Propaganda i mveshi virtytet më të larta shpirtit dhe luftës komuniste, por vetë komunistët, ndoshta të vetmen herë kur folën hapur mes tyre, e kanë quajtur një shpirt “kriminaliteti” dhe “terrorist”. Në Plenumin e Beratit, në 23-27 nëntor 1944, figura të njohura të Partisë Komuniste pranuan vrasjet me lista dhe “për hiçgjë”: në Tiranë 60 veta “që s’meritonin të vriteshin”, "numri do të ketë kaluar 100 vetat"; në Vlorë, 42, “pjesa më e madhe” pa faj. Ndërkohë udhëzimet sekrete të Enver Hoxhës, gjatë luftës, zbulojnë një realitet tjetër nga ai që u fabrikua në lidhje me Ballin Kombëtar.
Nga Enver Memishaj*
Për komunistët eleminimi i kundështarëve politik u bë motivi i ekzistencës së tyre.
Nga historia dihet se më 1 dhe 2 gusht të vitit 1943 u mbajt në Mukje të Krujës, Konferenca e Mukjes, ku të dy organizatat Balli Kombëtar dhe Fronti Nacionalçlirimtar nënshkruan marrëveshje që të bashkëpunonin në luftë kundër pushtuesit të huaj dhe për këtë qëllim, u formula edhe Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë me 12 anëtarë: nga 6 secila organizatë. Por Partia Komuniste e mohoi dhe e hodhi poshtë këtë marrëveshje, për interesat e saj e për të marrë e vetme pushtetin e shtyrë edhe nga emisarët jugosllavë.
Më 4-8 shtator 1943, u mbajt Konferenca e Labinotit dhe sipas Enver Hoxhës: "Problemi kryesor që kapi e trajtoi Konferenca e Labinotit ishte çështja e pushtetit politik në Shqipëri... Pushteti real që ne kishim mundur të arrinim përmes një lufte të gjithanshme... tash duhej të çentralizohej, të shpallej pushteti i vetëm i popullit në Shqipëri... dhe të forcohej e të mbrohej si pushtet i pacënueshëm i popullit kryengritës". (Enver Hoxha "Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re", "8 Nëntori", Tiranë1984, f. 310-311)
Më 10 shtator 1943, Enver Hoxha u dërgon gjithë Komiteteve Qarkore të Partisë Komuniste Shqiptare një udhëzim, tepër sekret, ku ndërmjet të tjerave thuhej: "Ne mendojmë se me Ballin Kombëtar nuk do të jetë e mundur të arrihet një marrëveshje. Mendojmë gjithashtu se Balli ka marrë një rrugë që do të shpjerë patjetër në përpjekje me ne, prandaj ne duhet të punojmë në drejtim që vijon: ta demoaskojmë dhe ta diskreditojmë Ballin në popull, ta paraqesim Ballin në popull si përçarës dhe shkakëtar të vëllavrasjes. Të bëjmë që populli të shohë që politika e Ballit do të na shpjerë në përpjekje me armë... që populli i tërë të revoltohet dhe kështu e gjithë politika e mosbashkimit të popullit shqiptar dhe të përpjekjes me armë të bjerë përmbi Ballin Kombëtar". (AQSH, F. 270/AP, V. 1943, D. 9, f. 3)
Më 1 tetor 1943, Enver Hoxha u dërgon gjithë Komiteteve Qarkore të Partisë Komuniste Shqiptare udhëzim, tepër sekret, ku sanksonohej lufta kundër Ballit Kombëtar, e ku ndërmjet të tjerave thuhej: "Ne duhet të ndërhyjmë e të godasim pa mëshirë Ballin Kombëtar. Asnjë hezitim... ndryshe ne jemi të humbur në qoftë se veprojmë me zemër prej murgeshe. Balli nuk na liron pushtetin dhe askush tjetër në qoftë se nuk e rrëmbejmë me forcë... Mbaroi çështja e bashkimit me Ballin, s'jemi më në atë periodë, tash Balli duhet të demaskohet si një organizatë reaksionare... demaskimi të bëhet i vazhdueshëm dhe ne vemi drejt likujdimit të Ballit dhe jo të bashkimit me të. Në rast se ai gjen rast të vendoset në ndonjë fshat a qytet, duhet të veproni përnjëherësh edhe ushtarakisht kundër tij". (AQSH, F. 270/AP, V. 1943, D. 9, f. 14)
…Në këto rrethana, realisht Partia Komuniste i kishte shpallur luftë Ballit Kombëtar për marrjen e pushtetit dhe për këtë synim shpërtheu një terror ndaj kundërshtarëve politikë, duke u kthyer në një Parti Terroriste, fakte historike që komunistët i pranuan dhe i konfirmuan vetë në plenumin e Beratit, i pari plenum por edhe i fundit ku pjesëmarrësit shprehën mendimet e tyre, se më pas ata u kthyen ne gur shahu që Enver Hoxha i lëvizte sipas interesave ose skizofrenisë së tij.
Manush Miftiu, udhëheqës i lartë i PK ka deklaruar në këtë plenum: "Këto gjëra nuk qenë të rastit, por si rrjedhim i vijës sonë... Edhe në Vlorë ne kemi pas menduar se ata që s'ishin me ne duhej të zhdukeshin. Në Vlorë kishim një listë me 42 veta të dënuar me vdekje dhe pjesa më e madhe e tyre s'kishin faj... Me Mehmet Shehun kemi biseduar, meqë Shqipëria do të çlirohej shpejt dhe popullit do t'i jepej mundësia e zgjedhjeve, reaksinarët duheshin zhdukur që më parë". ("Politika Antikombëtare e Enver Hoxhës" (Pleniumi i 2-të i KQ të PKSH, Berat 23-27 nëntor 1944), Tiranë 1995 f. 93-94)
Gogo Nushi deklaron të njëjtën sjellje terroriste në Tiranë: "Të gjithë ata që kanë qënë kundërshtarë të politikës sonë, jo kriminelë e kuislingë, ne i konsideronim armiq dhe përpiqeshim t'i zhduknim nga faqia e dheut... Këtë shpirt kriminaliteti e kemi parë ditët e fundit në Tiranë. Kjo tregon vijën tonë kriminale. Me hyrjen e forcave tona, në Tiranë janë vrarë 60 veta, kemi edhe listën e tyre. Unë i njoh këta emra dhe asnjë prej tyre s’meritonte të vritej. Kjo është konseguencë e vijës sonë. Jemi të sigurtë se do të ketë dhe të tjerë. Numri do të ketë kaluar 100 vetat. Kjo do të sjellë dëme të mëdha..." (Gogo Nushi AQSH, F. 14, V. 1944, D. 2/1)
Po kështu vazhdon edhe Hysni Kapoja të konfirmojë kthimin e Partisë Komuniste në Parti Terroriste: "Si provë terrorizmi më i keq është vrasja e shokut Mynyr Xhindit. Po ta shikojmë çështjen mirë si komunistë, ai s'duhej vrarë. Është vrarë për hiçgjë... Shpirti terrorist ekziston edhe sot...". (Hysni Kapo në Pleniumin e Beratit, f. 89, 91)
*Pjesa është shkëputur nga libri “Haziz Sharra-Luftëtari antifashisht që ra nga plumbat e komunistëve”, me autor Enver Memishaj, botim i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit” (ISKK), Tiranë 2020.
Fotoja: Ilustruese, qendra e Tiranës, marrë nga faqja e FB "Na ishte dikur".