Pas burgosjes së të atit, ai dhe i vëllai u birësuan nga dy familje të ndryshme. Kur i ati doli nga burgu dhe lindën edhe një vëlla e motër tjetër, ata ishin një familje me tre mbiemra. Kujto.al sjell kujtimet e Bujar Nepravishtës për kilometrat e vështirë drejt Burrelit për të takuar të atin, dhe për vuajtjen kur polici i burgut ua hodhi ushqimet e mbledhura me mundim, sepse kalonin normën. Mbiemri i huazuar i mundësoi atij një arsimim dhe punë më të mirë, por gjatë gjithë jetës ata e mbajtën gojën mbyllur me kërcënimin e një dënimi të ri mbi krye
Dëshmia e plotë, si më poshtë:
Zoti Bujar, kur keni lindur dhe cila ka qenë familja juaj?
Unë kam lindur në Delvinë, në 18 gusht të vitit 1940. Babai im quhej Myslim Çarçani, lindur në fshatin Fushë-Bardhë të Gjirokastrës. Një familje në gjendje të mesme ekonomike dhe, sikurse tregojnë gjyshi dhe njerëzit e tjerë, kanë qenë të lidhur ngushtë me problemet e mëdha që ka pas Shqipëria në atë kohë, lidhur me problemet e shpalljes së Pavarësisë dhe shtëpitë tona në Fushë-Bardhë, kanë qenë bazat për çetat e Çerçiz Topullit, Mihal Gramenos, etj..
Babai është shkolluar në Liceun e Korçës dhe e ka mbaruar atë në vitin 1931. Pastaj nuk mundi të vazhdonte dot studimet e larta, megjithëse ishte një student i shkëlqyer në Liceun e Korçës. Bëri shkollën e plotësimit dhe atëherë bëhej dhe një kurs për komuna. Mbaroi dhe atë kurs njëvjeçar për komuna dhe u emërua kryetar komune në Frat.
Gjatë periudhës së Luftës II Botërore, ai ka qenë me detyra të ndryshme: ka punuar në Elbasan, ka qenë sekretar në Prefekturë, sekretar i Përgjithshëm; pastaj ka qenë një periudhë të mirë në Tiranë, përsëri me detyra të këtij niveli dhe më në fund, ka qenë në Delvinë edhe në detyrën e nënprefektit. Babai ka pasur pikëpamje nacionaliste dhe ka qenë i lidhur shumë ngushtë me lëvizjen nacionaliste në zonën e Delvinës. Ka pasur kushëririn e vet, Ismail Haki Totzani, njeri shumë të afërt dhe me të cilin bashkëpunonte dhe njëkohësisht dhe me njerëzit e tjerë nacionalistë të familjes Rami, me Hasan Ramin, me Avdullah Ramin dhe në këtë mënyrë, ai u portretizua si një kundërshtar politik shumë i ashpër ndaj regjimit komunist. Ai kishte pikëpamje shumë të qarta për bolshevizmin në përgjithësi dhe për komunizmin dhe ka qenë shpeshherë në debate të ashpra me përfaqësuesit e komunistëve në këtë zonë. Në vitin 1945, ai u arrestua dhe u quajt armik i popullit dhe u dënua me vdekje. Më pas, dënimi me vdekje iu ul në 30 vjet burg dhe ai u burgos dhe e kreu dënimin në Burrel si i dënuar politik. Unë me gjyshen, me nënën dhe me një vëlla, ne ishim gjithsej dy vëllezër, me Farukun, mbetëm fare pa përkrahje dhe në këtë rast, tezja e babait, Bahrie Nepravishta, na mori. Ajo jetonte në Lushnje. I shoqi, Xhevdet Nepravishta ishte një nacionalist që kishte përkrahur luftën partizane dhe ai u vra në vitin 1944, dhe ne u strehuam në shtëpinë e tij, në familjen dhe... në Lushnje.
