të akuzuar si sabotatorë të kënetës së Maliqit. Dy muaj pas pushkatimit të Mirushit, erdhi në jetë i biri, Esmeri. Nuk e njohu kurrë babanë e tij. Mirush Përmeti kishte qenë një ndër inxhinierët e talentuar të Tiranës së viteve '40. I diplomuar në universitetin e Padovas në Itali, ishte një ndër intelektualët e rëndësishëm të kryeqytetit. U akuzua padrejtësisht si pjesë e grupit të inxhinierëve të kënetës së Maliqit dhe u pushkatua bashkë me të tjerë, gjithashtu të pafajshëm. Ishte një “grup armiqsor” i sajuar si i tillë nga diktatori me qëllim për të eliminuar grupin e inxhinierëve, si pjesë e elitës së Tiranës. Kështu do të ndodhte edhe me të tjerë në vazhdimësi.
Familja e Mirush Përmetit, jetonte në atë kohë në një vilë të vogël dhe komode në rrugën "Budi" në Tiranë. Ishte shtëpia që e kishte ndërtuar vetë pasi ishte inxhinier ndërtimi. Pak muaj pas pushkatimit të Mirush Përmetit, regjimi komunist vendosi që ta dëbojë familjen e tij nga banesa.
“Largimi nga banesa ishte ngjarja më e rëndë që i ndodhi nënës pas vrasjes së babit tim, Mirush Përmeti. Më ka rrëfyer me mijëra herë atë histori se kurrë nuk i hiqej nga mendja.
Ato ditë kur nëna po përjetonte dhimbjen për të shoqin e pushkatuar, njerëz të panjohur vinin shpeh të vila jonë dhe hynin në çdo qoshe të shtëpisë për ta parë… shoqëroheshin me policë të diktaturës. Në njërën prej ditëve, një çift i ri erdhën si vizitorë të padëshiruar në shtëpinë tonë. Kishin hyrë në çdo dhomë e në çdo cep të shtëpisë e më pas edhe në bahçen e bukur, të cilën e kishte projektuar me finesë babai. Pas vizitës, çifti i ri që dukej se ishin të rëndësishëm për regjimin, kishin thënë se iu pëlqente shtëpia. Nuk kaluan pak ditë dhe policët e diktaturës zbarkuan para shtëpisë dhe e detyruan mamanë me dhunë, të largohej menjëherë nga banesa e saj… nuk e lejuan të merrte asnjë orendi të shtëpisë. Gruaja e tmerruar me beben në dorë dhe vajzat e vogla, kishte nisur të mblidhte disa plaçka të domosdoshme dhe krevatin tim. Isha vetëm dy muajsh … Por gruaja e re komuniste, i kishin thënë nënës që atë krevat nuk mund ta merrte me vete se iu duhej atyre. Mamaja e tmerruar i kishte thënë se krevati i duhej për djalin e saj të porsalindur… “Mund të merrni çdo gjë por jo krevatin e bebes se djepi i foshnjes nuk i grabitet askujt.. s'ka ndodhur kurrë”. Por gruaja kishte urdhëruar që krevatin e donte ajo për fëmijët e saj. Mamaja u detyrua të dëgjojë edhe thirrmën e kobshme të çiftit të ri komunist… "fëmija juaj nuk meriton këtë krevat… madje nuk meriton të jetojë"…Kështu mamaja ime Bedria u largua nga shtëpia e saj me pak rrecka e me ne fëmijët e mitur. E detyruan të jetonte në një bodrum në një lagje të Tiranës. Një bodrum që pas pak kohësh do të shembej duke na rrezikuar jetën… unë nuk i harroj kurrë vuajtjet e kohës së diktaturës. Aq më pak mund të harroj dhimbjen e nënës time për babain që na pushkatuan e gjithaq edhe dhimbjen për dëbimin nga shtëpia që babi e kishte ndërtuar vetë” rrëfen Esmer Përmeti, i biri i inxhinierit të pushkatuar nga regjimi, Mirush Përmeti.
Kur Esmer Përmeti bashkë me nënën e tij dhe dy motrat u larguan nga banesa e tyre, çifti komunist, Panajota dhe Vasil Konomi, jetuan në vilën e bukur dhe atje i rritën fëmijët e tyre. Krevati i birit të Mirush Përmetit mbeti aty për t'u shijuar nga famijët e çiftit komunist Konomi.
