Fituan betejën, por jo luftën. Beteja antikomuniste e korrikut 1944, në Macukull të Matit, me një organizim të mirëfilltë ushtarak, zmbrapsi çetën e Shefqet Peçit, por ishte e pamundur të zmbrapste komunistët. Ata u hakmorën jo vetëm ndaj organizatorëve që i ekzekutuan dhe burgosën, por edhe gjithë fiseve të tyre, duke i dëbuar, përndjekur dhe duke i mbajtur në izolim e varfëri
Ndryshe nga vatrat e tjera që u drejtuan nga forcat e Mbretit, Macukulli e organizoi vetë luftën kundër komunizmit, me shtëpitë e para dhe vetë macukllanët e fshatrat përreth, shkruan Ilir Vata, sepse, numri i madh i të shkolluarve jashtë vendit, e dinin se komunizmi ishte një sistem autokratik dhe macukllanët nuk duronin tjetër regjim përveçse plebishitar.
Për këtë zonë që nuk kishte pranuar nënshtrim ndaj asnjë pushtuesi, nuk mund të pranohej as pushtimi komunist, ndaj në fillim të verës së vitit 1944, përfaqësuesit e fiseve të Macukullit dhe zonave përreth, disa nga të cilët oficerë të mbretit Zog, u mblodhën dhe vendosën t'i mbronin me armë territoret e tyre ndaj çetave partizane. Bilal Kola, Xhemal Vata, Sali Vata, Taf Vata, Shahin Doçi…etj. ishin mes pjesëmarrësve të këtij takimi. U gjykua se komunizmi ishte pushtuesi i ri dhe u vendos që të armatoseshin edhe ato fise që nuk kishin armë dhe mundësi t’i blinin, të thirreshin në betejë të gjithë oficerët, xhandarët dhe të kishte një strategji të plotë ushtarake.
Organizimi
Ilir Vata ka mbledhur dëshmi të bashkëkohësve të cilët kanë thënë se strategu ushtarak, Bilal Kola propozoi që komandat i luftës të ishte trimi, Xhemal Vata që do të kryesonte grupin më të madh të luftëtarëve, më shumë se 180 burra, ndërsa vetë Bilali të ishte me një ekip më të specializuar që do patrullonte territorin, madje të kontrollonte pjesën verilindore të Macukullit. "Bilal Kola ishte njëri me influencë të jashtëzakonshme, diplomat, njeriu që ruante lidhje më krerët antikomunistë në të gjithë vendin, madje marrëdhëniet e tij kalonin kufijtë sa ishte njeriu që kishte lidhje të drejtpërdrejta me misionin anglez dhe forcat antikomuniste në perëndim. Sali Vata ish-z/komondat i kufirit për Shkodrën në kohën e Mbretit Zog, premtoi një mortajë dhe bashkë me shenjuesin e parë, Llan Gjatën nga Shqefni do të drejtonin grupin e mitralerëve në kodrën kryesore të Macukullit ose në epiqendër ku mendohej se do të ishte përqendrimi i ushtrisë drejtuar nga Shefqet Peçi që pritej të vinte", shkruan Vata.
Pas tri ditësh u informuan se Shefqet Peçi i ishte afruar Macukullit. Në qafën e Shënkollit e priste një grup i përfaqësuar nga Ram Muça, Kros Vata, Must Vata, Murat Vata, fisi Dede në fshatin ngjitur, Dukagjin dhe Pashajt në Gjocaj.
"Çeta e Shefqet Peçit u nda në dy skuadra me një numër të madh ushtarësh, njëra vinte nga Dukagjini që u prit nga mitralozi i Kros Vadodës dhe pjesa tjetër në rrëpirën e shpatit Nepë që u prit nga shëllinjakët si një grup pararojë dhe më pas nga mortaja e Sali Vatës me shenjues Llan Gjatën. Grupi pararojë i Bilal Kolës kishte marrë udhën për në Vig (fshati lindor i Macukulli) nga u mësua se mund të jetë shtegu i çarjes, por Bilali, një strateg me përvojë nuhati kurthin dhe më vonë u informua se forcat duheshin përqendruar ne mes të Macukullit dhe bashkojnë forcat në një beteje të ashpër sa u Shefqet Peçi zmbraps me turp", shkruan Ilir Vata.
Pasojat
Krerët e Macukullit e fituan këtë betejë unikale, të organizuar në mënyrë të mirëfilltë, me strategji dhe armatim të mirëfilltë ushtarak, por luftën me komunizmin nuk e kishin në dorë ata. Fitimtarët e luftës, me të marrë fuqinë, nisën hakmarrjen ndaj këtij grupi qëndrestarësh dhe familjeve të tyre. Trembëdhjetë burra nga grupi i Bilal Kolës u zhdukën. Ekzekutimet me dhe pa gjyq, nga viti 1944 deri në vitin 1952, dhe jetët e humbura në burg pas dënimeve të gjata, e bëjnë tridhjetë numrin e viktimave që i shkaktoi Macukullit dhe fshatrave ngjitur, diktatura.
Xhemal Vata u pushkatua më 1947. Si tregojnë dokumentet, që kujto.al ka publikuar, 50 matjanë kërkuan t'i falej jeta, çfarë tregon për respektin që gëzonte dhe rëndësinë që kishte figura e tij në mbarë krahinën, por pushteti e refuzoi këtë kërkesë. Xhemal Vata u ekzekutua në një ditë me Sali Llanin e Ismail Hysën, ndërsa Sali Vata, (ish-shoqëruesi i Mehdi Bej Frashërit) u dënua 101 vite burg, Taf Vata u dënua 25 vite burg, Shaqir Vata 25 vite burg, pa mundur të dilte i gjallë nga burgu, si ndodhi me Lam Bicin apo Osman Cenin. Hazis Vata i ri, u bugos më vonë, Nezir Vata u burgos dhe u torturua për tetë muaj në burgun e Burrelit dhe të Dibrës, ku e pa Xhemal Vatën kur ia vranë në sy.
Në fisin e Saldoçve, u pushkatua Shahin Doçi. Nga Sucajt, Metajt, Kolajt etj. pati viktima dhe më pas përndjekje.
Macukulli antikomunist e fitoi betejën më armë kundër komunizmit, por pati një persekutim të ashpër për 45 vite. Si shkruan Ilir Vata, të rralla ishin ato familje që mundeshin të çonin një fëmijë në shkollë të lartë; dita e punës ishte 10 lekë të vjetra; varfëri totale; pamundësi për të jetuar; një pjesë e macukllanëve, madje dhe e zonës, punoni në minierë ku shumë kanë humbur dhe jetën, të tjerë kanë vdekur nga silikoza. Mjaft familje u internuan, dëbuan, sekuestruan dhe u mbajtën në përndjekje deri sa koha e mundi diktaturën.