Ka qenë një peripeci shumë e madhe rruga që kemi bërë nga Delvina në vitin 1944, për të shkuar në Lushnje. Një udhëtim jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe ne ishim njerëz pa përkrahje: vetëm dy gra, unë atëherë isha 4 vjeç, kurse vëllai 2 vjeç. Megjithatë, tezja e babait na mori dhe ajo ka një meritë jashtëzakonisht të madhe për gjithë ardhmërinë tonë. Ajo më birësoi mua dhe unë quhem tani Bujar Nepravishta, kurse vëllai tjetër, Faruku u birësua nga halla, nga motra e babait, e cila ishte e martuar me Mahmut Toron, i cili ka qenë një mësues gjatë gjithë jetës së tij dhe në këtë mënyrë, vëllai im mori emrin Faruk Toro dhe duke qenë të birësuar, ne mundëm që të arsimoheshim dhe të kryenim shkollën.
Bujar, përpara se të kalojmë në momentet e arsimimit, babai u arrestua në vitin...?
1945.
Me çfarë akuze?
Me akuzën si armik i popullit dhe u dënua me vdekje sikurse thashë dhe pastaj me 30 vjet dhe më vonë pastaj, pati një amnisti tjetër, me 7 vjet dhe në vitin 1952 ka dalë nga burgu.
Gjatë gjithë kohës që ka qenë në burg në Burrel, kanë qenë periudha jashtëzakonisht të vështira. Ne kemi qenë në gjendje shumë të vështirë ekonomike sepse tezja e babait, ishte e vetmja që ishte në punë, ajo shiste cigare dhe ne jetonim me të ardhura jashtëzakonisht të pakta. Unë mbaj mend që disa herë kemi shkuar në Burrel. Ajo ka qenë një torturë jashtëzakonisht e vështirë. Shkonim me kamiona, me makina të rastit deri në Vorë dhe pastaj nga Vora, makinat e kromit shkonin deri në Burrel. Më kujtohet që në një nga këto udhëtime, kemi shkuar deri në Bulqizë dhe pastaj jemi kthyer në Burrel. Në Burrel, kemi shkuar dhe nga rruga e Qafë-Shtamës, rrugë jashtëzakonisht të vështira. Unë kam shkuar në këto udhëtime me nënën që më adoptoi dhe me nënën natyrale, gjithashtu edhe me gjyshen, për të takuar babain. Atje dërgonim disa ushqime të pakta. Më kujtohet një herë që, nuk e di sesa ishte ajo norma: një kile apo dy kile dhe në mënyrë jashtëzakonisht arrogante, i hapën të gjitha ushqimet dhe ato që tejkalonin, i hodhën poshtë. Merre me mend sesa e vështirë dhe prekëse ishte për ne që me aq sakrifica, grumbullonim diçka për të çuar dhe në mënyrë brutale, ajo hidhej poshtë.
Më kujtohet që kemi fjetur te një grua plakë, te e cila zakonisht, shkonin familjet që takonin të burgosurit. Bëhet fjalë për vitet ’49-‘50-‘51. Atëhere nuk ishte ndërtuar hidrocentrali i Ulzës dhe shkonim në Burrel nga Mirdita, nga Rrësheni dhe rruga ka qenë një torturë e vërtetë dhe mënyra e trajtimit po ashtu. Takimi ishte shumë i shkurtër, mbrapa hekurave, por shoferët kishin dhembsuri dhe sa na shikonim që ishim me plaçka, përgjithësisht na merrnin, kurse pjesa tjetër pastaj ishte një pjesë shumë e vështirë
Sa zgjaste udhëtimi për të shkuar?
Niseshim që herët në mëngjes nga Lushnja dhe mbërrinim pastaj ose në darkë vonë, ose dhe në mesnatë.
Ku flinit?