Në oborrin e bukur të vilës së Mirush Përmetit do të hidhte hapat e saj qysh në vogli, vajza e përkëdhelur e familjes komuniste, Luljeta Konomi. Luljeta ishte në atë kohë 7-8 vjeçe dhe ndoshta i mban mend detajet e ditës kur zbarkuan në pronën që prindërit e saj grabitën me vulën e diktaturës. Sifdoqoftë, ajo jetoi fëmijërinë e lumtur në oborret e bukura të bahçes së familjes Përmeti dhe bashkë me familjen e saj, për 50 vite, e shijuan atë banesë të pamerituar. Por nuk mbaron këtu. Me rrëzimin e diktaturës komuniste, Esmer Përmeti dhe familja e tij nisën përpjekjet për të marrë banesën e tyre të grabitur nga regjimi që sapo ishte rrëzuar. Iu deshën shumë përpjekje dhe beteja ligjore për t'u kthyer në shtëpinë e grabitur. Sepse Luljeta, bija e familjes Konomi, ishte inxhiniere e rëndësishme e ndërtimit dhe bëri përpjekjet maksimale për të mbajtur banesën e grabitur për prindërit e saj. Një betejë e ulët e pamëshirshme, po aq sa e pamëshirshme kishte qenë grabitja e saj.
***
Do të shkojmë te një tjetër histori edhe më e dhimbshme sesa ajo e familjes Përmeti. Dy historitë kanë të përbashkët një personazh, Luljetën, vajzën e familjes Konomi që do të shkonte nuse në derën e familjes Bozo, gjithashtu e privilegjuar nga regjimi komunist.
Është i njohur kontributi i motrave Qiriazi në shërbim të atdheut. Motrat Qiriazi ia kushtuan gjithë jetën arsimimit. Sevasti Qiriazi dhe motra e saj Parashqevi Qiriazi, hapën shkollën e parë të vashave në Korçë në vitin 1891. Veprimtaria e tyre atdhetare nuk u ndal kurrë derisa komunizmi i shkatërroi duke iu vrarë fëmijët.
Është tragjike historia e Sevasti Qiriazit, një ndër gratë më të shquara të historisë së Shqipërisë. Sevasti Qiriazi i dha gjithçka atdheut e atdheu i pushtuar nga diktatura komuniste, ia shpërbleu me vrasjën e djalit të saj Gjergji Dako dhe burgosjen e djalit tjetër, Aleksandër Dako.
Në vitin 1949, Gjergji Dako, i biri i Sevasti Qiriazit dhe Kristo Dakos, u arrestua nga diktatura komuniste. Ishte një ndër mjekët kirurg më të talentuar të asaj kohe. Për shkak të torturave në qelitë e burgjeve komuniste, Gjergji ndërroi jetë në shkurt të vitit 1949. Ndërkohë i vëllai, Aleksandri, djali tjetër i Sevastisë, ishte në burg. Pak muaj më pas, Sevasti Qiriazi ndërroi jetë nga dëshpërimi. Familja e mbetur jashtë qelie u drejtua nga e motra e Sevastisë, Parashqevi Qiriazi. Pasi iu grabit prona e tyre në Kamëz, ku ishte edhe instituti Qiriazi, Parashqevia ia doli të blinte një shtëpi në Tiranë në rrugën "Halim Xhelo". Ishte një shtëpi private. Vila e saj mbante numrin 28. Parashqevia jetoi aty bashkë me familjen e Aleksandrit, Rozin dhe tre fëmijët. Në vitin 1953, Aleksandri u lirua nga burgu. Iu rikthye jetës bashkë me bashkëshorten, tre fëmijët dhe me tezen Parashqevinë. Në vitin 1970, Parashqevi Qiriazi ndërroi jetë. Ndërkohë, Aleksandri me familjen e tij vazhduan jetën në banesën që iu kishte blerë tezja, deri në vitin 1975. Por Aleksandri vazhdonte të ishte në shënjestër të regjimit dhe vazhdimisht i sulmuar. Më 15 tetor 1975, me akuza të sajuara nga Sigurimi i Shtetit, Aleksandër Dako u internua në Tale të Lezhës. Pak muaj më pas, në janar 1976, vilën e tij e zaptoi familja e Todi dhe Luljeta Bozos. Nuk e dimë nëse ishte rastësi apo fat i kërkuar prej Luljeta Bozos që ishte rritur në shtëpinë e grabitur të një inxhinieri të pushkatuar nga regjimi, e të nusëronte më pas në shtëpinë e grabitur të një tjetër inxhinieri të burgosur si kundërshtar i regjimit. Por e vërteta është që ajo e grabiti shtëpinë e birit të Sevasti Qiriazit ashtu siç prindërit e saj kishin grabitur shtëpinë e inxhinierit të pushkatuar Mirush Përmeti.
