Ishte e para herë që e shihte të ëmën, pas 14 muajsh që ajo qëndronte në hetuesi. Do t’i bëhej “gjyqi i popullit". Në sallë ishin edhe pesë fëmijët e saj. Në bankën e të akuzuarve ishte edhe babai… Pesë fëmijë të mitur shihnin e dëgjonin se si dora e partisë godiste pa mëshirë prindërit e tyre Prena dhe Martin Kapllaj, të akuzuar si “armiq të popullit”. Fëmijët ishin spektatorë të shfaqjes më makabre të jetës së tyre…Violeta Kapllaj 14 vjeçe, ishte më e madhja, me radhë vinin Florinda Kapllaj, Vera Kapllaj, Arben Kapllaj dhe Aleks Kapllaj vetëm 6 vjeç. “Unë kërkoja nanën me sy dhe ajo mua. Dikur arrita ta dalloj mes policëve. I kishin pre flokët dhe ishte krejt në të zeza. Ishte dobësuar shumë dhe kishte një trishtim në çdo qelizë të qenies së saj, por ishte krenare…”, kujton Aleksi.
Nga Luljeta Progni
Aleksi ishte vetëm 6 vjeç kur “u zhduk” nëna. Brenda pak javësh do të “zhdukej” edhe babai. Nëna nuk i kishte munguar kurrë në shtëpi dhe për Aleksin ishte shumë e vështirë ta perceptonte mungesën e saj. Por iu desh të mësohej me mungesën e nënës për një kohë shumë të gjatë sepse regjimi komunist e kishte shpallur armike dhe e kishin arrestuar. Aleksi ishte më i vogli i pesë fëmijëve të Prena e Martin Kapllaj.
Pas 14 muajsh hetuesi, Aleksi vrapoi pas motrave dhe vëllait, nënës e gjyshit për të shkuar në atë sallë ku do ta shihte nënën për së largu… E ndryshuar, e dobësuar, e drobitur, e trishtuar… por krenare si askush tjetër në atë sallë, ku po i bëhej “gjyqi i popullit”. Aleksi kundronte nga larg sytë e saj e ajo ia hidhte shikimin dashamirës vazhimisht…është një ndër momentet më të rëndësishme të jetës së tij, që ka lënë shënjë të pashlyer përjetë..
“Mbas 14 muajsh, salla e gjyqit ishte mbushur plot e për plot. Njëkohësisht gjyqi transmetohej me altoparlant jashtë, për ata që nuk kishin mundur të hyjnë në sallë. Babën e pashë kur po hynte, ndërsa nanën e futën nga një hyrje tjetër. Unë kërkoja nanën me sy dhe ajo mua. Dikur arrita ta dalloj mes policëve. I kishin pre flokët dhe ishte krejt në të zeza. Ishte dobësuar shumë dhe kishte një trishtim në çdo qelizë të qenies së saj, por ishte krenare. Ishte ma e fortë dhe kurajoze se të tanë ata që ishin në atë sallë. Ajo e mbante kryet nalt dhe hidhte poshtë çdo akuzë. Dukej se ajo po u bante gjyqin moral atyne. Shpesh kur e kujtoj atë moment më ngjason me foton e gjyqit të Musine Kokalarit... Sa më pa, ajo buzëqeshi dhe më përshëndeti me shikim.
Gjykatësi që po zhvillonte procesin i drejtohet: "E pandehur pse i keni firmosur këto akuza?". Nana e jeme i përgjigjet: Sepse me kanë kërcënuar me pistoletë te veshi dhe jeta asht e amël e nuk mund të lija pesë fmijë jetimë”, tregon Aleksi.
Momenti tjetër i dhimbjes është arrestimi i babait… ”Fotografia e kujtesës teme ishin ato pranga që ia kishin shtrënguar deri në kockë babës tem dhe kur po uleshin nga kamionçina e shtynë. Duke qenë i prangosur me një tjetër, ai bërtiti nga dhimbjet që i kishin shkaktuar hekurat e prangave, që nuk ishin gja tjetër vetëm katër shufra hekurash të saldume që shtrëngoheshin me dy bullona me dado. Ajo britmë dhimbjesh me ka mbetë edhe sot në mendje dhe më duket se e ndoqi babën tem deri ditën e fundit të tij”, rrëfen Aleks Kapllaj.
Shënim: Aleks Kapllaj ka rrëfyer historinë e plotë të jetës së tij gjatë kohës kur të dy prindërit ia arrestuan të akuzuar si “armiq të popullit”. Jeta e vështirë pa nënë e pa baba, varfëria, dhuna e diktaturës, përbuzja dhe malli për nënën…do të publikohet ditët në vijim, në Kujto.al.