Në Burrel, ishte një grua që na e kishin rekomanduar familjet e tjera që shkonin dhe edhe ne atje strehoheshim dhe flinim një natë dhe pastaj të nesërmen largoheshim. Si të gjitha familjet e tjera, ka qenë shumë e vështirë. Shpeshherë ne shkonim së bashku me një-dy familje të tjera. Një ishte nga Gurëza, me mbiemrin Zdrava, edhe ata kishin të burgosur në Burrel dhe e linim dhe organizoheshim, shkonim dy familje bashkë. Natyrisht, sepse ishin vetëm gra, edhe me fëmijë të vegjël. Pastaj, pasi doli babai nga burgu, në vitin 1952, punoi tërë jetën si punëtor në fermë, në ndërmarrjen bujqësore të Lushnjës. Punonte me normë, mirëpo natyrisht një njeri që kishte dalë nga burgu, edhe në atë moshë, ai ka lindur në vitin 1908 dhe ishin vitet ‘50-‘60, e kishte të vështirë, ai ka vdekur në vitin 1987 dhe deri atëherë, ai ka jetuar në Lushnje dhe tërë jetën ka punuar si punëtor në fermë, në punëra nga më të vështirat. Unë kisha dhe një vëlla dhe një motër tjetër që lindën mbasi doli babai nga burgu. Ata quhen Teki Çarçani dhe Engjëllushe Çarçani. Për ata ka qenë një jetë jashtëzakonisht e vështirë.
Ata mbajtën mbiemrin e babait dhe ishin trungu i babait.
Po, ata ishin trungu i babait. Mbasi mbaruan shkollën e mesme, nuk mund t’u jepej arsimim më tej dhe vëllai ka punuar në fabrikën e tullave. Punë jashtëzakonisht e vështirë. Ai transportonte tullat me vagon, i fuste në furrë dhe i nxirrte pastaj nga furra, në temperaturë 70, 80, 90 gradë dhe kur kthehej në shtëpi, ai nuk njihej sepse ishte i mbuluar i tëri me blozë dhe vetëm që ishte një djalë jashtëzakonisht i vullnetshëm, përballonte një punë jashtëzakonisht të vështirë. Po kështu edhe motra, e cila doli me rezultate të shkëlqyera. Në Lushnje, mbahet mend shumë mirë për rezultatet e saj dhe ajo punoi gjithë kohën në ndërtim. Ajo ka pasur dhe ajo një jetë jashtëzakonisht të vështirë. Bile motra, për fat të keq, mbeti e pamartuar dhe sot që është 50 e ca vjeç, mbasi në qytetet e vogla familjeve që konsideroheshin reaksionare nuk iu afroheshin përgjithësisht dhe ky ishte një fat jashtëzakonisht i keq. Ç’është e vërteta, ne kemi pasur mbrojtjen e tezes së babait sepse disa herë është tentuar që të na internonin, por ka qenë ndërhyrja dhe presioni i saj që shpëtuam.
Ndërkohë, vëllai juaj gjatë gjithë kohës, qëndroi në Lushnje dhe punoi punëtor?
Po, gjatë gjithë kohës, pra deri në vitin 2000, ata kanë jetuar në Lushnje. Kurse në vitin 1991-’92 pastaj, vëllai punoi në një ndërmarrje të naftës, kurse motra punoi në Bashkinë e Lushnjes.
Domethënë erdhi momenti i pluralizmit politik, i demokracisë në Shqipëri dhe...
Dhe motra vazhdoi mbas ‘92-shit, me shkëputje nga puna, Fakultetin Juridik dhe punoi në Bashkinë e Lushnjes. Ajo u propozua nga Partia Demokratike që të kandidonte për kryetare Bashkie e Lushnjes, biles edhe për deputete, por nuk ishte në natyrën e saj karriera politike. Ajo ishte një tip që e shikonte të ardhmen e saj jo në fushën e politikës.
T’i rikthehemi dhe një herë periudhës së diktaturës komuniste. Babai jetoi deri në ‘87-n. Ai punoi punëtor deri sa doli në pension. A kishit biseduar ndonjëherë ndoshta ngushtë, në afërsi...