Duket sikur komoditeti i Luljeta Bozos varej direkt nga pushkatimet e intelektualëve të Shqipërisë nga diktatura. Ndaj dhe ndoshta duket kaq e zakontë ta dëgjosh Luljeta Bozon të flasë me simpati për atë kohë të diktaturës komuniste, kur vritej Mirush Përmeti dhe shtëpia e tij grabitej nga prindërit e Luljetës, e kur vritej djali i Sevasti Qiriazit e burgosej e internohej djali tjetër, për t’i lënë shtëpinë Luljetës, nuse e bashkëshortit të saj komunist i devotshëm.
Kur Luljeta Bozo artikuloi se në kohën e diktatorit kishte më shumë anë pozitive se sa negative ndoshta e kishte fjalën për jetën e bukur në vilat e grabitura. Por ajo e di mirë se me atë shprehje ka lënduar shumë njerëz. Luljeta është zgjedhur deputete e Partisë Socialiste në kuvendin qe doli nga zgjedhjet e 25 prillit 2021. U prezantua si imazhi i ri i kësaj partie, edhe pse Luljeta është shumë e hershme në këtë parti, qysh kur ajo quhej Partia e Punës së Shqipërisë. Luljeta ishte komuniste e devotshme gjatë sistemit diktatorial dhe nuk ishte thjesht përfituese, por pjesë e regjimit komunist bashkë me familjen e bashkëshortit. Kunati i saj, Irakli Bozo ishte një ndër gjyqtarët e diktaturës që firmosi procese për pushkatimin e kundërshtarëve të regjimit. Irakli Bozo ka dhënë vendimin për pushkatimin e Maliq Bushatit në vitin 1946.
Është e dhimbshme historia jonë e së shkuarës. Por është edhe më e dhimbshme historia e së tashmes, kur Luljeta bashkë me shokët e shoqet e saj, na sfidojnë me “anët pozitive të kohës së diktaturës”. Kur flasin me nostalgji për jetën e tyre të lumtur në diktaturë, ata as duan ta dinë se gërvishtin miliona plagë dhimbjesh që shkaktuan mbi shqiptarë të pafajshëm.
Këto ditë, tentuam të komunikojmë me Rozi Dakon, mbesën e Aleksandër Dakos, për ta intervistuar e për të mësuar detaje rreth historisë së familjes së saj. Rozi Dako nuk ka dëshirë të flasë. Ajo shkruan se këto kohë, për familjen e saj është rikthyer dhimbja: “Kjo ngjarje na ka tronditur shumë dhe po më mungon ajri si atëherë… Shqetësimi është i jashtëzakonshëm dhe për familjen tonë hapet një faqe tej mase e dhimbshme”- tha ajo per Kujto.al.
Dhe kjo histori na kujton disa rreshta domethënës të Primo Levit:
“Ora e lirisë ra e rëndë dhe e errët, na mbushi shpirtrat me hare e njëkohësisht me një ndjesi të dhembshme turpi, ndaj do të kishim dashur të pastronim ndërgjegjet dhe kujtimet tona nga shëmtia që dergjej në to; na i mbushi edhe me brengë, sepse e ndienim që kjo s’mund të ndodhte, që kurrë më s’kish për të na ndodhur diçka kaq e mirë dhe e dëlirë sa të fshinte gjithë të shkuarën tonë, dhe damka e përdhosjes s’do të na shlyhej kurrë, s’do të shlyhej as nga kujtimet e atyre që i kanë përjetuar, as nga vendet ku ndodhi, as nga tregimet e rrëfimet që do të shkruanim. Ngase, dhe ky është privilegji i tmerrshëm i brezit dhe i popullit tim, askush tjetër, kurrë, s’ka arritur të rrokë natyrën e pashërueshme të poshtërimit, që përhapet si epidemi. Është marrëzi të mendosh që drejtësia njerëzore do ta shfarosë….”/Kujto.al
Ndicojani mendjen hapjani syte popullit dele qe shet voten per nne these mjell