Po ne në familjen tonë bisedonim vazhdimisht. Unë nuk banoja në Lushnje. Unë kam punuar në industrinë e naftës deri në vitin 1991 në Kuçovë, pastaj në Patos dhe vija një herë në javë në Lushnje dhe natyrisht, në mbrëmje, bisedonim. Domethënë, në familjen tonë nuk jemi rritur me ndonjë mendim për sistemin si ai prezantohej nga sistemi. Ne ishim jashtëzakonisht të qartë dhe të ndërgjegjshëm sepse prindërit na e kishin bërë shumë të qartë se ç’përfaqësonte në përgjithësi komunizmi. Ne e njihnim nga bisedat në familje, u kushtonim shumë rëndësi gjithë zhvillimeve politike që nga paralufta dhe zhvillimeve të mëtejshme dhe babai ishte jashtëzakonisht i formuar në pikëpamjet politike lidhur me rolin e gjithë faktorëve politikë në arenën ndërkombëtare dhe në këtë aspekt, edhe në Shqipëri. Ai i njihte liderët komunistë të zonës në ballafaqimet që kishte pasur. Dhe e dinte që komunizmi ishte vetëm një demagogji, ishte një gënjeshtër dhe për këtë ndiente dhe atë keqardhjen më të madhe sepse një popull u mashtrua nga idealet e bukura që prezantonte komunizmi. Nga ana tjetër, nacionalistët nuk ishin të organizuar dhe nuk kishin një propagandë, ashtu siç ishte organizuar në perfeksion propaganda e partisë komuniste. Njëkohësisht ne bisedonim për gjitha zhvillimet politike që ndodhnin në vend dhe kemi qenë vazhdimisht të heshtur sepse e dinim që ishim njerëz që survejoheshim, ishim nën kontroll dhe e vetmja gjë që mund të na shpëtonte nga ndonjë pasojë, siç ndodhte, ishte vetëm të heshtnim dhe të mbyllnim gojën, ndonëse ishim jashtëzakonisht të ndërgjegjshëm. Ne, ishim në mënyrë natyrore të formuar që fëmijë me njohuri të qarta dhe të sakta se çfarë përfaqësonte ky sistem, kjo fatkeqësi e madhe që kishte pushtuar Shqipërinë, por jashtë nuk flisnim absolutisht me askënd dhe nuk besonim absolutisht tek askush. Tek ne vinte kushëriri i babait, z. Hasan Rami. Ai ishte I internuar në Cërrik dhe ai ishte një nacionalist, një patriot shumë i mirë dhe fliste me pathos kur vinte në mbrëmje, bile ngrihej në këmbë edhe fliste me babain tim lidhur me të gjitha problemet dhe fatkeqësitë e mëdha që shoqëronin këtë vend pas ardhjes së komunistëve. Kjo përgjithësisht ishte atmosfera në familje. Ne nuk na afroheshin as njerëzit, sepse, sikurse ndodhte në familjet shqiptare, një pjesë qenë nacionaliste dhe në të njëjtin fis kishte edhe të tjerë që ishin të lidhur me Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Ne ishim krejtësisht të izoluar në Lushnjë. Ata njerëz që na vinin ishin vetëm ata të cilët, kishin vuajtur dhe jeta ka qenë shumë e vështirë. Në qytetet e vogla kjo urrejtja klasore ka qenë më e madhe…Lushnja, për shembull e ka pasur të theksuar këtë gjë mbasi ka qenë edhe një vend në të cilin kishte shumë pika internimi. Lushnja ishte e mbushur e tëra edhe në këtë aspekt, ishte shumë e zymtë për të jetuar familjet që etiketoheshin reaksionare, në lagje, kudo që…
Një ndodhi nga patëm përsëri pasoja ka qenë dhe kjo: në votimet e ’46-ës, nëna ime votoi në kutinë e zezë dhe ajo tingëlloi... Në këtë aspekt, ne konfirmuam vetë që ishim kundërshtarë të regjimit. Pavarësisht që im atë ishte në burg, edhe nëna ime e konfirmoi një gjë të tillë. Pa dyshim që të gjitha këto shkaktonin, në ato që quheshin mbledhje të Frontit, etiketime jashtëzakonisht të rrezikshme si armik etj.etj. Përgjithësisht, kjo ka qenë gjithë periudha në të cilën kemi jetuar...
Si i keni përjetuar momentet e pluralizmit politik, të ardhjes së demokracisë në Shqipërisë, qoftë ju, qoftë dhe pjesëtarët e tjerë, vëllezërit, motra, nga ana emocionale...
Unë kam ndier keqardhjen më të madhe që babai nuk jetoi edhe tre vjet të tjera që së paku ta arrinte këtë ditë. Sepse ai luftoi dhe u përpoq tërë jetën për një Shqipëri demokratike dhe vuajti jashtëzakonisht shumë dhe tamam në prag, kur duhet të paktën të ikte duke e marrë vesh që Shqipëria ndryshoi, këtë nuk e arriti. Kurse për ne të tjerët, natyrisht kjo ishte një aspiratë që e ëndërronim, si gjithë shqiptarët e tjerë të cilët kishin vuajtur. Ne ishim në mënyrë natyrore në atë krah që kishte aspiruar një demokraci perëndimore. Ishim kundër çdo lloj diktature, jo më asaj që ishte në Shqipëri, diktaturë e proletariatit, që ishte mbase më e egra dhe pa dyshim të edukuar dhe të formuar si familje me ndjenjat e dashurisë për vendin, të dashurisë për njerëzit, të dashurisë për një jetë të lirë për të gjithë, që krijon mundësi zhvillimi e të tjera. Pa dyshim që kjo ditë ishte për të gjithë ne e rëndësishme, por në mënyrë të veçantë, u përjetua nga vëllai dhe motra, nga nëna që ishin në Lushnje, të cilëve, përveç të tjerash, iu hoqën edhe ato mundimet e rënda, jo vetëm shpirtërore, por edhe fizike, që i vuajtën gjatë gjithë rinisë. Kështu që ditët e ‘90-ës, ‘91-shit nga familja jonë janë pritur si ditë të cilat, sikurse ndodhi në të vërtetë, sollën një jetë tjetër, një epokë tjetër. Ç’është e vërteta mendonim se një ditë komunizmi nuk do të mbijetonte dot më, sepse veçanërisht në Shqipëri, veçanërisht nga gjendja e rëndë ekonomike, nga izolimi jashtëzakonisht i madh, ne nuk e mendonim që do të kishte jetë të gjatë, por nuk e mendonim, gjithashtu, që kjo mund të ndodhte aq shpejt. Me rënien e murit të Berlinit dhe me gjithë lëvizjet që u iniciuan nga Gorbaçovi, me perestrojkën e të tjera, filluan të ngjallen të gjitha shpresat dhe ky proces u kurorëzua pastaj edhe në Shqipëri me rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës që ishte një nga momentet më emocionuese dhe më dramatike që kanë ndodhur në Shqipëri, kur, në atë gjest, u manifestua gjithë urrejtja e madhe popullore që ekzistonte ndaj regjimit. Kështu që, me ardhjen e demokracisë, me shembjen e regjimit komunist, na u ngjallën të gjithëve shpresat për një Shqipëri tjetër. Një rilindje e përgjithshme kombëtare, një rilindje shpirtërore në radhë të parë. Dua të them që komunizmi gjatë 45 vjetëve të tij, ndikoi jashtëzakonisht keq në vlerat e njeriut shqiptar. Prishi, me mënyrën e ushtrimit të një pushteti jashtëzakonisht të egër, të ashpër, gjakatar, pushtetit të frikës, shumë nga virtytet dhe cilësitë e njerëzve. U tentua të krijohej njeriu i ri dhe gjendja e vështirë ekonomike, presioni jashtëzakonisht i madh psikologjik, jeta nën një trysni të tillë, krijoi, përveç një numri të madh spiunësh, që numërohen 200-300 mijë me sa kam parë në literaturën që botohet tani, krijoi kastën e servilëve dhe nga ana tjetër dhe kategorinë e njerëzve gojëmbyllur të cilët heshtnin. Pra Shqipëria, gjatë kësaj periudhe, kultivoi te njerëzit disa tipare që ishin jashtë natyrore dhe me këtë trashëgimi që komunizmi e gjymtoi shpirtin njerëzor, ne erdhëm në demokraci dhe natyrisht do të kishim edhe probleme. Duke pasur një trashgimi të tillë nga komunizmi, kjo luftë e ashpër klasore që ekzistonte dhe mënyra si u bë ndryshimi i sistemit në Shqipëri, bëri që komunistët, pasardhësit e tyre të shumtë, vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të mos jenë një kategori që gëzon urrejtjen për krimet e kryera, por për fat të keq, ne ballafaqohemi me komunistët dhe pasardhësit e komunistëve që janë në pozicione të larta, kurse gjithë kategoria e të persektuarve, për fat të keq, që ende nuk është integruar me dinjitet në shoqërinë e sotme sikurse i përkiste pas gjithë atij kalvari 45-vjeçar, ka mbetur në pozita të tjera. Të vjen keq që pronarët, të persektuarit politikë, enden nëpër zyra dhe duket sikur iu jepet lëmoshë. Natyrisht më shumë priste kjo kategori nga demokracia. Ky tranzicion ka qenë jashtëzakonisht i vështirë, me shumë zig-zage, me shumë ballafaqime, por duhet të themi që e djathta e vërtetë në Shqipëri mbeti një fasadë që i duhej partive politike me qëllim që të prezantoheshin si e djathtë reale. Në të vërtetë, e djathta reale në Shqipëri nuk ka mundur dot të mbijetojë në kuptimin politik të fjalës. Ajo, gjithmonë dhe aktualisht ka përfaqësime jashtëzakonisht të dobëta.
Zoti Bujar, ju falenderojmë shumë për intervistën tuaj
Edhe unë ju falenderoj. Unë mendoj që në kujtesën e njerëzve është e rëndësishme që të mbetet e tërë ajo e kaluar dhe më vjen mirë që tashmë ka nisur të shkruhet për këtë periudhë. Nga ana tjetër, kam shpresë që Instituti i Krimeve të Komunizmit që drejtohet nga një djalë për të cilin kam simpati, nga Agron Tufa, do t’i shërbejë historisë, pavarësisht se gjatë këtyre 20 vjetëve të sistemit demokratik nuk ka pasur efekte të rëndësishme. Mendoj që nga pikëpamja historike do t’i shërbejë dhe, s’është asnjëherë vonë, demaskimi dhe prezantimi para opinionit publik dhe para historisë, se çfarë ka qenë komunizmi në Shqipëri. Mendoj që do të shkruhet dhe është e domosdoshme që të shkruhet, përveç këtyre kujtimeve, këtyre intervistave. Kjo është një punë shumë e dobishme që bëni ju dhe unë ju falenderoj për këtë, por duhet shkruar e shkruar shumë me qëllim që brezat që vijnë dhe historia ta ketë të qartë sesi ka qenë ai realitet, mbasi propaganda komuniste ka bërë jashtëzakonisht shumë dhe për fat të keq fëmijët tanë të cilët kanë lindur në prag të demokracisë, ose në vitet e demokracisë, për shkak të zhvillimeve që janë bërë deri tani, nuk kanë ide të qarta se ç’ka qenë komunizmit. Prandaj është shumë e rëndësishme që të tregohet historia ashtu siç është dhe të shkruhet me objektivetin më të madh, pa pasione politike, në mënyrë që gjeneratat ta dinë të vërtetë sesi ka jetuar, si ka ecur ky popull sepse duke qenë të vetëdijshëm për këtë, do bëhen më të mirë, do të kenë vizione më të qarta dhe më të drejta për të ardhmen dhe mbi këtë bazë, do vendosen dhe raporte më të mira shoqërore midis gjithë kategorive shoqërore që kanë qenë, për një periudhë shumë të gjatë, në një konflikt absurd me njëra-tjetrën.
Nga arkiva e familjes Doko